Deputeti demokrat Romeo Gurakuqi: PD qeveri me PS, por pa Ramën kryeministër
Në një analizë për “Panorama”, deputeti i PD për qarkun Shkodër, Romeo Gurakuqi thekson se kryeministri Rama e shkeli marrëveshjen parazgjedhore me opozitën dhe përdori çdo resurs për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve, duke mos bashkëpunuar me ministrat teknikë të propozuar nga PD.
Në foto; Deputeti Gurakuqi
Por nëse e lexon me kujdes deputetin Gurakuqi, pasi është një intelektual VIP, duhet ta lexosh mes rreshtave. Pra jo atë që shkruan, por atë që ka artikuluar si ide të tijën, të cilën e fut si në hije, ndonëse kuptohet se ka lejen e Lulzim Bashës; kërkon qeverisje PS-PD.
Deputeti i ri demokrat propozon disa skenarë të mundshëm për përmbushjen e reformave të rëndësishme që vendi duhet të ndërmarrë.
Por sipas Gurakuqit varianti i kompromisit të opozitës me qeverinë do të ishte një qeveri pa kryeministër Edi Ramën, por me një figurë të mirëfilltë intelektuale, progresiste dhe reformatore me një mandat të kufizuar. Pyetja tjetër është nëse kjo mbetet ide personale, me lejen e Bashës, apo ka edhe miratimin e Edi Ramës për ta bërë publike si fillim.
A lidhet mos’ikja e ministrave të PD-së nga qeveria, kur dhanë dorëheqje, me këtë propozim të deputetit të PD? Duhet pranuar se deputeti Romeo Gurakuqi ka integritet profesional dhe intelektual, por nga dyert e UET se Henri Çilit ka dalë për në listën e deputetëve të PD. Nuk ka asgjë të keqe, pasi me këtë Kod Zgjedhor ku të vendos kryetari i partisë si deputet, duhet të kalosh nga këto “vrima gjilpere”. Dyshimi mbetet se mos akordi është pak me larg e lart se sa Romeo Gurakuqi!
SHKRIMI I PLOTE i ROMEO GURAKUQI:
Ditët e fundit u dëshmua përmes deklarimit publik në media, që për tre muaj vendi nuk është drejtuar nga Këshilli i Ministrave si organ kolegjial, por përmes vendimeve të qarkullueshme nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave! Marrëveshja e 18 majit 2017 e ofruar nga BE dhe SHBA, nuk është respektuar nga Kryeministri i vendit, i cili ka shkelur mbi angazhimin e marrë për të punuar seriozisht për pastrimin e fushës së konkurrencës së lirë dhe të ndershme elektorale në Shqipëri. Një mijë pyetje lindin nga ky deklarim, por e para prej pyetjeve ka të bëjë me vlefshmërinë kushtetuese të kësaj “praktike”, dhe e fundit, me njësueshmërinë e veprimit të ekzekutivit në garantimin e procesit zgjedhor, nga ndërhyrjet e “konsorciumeve” të administrimit të shpërndarjes së parave për votëblerje! A mund të besohet se ka ekzistuar gatishmëria dhe serioziteti për të mbajtur pastër fushën e konkurrencës zgjedhore, kur institucioni themelor drejtues i administratës nuk ka funksionuar si njësi unitare vepruese për tre muaj me radhë, por si dy copë koti në rivalitet, të bashkuara me zor, që punonin kundra njëra-tjetrës?!
Nisma për të krijuar konditën fillestare për të bërë zgjedhje të pranueshme, rezulton kështu e ç’montuar në praktikë me pabesi, nga programatorët e “konsumimit” të parave të përfituara nga “fushata e korrje-shirjeve” të kanabisit, për riciklimin e pushtetit socialist edhe për një mandat katërvjeçar. Legjitimiteti i pushtetit të “lindur” në këtë formë, me arbitër mosveprues dhe përmes një kontrolli rigoroz të njëanshëm të votuesve, nga një regjistër i dalë nga një verifikim ilegal në terren i popullsisë, rezulton të jetë tërësisht i pabazuar në vullnetin e lirë të sovranit. Zgjedhjet, në vend që të prodhonin qëndrueshmëri politike dhe një pushtet të ri të pranueshëm nga të gjitha palët dhe komform legjislacionit zgjedhor, kanë prodhuar një supershumicë dhe një krizë politike të re në horizont, e cila nuk dihet se ku do të ndalet. Vetë “fitimtarët” nuk ndjehen komodë me rezultatin dhe, të ç’orientuar nga fitorja e stërmadhe dhe pa lavdi, po kërkojnë të bëjnë “aleancë me qytetarët”. Gjepura dhe shpikje autoritaristësh dhe korrupsionistësh që nuk deklarojnë dot as vilat e dhuruara nga oligarkia blerëse e politikës, në Kunoren e Tiranës. Situata e re që priret t’ua japë gjithë pushtetet “socialistëve të pasuruar në mënyrë të pangopur”, në qoftë se Parlamenti do të konstituohet kështu sikur blerja e votës na e ka konfiguruar, është e pangjashme për një vend demokratik europian. Ngjan se