Opozita: Me 20 shkurt protestë e madhe në Tiranë
Protesta e demokratëve para parlamentit ka njohur zhvillime të forta, pasi shumë folës, ndër to edhe deputeti demokrat Asllan Dogjani, bënë thirrje që nëse qeveria dhe kryeministri nuk tërhiqen, atëhere do të hyjmë me popull në sallën e parlamentit.
Për herë të parë deputetët e grupimit të Gazment Bardhit i janë bashkuar protestave të thirrura nga Rithemelimi. Një prej tyre, Dash Sula tha se kjo është një betejë për të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
“Shikoni çfarë i bënë sot deputetëve të opozitës. E kanë rrethuar me qindra policë dhe gardistë dhe kjo është e tmerrshme. Kjo është një sjellje prej diktature. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të protestojnë për të drejtat e opozitës dhe të drejtave të tyre.
Mund të humbasim disa beteja por luftën nuk do ta humbim kurrë. Është e vetmja rrugë për të vendosur demokracinë. Ky vend ka rrëshqitur në autokraci. I bëj thirrje popullit opozitar që të protestojë çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi theksoi se siç e patë, sot në kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Arben Ahmetaj, personi i konsideruar nga njeriu më i afërt si koka e inceneratorëve. Me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u ndaluan të futen në Parlament. Edhe ndaj deputetëve që nuk kishte masë disiplinore, Garda e Republikës me urdhër personal të Edi Ramës, një frikacak që i fshihet gjithmonë përballjes me qytetarët tentoi të lërë jashtë deputetët e opozitës. Besoj se vetëm në vende me regjime autoritare nuk lejohen deputetët të futen të ushtrojnë mandatin… e paimagjinueshme që deputetët duhet të shqyhen nga këmisha dhe kostumi që të futen në sallën plenare”.
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur para protestuesve demokratë pranë Kuvendit duke thënë se Rama u detyrua të bllokojë opozitën për të hyrë në sallë.
Sipas tij kjo u krye për shkak se kreu i qeverisë “nuk kishte çfarë thoshte pasi Arben Ahmetaj tha se kreu i bandës mafioze në vend është Edi Rama”.
“E patë se si sot Edi Rama u detyrua të bllokojë deputetët e opozitës për të hyrë në sallë sepse nuk kishte çfarë thoshte kur Arben Ahmetaj tha se kreu i bandës mafioze në vend është Edi Rama. E dëgjuat me zë e figurë se si numri 2 i qeverisë tha se ne kemi vjedhur dhe pasi vjedhim zihemi me njëri-tjetrin”, u shpreh ai mes të tjerash.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, tha para mbështetësve të opozitës se kryeministri Edi Rama është një frikacak.
“Kemi një kryeministër që hyn dhe del nga vrimat. Një frikacak të mbaruar. Keni një kryeministër që fshihet pas fustaneve të ministreve dhe këmbaleve të Gardës. Kur kemi një frikacak, të mbaruar është turp për ne që të mos e rrëzojmë këtë pis pisi që ka rrëmbyer dhe vjedh vendin ditë përditë.
Asnjë hap mbrapa ndaj këtij frikacaku. Do ta shikoni do ikë me vrap. Vendosmëria jonë nuk duhet të ndryshojë. Kemi fuqinë dhe të drejtën me vetë, kurse hajduta trima nuk ka pasur kurrë”, tha shkurt Vasili
Turma pas protestës u drejtua drejt vendit ku ndodhet Sali Berisha, i cili foli shkurt.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës nga opozita, teksa iu drejtua mbështetësve të tij nga dritarja e banesës.
Berisha u shpreh se në datën 20 shkurt e gjithë Shqipëria do të mblidhet në Tiranë.