Deputetja Rudina Hajdari përgatitet të krijojë parti të re politike, sfidë PD-së
Sot deputetja Rudina Hajdari lëshoi sinjalin e parë publik se po përgatiten si grup deputetësh të rinj, të cilët kanë hyrë nga listat e PD-së, të krijojnë një subjekt të ri politik. Ajo ndër të tjera theksoi se “Po përgatitemi dhe do marrim çdo lloj mase të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën…”
Deputetja Rudina Hajdari, e cila sot u zgjodh kryetare e grupit të pavarur parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvend, është shprehur gjatë seancës plenare se duhet gjetur një sistem i përshtatshëm zgjedhor.
Siç dihet PD-ja e ka përjashtuar zyrtarisht si përfaqësuese dhe si anëtare Rudina Hajdarin, sapo ajo nuk dorëzoi mandatin e deputetit siç bënë gjithë deputetët e PD-së. Megjithatë Rudina vazhdon të jetë deputete si pasojë e futjes në listën e PD-së nga Lulzim Basha.
Në seancën e sotme parlamentare ajo hodhi sinjalin e parë se do shkojë drejt një alternative të sajën politike, por duke mbajtur mandatin e deputetit të PD-së:
“Ky grup ka bindjen e fortë se do dalë kundra ndryshimeve kushtetuese të bëra në 2008, që sollën degradimin e sistemit zgjedhor. Jemi të hapur për të gjetur sistemin më të parshtatshëm. Kjo është kauza jonë e vetme dhe më e rëndësishmja. Ne jemi për përfaqësim nga populli. Ne nuk duam në asnjë mënyrë t’i bojkotojmë zgjedhjet e qershorit. Koha nuk është në favorin tonë. Ftoj gjithashtu që të mos bojkotohen zgjedhjet. Ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike dhe duhet të qëndrojmë brenda kushtetutës. Ftoj çdo demokrat që të na përkrahë. Po përgatitemi dhe do marrim çdo lloj mase të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën. Të na përkrahin demokratët që të ndryshojmë sistemin, të hapim rrugën për një garë reale, në këtë parlament, t’i japim fund këtij sistemi që e ka kalbur demokracinë në këtë vend”,- tha ajo.
Pra e gjithë loja kur u futën nën siglën e PD-së, tashmë po zbardhet për publikun, sepse të inspiruar nga drejtime të ndryshme duket hapur se po punojnë të përçajnë apo dobësojnë PD-në historike, të krijuar nga Azem Hajdari dhe Sali Berisha.
Ironia mbetet se është pikërisht vajza e liderit të Dhjetorit 1990, Azem Hajdarit, e kthyer prej Basha nga SHBA si deputete, po krijon gjithë këtë konfuzion brenda së djathtës. Nga burime brenda selisë së PD-së flitet se e gjithë kjo lojë përçarje vjen jo vetëm nga Rudina Hajdari si person, por lidhet me fijet që kanë lëshuar Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, etj të cilët Basha nuk i futi në listat e PD-së në zgjedhjet e qershorit 2017. Sikurse ka prapë burime nga selia blu të cilat thonë se pas Rudina Hajdarit fshihen linja të PS-së dhe kryeministrit Rama me synim mbajtjen e pushtetit, duke përçarë PD-në.
Në të vertetë ky pësim për Lulzim Bashën duhet të jetë mësim për PD-në pasi kur bëhen listat e kandidatëve për deputet nuk duhet të futen në lista emra për hir të meritës së babait apo nënës, apo kur futen edhe si “mbushës liste”.
Kjo vlen edhe për LSI-në.