Shqipëria është kthyer në vitin 1991 apo në skenat e vitit 1996? Dhe në fakt, një pjesë e aktorëve të skenarit famëkeq të vitit 1991, sërish janë faktorë kryesorë vendimarrës të “fitimtarëve” të vitit 2017. Kësisoj, kriza politike e fillimvitit, nuk është zgjidhur, përkundrazi, mund të konsiderohet e rënduar. Nevoja për një zgjidhje politike, që do të duhet të çmontojë të gjithë sistemin korruptiv dhe ilegal, që organizon farsa të tilla elektorale pushtetmbajtëse, me përdorim masiv të gangsterëve dhe parave të drogës, trafiqeve, ndërmarrjeve private klienteliste, është vendosur në rendin e ditës. Në shtator 2017, nuk duhet të kemi përsëritjen e skenarit, me një Qeveri socialiste dhe parlament të konstituuar njëanshmërisht, që prodhon një sistem shtypjeje, urie, papunësie, emigracioni, diskriminim ndaj një pjese të popullit, por duhet të përgatitemi për një zgjidhje tranzitive politike. Mirëpo, për këtë zgjidhje tranzitive duhet të çlirohet fitimtari nga euforia e marrjes kështu, me blerje, e pushtetit për katër vite të tjera. Ndërkohë që “fitimtarët” as që e mendojnë se vendi nuk mund të qeveriset paqësisht, kur nuk merr dot pranimin e humbjes nga Opozita e vërtetë e vendit, opsioni i një Qeverie të Përkohshme reformatore, mbetet ende i hapur në një vend kur demokracia dhe liria zgjedhore shkatërrohet nga një ekzekutiv autoritar dhe i korruptuar. Bëhet fjalë tashmë për shtrimin sërish në tavolinën politike të disa skenarëve të mundshëm të vijimit të jetës politike të vendit.
1. Zgjidhja më e pranueshme për Opozitën dhe për të mirën publike, do të ishte rënia dakord për largimin nga skena e drejtimit të Qeverisë, e Kryeministrit të rrëmujës antiliberale dhe sjellja e “një Qeverie të të gjithë talenteve”, d.m.th. të teknicienëve më të mirë të kombit, që do të merrnin në dorë, me mandat të përkohshëm dhe me konsensus nacional politik, misionin e Reformimit të Republikës, për një qeverisje të re, që i trajton qytetarët të gjithë njëlloj dhe krijon një administratë të mirëfilltë shtetërore. (harrojeni se bëj fjalë për një bashkëqeverisje të Pozitës me Opozitën. Nuk do ta ketë kush asnjë mundësi për të krijuar alibitë e një koalicioni me bazë të gjerë me këtë rast, mbasi përjashtohet në fillesë të këtij diskutimi). Vendi ka nevojë për një listë të gjatë reformash që i kemi stërthënë, të cilat, Kryeministri aktual dhe shumica që ai kryeson, as nuk i din dhe as nuk don me i ba. Vendi ka nevojë për një staturë krejt tjetër drejtimi të ekzekutivit, në pikëpamje profesionale të drejtimit administrativ. Qeveri Teknike, kur socialistët po përgatiten të ndajnë mes vetes llokmat “pushtetit të ri legjitim”, do të pyes dikush?! Po! Kush luan me fatet e demokracisë dhe standardet e lirisë, kush nuk din në vazhdimësi, duhet ta paguajë me largim, sepse nuk është legjitim dhe nuk ka aftësi vetëkorrigjuese. Populli i vendit tim, kam përshtypjen, se nuk mund të durojë më një mandat të ri katërvjecar tallës të Edi Ramës, pavarësisht se dikush mund të thotë se ai i fitoi zgjedhjet: doni të dini se kush janë luogotenentet e tij, vetëm në një qark, që administruan kontrollin dhe shpërndarjen e votave për se paku dy mandate?! Shumë e thjeshtë: filloni dhe lexoni një herë raportet në terren të organizmave ndërkombëtare. Provoni të krijoni një komision të paanshëm investigativ dhe pyesni me radhë, nën garanci dhe betim, gazetarët e terrenit që kanë mbuluar zgjedhjet; punonjësit e shërbimeve të policisë kriminale që kanë qenë në terren atë ditë dhe para saj, punonjësit e shërbimeve të informacionit dhe hulumtoni pak në lëvizjet bankare të javëve të fundit të disa ndërmarrjeve dhe disa individëve të mirënjohur të “forcës” të “socialistëve europianistë dhe të demokratizuar dhe mbarsur me liberalizëm”. Unë nuk mund ta konceptoj se si për shembull, populli i Shkodrës dhe i Veriut, ku “fitorja komuniste” nuk përparoi dot më tej, do ta durojë më një qeverisje të re katërvjeçare të Edi Ramës, që mbolli për katër vitet 2013-2017 në atë krahinë, veç varfëri, izolim dhe diskriminim, ikje masive të fëmijëve, pasiguri dhe një rend publik që nuk mbështet qytetarin dhe pronën, por individët që i shërbejnë si roje me qafa të trasha Kryeministrit për të vizituar qytetin dhe krahinën?
