Dështojnë negociatat. Rama: S’ka ofertë të re për Bashën. Në zgjedhje pa PD
Pas më shumë se 90 miutash ka përfunduar takimi mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Presidencës. Kryeministri Rama ka dalë i pari nga takimit me Bashën.
Në një prononcim për mediat, Rama tha se jemi në të njëjtën situatë si një ditë më parë. Ai tha se oferta është për 3 zëvendësministra dhe një zv/kryeministër i propozuar nga PD, por jo anëtar i PD-së.
I pyetur nëse PD-ja dhe Basha e kanë pranuar ofertën e re të Edi Ramës, Kryeminsitri tha se “nga ato që kuptova unë përgjigja është jo”.
Kryeministri u shpreh se i ka ofruar Bashës ato lehtësira për monitorimin e zgjedhjeve, të cilat gjatë kohës që ai ishte në opozitë nuk i ka ëndërruar.
Kryeministri u shpreh se data e zgjedhjeve nuk ndryshon. “Përsa u përket zgjedhjeve qëndrimi është se data e zgjedhjeve është 18 qershor. Jemi në limitet e kohës, ky qëndrim nuk ndryshon”,- tha Rama.
Kryeministri la të hapur mundësinë për negociata, por tha se ofertë të re nga PS-ja nuk do të ketë. “Unë do ta takoj sërish dhe gjithmonë Bashën, por zgjedhjet janë në 18 qershor dhe ne vazhdojmë punën për të fituar zgjedhjet. Nuk dua të komentoj pasfolësin tim (Basha). Nëse do të kishte marrëveshje besoj se do të kishim dalë të dy bashkë. Por më shumë se kaq ne (PS) nuk mund të japim. Ne në çdo rast do të flasim për ofertën tonë, për të tjerat z. Basha mund të vazhdojë t’i thotë në çadër”,- tha Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Luzlim Basha e nisën takimin në orën 19:15. Ndryshe nga takimet e tjerë këtë herë Rama dhe Basha nuk kanë pasur përfaqësues të grupeve parlamentare, por po zhvillojnë takim “kokë më kokë”.
Prenoncimi i Edi Ramës për gazetarët:
Edi Rama: Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që i kam bërë PD është ajo e ditura, për të ndërtuar mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve që PD të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë, me një zv/Kryeministër që të propozohet nga PD por jo nga radhët e PD. Dhe së bashku me 3 përfaqësues, të SHBA, BE dhe OSBE të drejtojë një Task Forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
Tre zv/ministrat të propozuar nga PD që të vendosën tek Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit.
Këtë gjë kur kam qenë në krye të opozitës si kryetar i PS as nuk kam pasur kurajën ta pres në ëndrrën time më të bukur, por është diçka që duhet. Kjo e gjitha shoqërohet me një rregullore që monitorohet nga zv/Kryeministri në fjalë, qoftë për financim, nafta, karburanti të gjitha mjetet shtetërore, deri te kufizimi i aktiviteteve financiare në funksion të fushatës.
Kjo është oferta jonë. Sa i përket datës së zgjedhjeve, është 18 qershori. Ky është pozicioni ynë. Kohë shumë nuk ka. Jemi në limitet e kohës.
Një ofertë nuk e kemi dhe nuk do ta kemi, sepse nuk shohim hapësirë për më shumë.
Pyetje: E ka pranuar kryetari i opozitës:
Kryeministri Edi Rama: Këtë do ta thotë kryetari i PD. Por, në kuptimin tim të bisedës, përgjigjia është jo. Dëshira ime e madhe është që fitorja të jetë e thellë me PD-në brenda në zgjedhje. Nuk është korrekte që pas një bisede të drejtëpërdrejtë dhe korrekte pa banalitete, nuk është e drejtë që unë të komentoj kryetarin e Partisë Demokratike. Ai do vijë këtu vet.
Pyetje: Nga kush u kërkua takimi i sotëm?
Kryeministri Rama: Nuk ka pikë rëndësie kjo. Unë e kam kërkuar këtë takim prej dy muajsh. Jemi ulur më në fund. Më mirë vonë se kurrë.
Dështimi i negociatave u konfirmua edhe nga lideri i opozitës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi pas takimit me Edi Ramën se takimi i sotëm nuk ishte i dobishëm. Basha tha për gazetarët se Edi Rama erdhi në negociata pa asnjë ofertë të re. Kreu i PD-së shtoi se oferta e Ramës për zv/ministra është vetëm dhëna e një roli vëzhguesi Partisë Demokratike.
Basha ka shpjeguar edhe arsyet se përse e refuzoi paketën e negociatorit David Mekallister. “Propozimet e ofruara nuk ofronin zgjidhje politike. 4 ministra teknikë të propozuara nga Kryeministri me pëlqimin e opozitës, në kushtet kur Kryeministri ka akaparuar parti të tëra nuk jepnin garanci. Zgjidhja politike vjen si pasojë e vullnetit politik”,- tha Luzlim Basha.
Basha tha se vullneti i PD dhe i tij person nuk mungon për zgjidhjen e krizës, por ky vullnet sipas tij, vihet në dyshim nga pala tjetër. Më tej, ai zbuloi dhe dy rrugët që do të çonin drejt një zgjidhjeje të kësaj krize. “Vullneti politik i PD dhe i imi nuk ka munguar në asnjë cast. Vullneti i palës tjetër vihet në dyshim. Ata nuk pranojnë problemet kryesore, që sollën Shqipërinë në këtë krizë. E vetmja rrugë përpara është realizimi nga pala kundërshtare me një sens realiteti i faktorëve kryesorë të kësaj krize, drogës, krimit, ekonomisë me ngërç total dhe në proces shkatërrimi total, arsimit. Të gjitha këto janë produkt i një shteti të kapur nga krimi dhe droga, që cënojnë dhe zgjedhjet. Zgjidhja vetëm përmes dy rrugëve: nëse pala tjetër pranon përgjegjësit dhe ndal fshehjen pas gishtit, duke dalë e bashkuar kundër krimit dhe drogës”, tha Basha.