Deputeti Erion Braçe bën thirrje: Të arrestohet kryebashkiaku i PDIU
Partia Socialiste është hedhur në një sulm frontal ndaj ish-aleatëve që e mbajtën në qeverinë në katër vitet e kaluara. Pas sigurimit të “timonin” qeverisës, kryeministri Edi Rama, por edhe deputetë të PS-së kërkojnë ndëshkimin e zyrtarëve të aleatëve.
Edi Rama ka gati një muaj që flet për shkarkime masive, dorëheqje “vullnetare” të drejtorëve dhe lista -fletërrufe me emra zyrtarësh që duhen përjashtuar nga administrata. Në këtë mënyrë kanë nisur dhe gjyqet publike në gjithë vendin, ku zyrtarët diskreditohen para popullit nga kryeministri dhe deputetë të PS-së. Një nismë e tillë thuhet se ka qëllim ndëshkimin e të paaftëve, por pas kësaj lëvizje është dhe qëllimi për spastrimin e administratës nga zyrtarët e LSI, PDIU.
Por ndërsa Rama i kushton rëndësi gjyqeve popullore dhe dënimi kolektiv për të fituar simpatinë e qytetarëve, deputetë të PS-së shkojnë edhe më tej, duke bërë thirrje publike për arrestime dhe dënime.
Deputeti i Qarkut të Fierit, Erion Braçe në një status në Facebook kërkon sot publikisht lidhjen (arrestimin) e Kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i cili është zgjedhur nën siglën e PDIU. Braçe publikon një foto që tregon djegien e plehrave të qytetit dhe kërkon marrjen e masave urgjente ndaj kryebashkiakut.
“A do ta lidhe kush këtë Kryetarin e Bashkisë në Rrogozhinë?! Atë personalisht, kërkënd tjetër!! Shihni ç’krim po bën!! Çdo natë ju vë zjarrin plehrave dhe, Cermat duke nisur nga e Cerma e Sipërme, Thanasaj etj fshatra aty pranë, ndoten masivisht nga gazrat që çlirohen prej djegies!! Unë nuk kam kujt i them më! Tani po i apeloj publikisht Inspektoriatit te Mjedisit, Policisë së Shtetit gjithashtu. Rrogozhina po kthehet në ferr për Çermat këto 20 vitet e fundit! Në fillim derdhnin plehrat në lum, tani i janë turrur lumit dhe po e gërryejnë e shkatërrojnë për inerte, gazrat prej djegies janë shumë fare!”, – shkruan Erion Braçe në Facebook.
Shqetësimi i deputetit socialist për ndotjen qëndron. Por e njëjta situata është dhe me plehrat në Durrës dhe në periferitë e shumë qyteteve të tjera të vendit. Përse bëhet thirrje politike për arrestimin e një kryebashkiaku dhe “lihen të lirë” kryebashkiakët e tjerë. Apo me që Rrogozhina drejtohet nga një kryebashkiak i PDIU, tani që votuat e Shpëtim Idrizit nuk i duhen më PS-së, socialistët edhe mund të bëjnë presion.
Madje mund të bëjnë dhe gjykatësin dhe prokurorin dhe të tregojnë me gisht se kush duhet të shkojë pas hekurave dhe kush duhet të qëndrojë në detyrë.