2. Skenari i dytë, është ai që po përgatit Edi Rama: një Qeveri socialiste e re, një opozitë që futet vetvetiu në Parlamentin (sipas mendjes së tij) e fiksuar me numrat e kanabisit, që formulon strukturën e pluralizmit fasadë. Është ky vijimi i lojës pararendëse, me një kupolë të drejtimit të Shtetit, Qeverisë dhe Parlamentit, që projektohet sërish nën darën e ngushtë të një krahine, tre fshatrave të thella malore, nga të cilat do të vazhdojnë të burojnë, përmes “betimit të besnikërisë”: të gjithë ministrat, drejtorët e policisë, drejtorët e ndërmarrjeve të prodhimit të naftës, kontrollit financiar shtetërore, doganave dhe tatimeve, drejtorët e drejtorive të MPJ-së dhe ambasadorët, drejtuesit e të gjithë departamenteve të ministrive dhe degëve të administratës së lartë. Prej tyre do vijojnë të shpërndahen fondet e buxhetit, projektet, me të njëjtën “metodologji”, sikurse në katër vitet e shkuara, diskriminuese dhe shkatërrimtare për Shqipërinë e Veriut. Dhe kjo që donë të bëjë Edi Rama, nuk është Shteti shqiptar që duam, mbasi nuk përngjason me Shtetin e lënë amanet nga themelonjësit; madje është përkundër konventave kushtetuese, që imponojnë respektimin e balancës krahinore në drejtimin e pushteteve, të administratës dhe të shpërndarjes së të ardhurave drejtë dhe logjikshëm në territor. Kjo ishte marrëveshja e parë themelvënëse, që sot dhunohet me cinizëm. Është përkundër ligjeve të shtetit që janë ndërtuar për të shmangur nepotizmin, tarafin dhe krushqitë në orientimin e drejtimit politiko-administrativ dhe për të promovuar aftësinë dhe ekspertizën. Modeli që po aplikohet nga shumicat e majta të instaluara është ai që imponoi me dhunë për 50 vite diktatori. Ai model nuk mund të këtë referencë ligjore në demokraci, ndaj Opozita e vërtetë nuk do ta pranojë, mbasi është i prejardhur nga deformimi i votës, shkatërrimi i njësueshmërisë shtetërore, nga një atentat ndaj kushtetutës së shtetit, kushtetutë që siguron unitetin kombëtar, duke respektuar përfaqësimin gjithëpërfshirës, ndërkohë që veprimi politik i kupolës, me vendimmarrjet e njëanshme të emërimeve nga koka e Edi Ramës, ecën në shkelje të frymës së ligjit themeltar.
3. Skenari i tretë, që do ta quaja një opsion kompromisi, është një Qeveri socialiste pa Edi Ramën Kryeministër, por me një figurë të mirëfilltë intelektuale, progresiste dhe reformatore, të palidhur me lobet dhe lobistët e netëve të vona periferike, që kanë peshuar aq shumë mbi jetën e shqiptarëve në katër vitet e shkuara, për shkak të turbullimit që i kanë bërë mendjes së kryeqeveritarit të paditur dhe të pamësuar me administrim. Mandati kohor i kësaj Qeverie do të ishte në varësi të implementimit të reformave konstitucionale dhe politike të parashikuara në skenarin 1, dhe që kanë të bëjnë me kthimin e qeverisjes në Shqipëri, nga një qeverisje tavash, në një strukturë serioze administrative të qytetarëve. Por ky skenar i tretë, do të kërkonte vendosjen e kontrollit të Parlamentit në dorën e një Speaker-i të paanshëm, të palidhur me militantizmin e së majtës komuniste, tek i cili Opozita beson. Po ashtu, për garantimin e vijimit të besueshëm të Reformës në Drejtësi, nga komisionet e vettingut duhet të largohen të gjithë anëtarët e mazhorancës së majtë, që kanë bërë në katër vitet e shkuara, spastrime dhe prozhmime politike në administratë.
Sot është koha për t’u ndalur dhe menduar thellë, së pari “fitimtarët”. Mendoj se është koha kur duhet të përgatiten gradualisht kushtet dhe të zgjidhen teknikisht modalitetet për të shkuar drejt një Qeverie që do të korrigjojë Republikën e Oligarkisë dhe do ta shndërrojë atë përmes reformave, në një Republike të qytetarëve. Ne provë është vënë edhe Presidenti i ri i Republikës: a do të dekretojë ai një Qeveri moniste me legjitimitet të blerë me para në nëntokën e shoqërisë shqiptare, sikurse ai një kohë na ka paralajmëruar? Është prova e parë e tij mbi betimin e bërë për unitetin e kombit, për ruajtjen e paqes sociale dhe vijimin e procesit të integrimit europian.
Goxha provë për ju zoti President! Shqipëria e bashkuar mbi shtyllat e pluralizmit, konstitucionalizmit, ndershmërisë, drejtësisë dhe vullnetit të lirë sovranit, të cilën jeni i thirrur nga detyra që ta mbroni drejtpërdrejtë me veprimtarinë tuaj konkrete dhe pa vonesa e zvarritje./Pan/