Dëshmitarët: Deputeti e copëtoi dhe iku. Policia thotë: Faji është i viktimës
Aksidenti i deputetit Aqif Rakipi ka ndezur polemikat. PD akuzon se policia po fsheh diçka në këtë histori, pasi deputeti njihet si mik i kryeministrit Rama. Kurse policia thekson se deputeti u vetdorëzua dhe nga testi rezultoi se nuk ishte i dehur. Deshmitarë aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kusherinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.
Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria.
Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.
“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.
Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.
“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë. Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai për Panorama.
Por policia nxiton të thotë se deputeti rezulton nga testi i alkolit se nuk kishte pirë. Ndërkohë deputeti Rakipi është nxjerrë nga qelia nga prokuroria e Tiranës dhe hetohet në gjendje të lirë. Sipas policisë nuk ka patur faj deputeti, pasi viktima ka hyrë në autostradë pa shikuar nëse ka makinë, ndërkohë që mbikalimin e ka patur afër.
PD insiston për manipulim të ngjarjes nga policia
PD ka reaguar sërish sot në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur dje, ku deputeti i PDIU-së shtypi me makinë një shtetas.
“Deshmia e kusherinjve te Seit Sorrës, viktimes se aksidentit, eshte tronditese dhe tregon se kemi te bejme me nje ngjarje kriminale. Kusherinjte e viktimes, deshmitare okulare, rrefejne se deputeti, mik i Rames, Aqif Rakipi, sapo ka perplasur per vdekje Seitin, eshte larguar menjehere nga vendi i ngjarjes. Ata thone se deputeti Rakipi, iku pa u ndalur fare, sikur donte te fshihte dicka. Largimi i tille nga vendi i ngjarjes eshte kriminal dhe i thellon permasat kriminale te ngjarjes”, thuhet ne reagimin e PD-se.
Ndër të tjera, PD ngre edhe disa pyetje në lidhe me ate cfare ndodhi dje si dhe deshmive te dhena nga te aferm te viktimes, te cilet kane qene prezente kur ka ndodhur ngjarja e rende.
“Cfare po fshihte deputeti mik i Rames? A ishte ai ne gjendje te intoksikuar nga alkoli apo substanca te tjera? Cfare kishte ne makine miku i Rames, i cili nuk donte qe policia ta gjente makinen ne vendngjarje e ta kontrollonte. Dhe me e pakta, pse nje i zgjedhur, nje deputet, nuk kujdeset per viktimen nuk i ofron ndihmen e pare por iken me shpejtesi pa u ndalur menjehere pasi ka perplasur per vdekje nje njeri?”, thuhet me tej ne reagimin e PD-se.
“Nxitimi i policise dhe organeve ligjzbatuese per te shpallur fajtor viktimen e per te nxjerre viktime fajtorin vetem pse eshte mik i Edi Rames, eshte skandaloz, eshte revoltues, eshte poshterues. Partia Demokratike ben thirrje per hetim te plote te rrethanave dhe pergjegjesi te plote para ligjit per deputetin. Partia Demokratike paralajmeron kedo person qe po favorizon mikun e Rames ne kurriz te viktimes, se cdokush qe shkel ligjin do te mbaje pergjegjesi”, perfundon PD ne deklaraten e saj.
Reagojnë familjarët
Ngjarjen që ka ndodhur me njeriun e tyre të afërt dhe me personin që shkaktoi aksidentin fatal të tij, vëllai e babai i Sait Sorrës e kanë mësuar vetëm nga mediat.
Ata thonë se deri pasi kanë tërhequr trupin nga morgu, askush nuk i ka kontaktuar për të marrë edhe versionin e tyre për ngjarjen. Pasi dëshmitarë të aksidentit kanë qenë edhe të afërmit e 54-vjeçarit.
“Po presim çfarë do të vendosë Policia e Prokuroria. Pastaj do të flasim. Por është pa logjikë që të lihet i lirë një njeri që i mori jetën një tjetri. Ai vrau një njeri, nuk ishte kafshë vëllai im. Pse është deputet, dënimin duhet ta marrë si gjithë njerëzit e tjerë”, shprehet vëllai i viktimës.
Nga ana tjetër, djali i tregtarit tregon se ende nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur dhe lirimi i shkaktarit të aksidentit i duket e pabesueshme, raporton pan.
Flet deputeti Aqif Rakipi për ngjarjen
“E them me sinqeritetin më të madh që jam tej mase i hidhëruar për atë që ndodhi.E kam thënë dhe e ripërsëris që ndjej keqardhje dhe dhimbje për jetën e viktimës. Nuk kam qenë duke ecur shumë shpejt dhe dua të bëj me dije se makina ime është dëmtuar pasi personi u përplas mbi automjet ndërsa po bëja përpjekje për të manovruar kur dallova hijen e personit. Fatkeqësisht nuk kam mundur ta evitoj aksidentimin e tij megjithë përpjekjen e bërë.
Viktima ka kaluar në fraksion sekondi dhe nuk kam asgjë për të sqaruar sepse nuk kam bërë asnjë përpjekje të përdor pozicionin tim si deputet për të fshehur të vërtetën e këtij aksidenti që u pa edhe nga të paktën dy a më shumë persona që kaluan rrugën duke mos pyetur për rrezikun që sjell kalimi i saj prej tyre në atë mënyrë aq të pakujdesshme.Policia dhe prokuroria kanë aty provat filmike dhe të gjitha provat e tjera . Nuk jam tip që i fshihem të vërtetës. Në këtë rast ajo është kështu si po e them dhe sikurse e kam deklaruar e nënshkruar para organeve kompetente.Ndërsa gjithçka tjetër është spekullim keqdashësh ndaj emrit dhe figurës time publike,” u shpreh Rakipi.
Ai gjithashtu kërkoi seriozitet në maksimum për zbardhjen e së vërtetës dhe që ngjarja të hetohet deri më detaj.
“Garantoj gjithkënd në këtë proces kam kërkuar seriozitet max për zbardhjen e të vërtetës .Kërkoj të investigohet deri në detajet më të imtësishme për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Atë mëngjes po kthehesha pasi kisha qëndruar deri në agim në Durrës, pranë nënës së një njeriut tim që po lëngon nga një sëmundje e rëndë .E bëj publik edhe këtë detaj të panevojshëm pasi po spekullohet edhe se ku isha , ku shkoja e se çfarë mund të kisha për të fshehur pas ngjarjes. Në atë moment gjykova se shkuarja menjëherë në polici ishte zgjidhja më e mirë. Nuk i kam telefonuar askujt. I jam nënshtruar testit të alkolit para kamerave dhe jam trajtuar nga ekspertët sikurse çdo kush tjetër i përfshirë në aksident. Shpreh keqardhje për jetën e humbur dhe nuk ia uroj askujt t’i ndodhë një aksident i tillë. Gjithkush êshtë i bindur që në këtë jetë ka plot gjëra që nuk varen prej vullnetit tonë. Lidhur me akuzat e PD deputeti Aqif Rakipi theksin se ai nuk shqetësohet për akuzat e ulëta politike, aq më tepër kur bëhet fjalë për një jetë të humbur që dikush kujtohet të bëjë politikë edhe në fatkeqësi. Nuk dua fare t’i komentoj tani këto, jam i hidhëruar për atë që ndodhi,” përfundoi Rakipi