Denoncimet për manipulime të zgjedhjeve. Prokuroria të hetojë vjedhjen e votave

Në zgjedhjet e 25 qershorit ka raportime pa fund për blerje të votave. Në polici janë vetëm 20 raste që janë referuar në prokurori, ku persona të ndryshëm janë paditur për blerje të votave para zgjedhjeve. Gjithashtu, janë me qindra denoncimet për presione dhe shantazhe që u janë bërë punonjësve të administratës nga përfaqësues politikë dhe zyrtarëve të institucioneve. Por mënyrat e ndikimit dhe manipulimit në zgjedhje nuk janë vetëm këto. Disa video denoncime të publikuara dje në rrjetet sociale tregojnë për manipulime skandaloze gjatë procesit të numërimit të votave.

Kreu i LIBRA, Ben Blushi publikoi dje një video të realizuar nga kamerat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat ishin instaluar në çdo tavolinë numërimi. Në video shihet qartë se numëruesi i Partisë Socialiste, vlerëson se në kutitë e votimit, në një qendër në Tiranë, ishin 18 vota për partinë LIBRA. Por kjo shifër votash nuk rezulton e pasqyruar në procesverbalin e dërguar nga komisionarët në KQZ. E thënë thjeshtë, votat e LIBRA janë tjetërsuar duke i llogaritur si vota për Partinë Socialiste. Ky është një nga skandalet më të rënda në proceset zgjedhore në Shqipëri. Numërimi i votave regjistrohet me kamera, ndiqet nga vëzhguesit e partive dhe komisionarëve dhe në fund procesverbali duhet të pasqyrojë votat që janë gjetur në kutitë e votimit. Por në rastin e denoncuar nga LIBA, procesverbali pasqyron vullnetin e numëruesve partiakë, të cilët kanë manipuluar rezultatin.

Një video tjetër e publikuar nga deputetja e PDIU, Mesila Doda tregon edhe një rast më flagrant. Në pamjet filmike duken numëruesit që vlerësojnë votat e PS, PD, dhe PDIU. Pasi përfundon numërimi, votat e PDIU-së kalojnë në totalin e votave të Partisë Socialiste. Pra praktikisht komisionarët e PS dhe PD kanë rënë dakord që të numërohen votat, por në fund votat e partive aleatë kanë kaluar për partinë kryesore të mazhorancës. Ekzistojnë më shumë se 20 video të tilla vetëm në Tiranë që tregojnë për manipulime dhe deformime të gjithë rezultatit zgjedhor. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi nuk e mori mandatin e deputetit vetëm për 37 vota. Vetëm në një kuti votimi rezulton se janë manipuluar të paktën nga 10 vota. Kjo do të thotë që rezultati i nxjerrë nga KQZ bazohet në shifrat e falsifikuara që kanë dërguar komisionarët partiakë.

Për të dyja rastet e videove të shfaqura në media, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se u përkasin numëruesve socialistë. Në rastin e votave të PDIU, numëruesi është një punonjës i Hipotekës. Ndërsa në rastin e votave të LIBRA, drejtues të kësaj partie, deklaruan se bëhet fjalë për një punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Saktësisht, shefi i Financës në Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë dhe komisioneri i PS-së që ka kryer manipulimin e votave.

Ndryshe nga denoncimet e tjera, këtë herë kemi video të institucioneve zyrtare që tregojnë për manipulime të rënda të procesit. Nuk flitet më për hamendje apo pretendime, por për prova të pakontestueshme ligjërisht. Gjithë qytetarët mund të shohin sesi vota tjetërsohet në tavolinat e komisionarëve, apo shembet si mall mes partive kryesore. Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor parashikon deri në 6 vite burg për komisionarët që shkelin ligjin dhe kryejnë manipulime. Për zgjedhjet e 25 qershorit nuk ka pasur asnjë hetim ndaj këtyre manipulimeve. Është koha që Prokuroria, pa pasur nevojë që të bëhet ankesë, pro vetëm nga faktet skandaloze që janë publikuar këto ditë të nis hetimet ndaj komisionerëve. Kushdo që ka prekur votat duhet të përgjigjet. Hetimi i komisionarëve do të çojë edhe në zbulimin e urdhëruesve politikë që kanë udhëzuar manipulimet kaq flagrante në dëm të partive të tjera.

Përveç se votuesit u kërcënuan, u blenë tashmë po shihet dhe pjesa më e shëmtuat e zgjedhjeve, ku pavarësisht sesi votojnë shqiptarët, në fund fiton ai që numëron votat.

SHKARKO APP