Dhe për budallenjë të na marrin, kjo mbetet e tepërt, popull i dashur!

Që pazari është bërë mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, kjo nuk ha më debat. Por që të arrijnë, të dy, të tallin edhe trapin me popullin, kjo është shumë e tepërt. Që nuk ka opozitë prej datës 17 maj edhe kjo kuptohet. Që nuk paraqesin programe elektorale e ekonomike asnjëra prej partive të pazarit, edhe kjo po shikohet. Që gjithçka e kanë në kordinim, Basha e Rama, nuk ka më dyshime, por që të na bëjnë budallenjë si popull, sinqerisht mbetet e dhunshme.

Kujt do t’ia merrte mendja se Edi Rama do bënte fushatë me dy gishtat lart, deri një muaj më parë? Apo që të mos sulmojë PD-në, por LSI, prapë del pazari mes Bashës dhe Ramës. Deri para datës së pazarit sa nuk vriteshin duke akuzuar njëri tjetrin si shkatërrues të demokracisë dhe kapo të drogës.  Si u bë baron i drogës Edi Rama në njeri i mirë?! Si u konvertua Lulzim Basha nga “kryetar formal në SHQUP” në lider bashkëpunues?!

Në çdo vend demokratik përherë opozita synon të vijë në pushtet. Në Shqipëri opozita është në qeveri me pushtetin dhe nuk lufton të mposht pushtetin, pasi ka ndarë pazarin se do jetë në pushtet me atë që ka akuzuar si baron të drogës. Edi Rama po sulmon LSI dhe mbron PD. Natyrisht që LSI ka plot gabime. Por deri dje ishte “aleatja strategjike”, kurse sot dashuria ka kaluar me Bashën. Raportet personale janë e drejtë e sejcilit, por kur përfaqësojnë formacione politike të cilat ndikojnë apo vendosin në fatet e vendit, nuk kanë të drejtë të veprojnë sikur ta kenë kopsht privat partinë.

Tashmë Basha dhe Rama kanë udhëzuar shtabet e tyre të punës se armiku i përbashkët i tyre është LSI dhe Ilir Meta. Janë të shumta rastet kur kryetari i PS dhe ai i PD takojnë dhe bisedojnë me drejtuesit e palës tjetër dhe kthejnë shpinën kur rastësisht del ndonjë nga LSI. Së fundmi Lulzim Basha është fotografuar në Mat me kreun e PS së rrethit, Hasan Pasha, dhe e ka përqafuar si të takonte një mik të vjetër.

Kjo është fushata më e çuditshme në këto 27 vjet. Rama dhe Basha këmbëngulin të shpërndajnë kudo mesazhin se demokratët dhe socialistët nuk janë më kundërshtarë. Pas përqafimit të Bashës, Hasan Pasha ka ngritur dy gishtat lart. Mesazhi ka shkuar edhe në bazën e PS dhe PD se tashmë nuk jemi më kundërshtarë.

Në foto: Djathtas Lulzim Bashës, kryetari i PS së Matit Hasan Pasha.

Alban Mati

SHKARKO APP