Zjarre të mëdha përfshijnë Delvinën dhe Finiqin

Disa vatra të mëdha kanë përfshirë ditën e sotme zonën e Delvinës dhe Bashkisë së Finiqit. Raportohet se mijëra hektarë pyll janë djegur, ndërkohë që flakët kanë përfshirë dhe disa banesa në fshatra.

Ministria e Mbrojtjes thotë se janë djegur dy banesa të braktisura prej vitesh, ndërkohë që nga terreni raportimet flasin për një numër më të madh. Ministria e Mbrojtjes dhe Prefektura kanë nxjerrë në terren rreth 70 zjarrëfikës dhe 5 mjete për shuarjen e zjarreve.

“Situata po ndiqet me vëmendje nga Ministri i Mbrojtjes, Prefekti, Emergjencat Civile. Në gatishmëri, për rast ndërhyrje janë efektivët e FA nË Detashmentin e Mbrojtjes Rajonale te Gjirokastrës”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtes.

Flakët kanë nisur prej paradites por pasdite zjarri është bërë shumë i fortë duke djegur plotësisht plantacionet me ullinj dhe çdo bimësi. Gjatë pasdites zjarri ka hyrë edhe në fshatin Kardhikaq përgjatë rrugës së vjetër Qafa e Muzinës-Delvinë. Sipas banorëve shumë shtëpi në periferi të fshatit janë përfshirë nga flakët. Shumica e banorëve janë emigrantë dhe në fshat ka shumë pak njerëz që po luftojnë për të penguar përparimin e flakëve. Në drejtim të fshatit janë nisur disa zjarrfikëse nga Saranda e Delvina.

Shtëpitë e djegura janë të banorëve që nuk gjendeshin në fshat dhe zjarret janë forcuar për shkak të erës së fortë në zonë. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë të cilat po bëjnë evakuimin e banorëve në mënyrë që të mos pësojnë dëme.

VIDEO/Zjarri në Finiq

 

SHKARKO APP