Dhjetëra mijëra protestues rrethojnë Parlamentin: Rama ik! Qeveri tranzitore

Mijëra protestues janë mbledhur sot para godinës së Kuvendit për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Protesta vjen pas vendimit të deputetëve të partive opozitare për të djegur mandatet e deputetit.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një prononcim për mediat u shpreh se qytetarët kërkojnë një zgjidhje politike. “Ne përmes bashkimit me qytetarët do të bëjmë të mundur që këto dy ngjarje të rëndësishme sot, mbyllja e parlamentit dhe rrethimi me tela me gjemba ushtarakë dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e një dite por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe ti hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një parlamenti nga populli, për popullin dhe të popullit”,- tha Lulzim Basha.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për të mbrojtur godinën e Kuvendit nga protestuesit e opozitës së bashkuar. Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, policia tha se protestuesit do të tentojnë të mësyjnë në sallën e Parlamentit, ku pritej të zhvillohej seanca e përjavshme. Për shkak të dhunës që pritet të ndodhë në protestën e sotme, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi anuloi seancën. Pavarësisht policia mbrëmjen e djeshme ka përgatitur planin e masave, duke rrethuar me tel me gjemba godinën. Paraditen e sotme forca të shumta policie kanë bërë kordon rreth Parlamentit.
Megjithatë protestuesit nuk kanë bërë asnjë akt dhune ndaj institucioneve, apo forcave të rendit.

https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1995040290605152/

Deputetët dorëzojnë me radhë mandatet

Mijëra qytetarë janë mbledhur para tek Parlamenti duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama në këtë protestë të thirrur nga opozita e bashkuar. Protestuesve së fundmi iu janë bashkuar liderët e opozitës, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi.

Deputetët po flasin njëri pas tjetrit duke dorëzuar mandatet e tyre publikisht.

Ervin Salianji: Më datë 16 dëgjuam zërin e qytetarëve. Sot mandati im, mandati i Ervin Salianjit iu takon juve, fitore!

Nora Malaj: Miqtë e mi! Mandati im është për të gjithë vajzat dhe gratë që e duan Shqipërinë  pa traumë. Që i duan fëmijët e tyre të jetojnë të lirë. Që ky Parlament të jetë Parlamenti i shqiptarëve.

Luan Baçi: Mandati im është i juaji. Të gjithë bashkë “Rama ik!”.

Gent Strazimiri: Përshëndetje njerëz të lirë. Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë si ministër i brendshëm i diktaturës. Sot pas 28 vitesh kryetari i parlamentit rrethon me tela me gjemba parlamentin sepse ka frikë nga populli.

Kejdi Mehmetaj: Mandati i deputetes nuk është i imi, mandati është i juaji, është i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpine tonë!

Agron Çela: Fitore gjithë shqiptarëve. Ne shkodranet nuk njohim komunizmin. Njohim liri dhe demokraci.

Floida Kerpaci:  Unë jam Floida Kërpaçi dhe mandati im shkon për të rinjtë dhe për të rejat. Edi Rama, ke guxuar dhe i ke dhunuar të rinjtë. Ke instaluar sistemin e antivlerave por sot do të vijë fundi yt nga të rinjtë dhe nga të rejat që do të të tërheqin zvarrë. Për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për të rejat, largohu ti se të rinjtë meritojnë të jetojnë dhe të punojnë në vendin tonë dhe në Shqipërinë tonë.

Bylykbashi: “Unë jam Oerd Bylykbashi, deputet i popullit dhe sot mandatim tim e kthej tek ju.  Ajo ndërtesë që shihni atje është ajo që në 2013-ën, Edi Rama e mbushi me kriminelë. Rama po ju vjedh ju dhe pronat publike, po ju vjedh përditë të ardhmen tuaj. Çdo ditë e më shumë që qëndron në atë ndërtesë, aq më shumë vite ikin. Sot ne kthejmë mandatet tek ju që Rama të shporret nga ajo ndërtesë.  28 vite demokraci dhe sot ne përsëri duhet të luftojmë!”

Luan Rama: Sot është koha e shqiptarëve, dita e lirisë 

Nga protesta para parlamentit deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka thënë se sot është koha e popullit shqiptarë, është dita e lirisë në luftë kundër atyre që nuk duan Shqipërinë, që nuk duan të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe që nuk duan të ardhmen evropiane të familjeve dhe fëmijëve.

Fjala e deputetit Luan Rama:

Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë! Një popull mund ta gënjesh për një farë kohe. Një popull ta izolosh për njëfarë kohe. Një populli edhe mund t’ia vjedhësh votën me kriminelët për njëfarë kohë. Por një popull nuk mund ta gënjesh, nuk mund ta nënshtrosh, nuk mund ta gënjesh dhe nuk mund ta vjedhësh gjithë kohën.
Sot është koha e popullit. Sot është dita e lirisë. Prandaj të gjithë së bashku, në luftë kundër së keqes, në luftë kundër krimit, në luftë kundër atyre që nuk duan Shqipërinë, që nuk duan të ardhmen evropiane të Shqipërisë, që nuk duan të ardhmen evropiane të familjeve dhe fëmijëve tanë. Rroftë Shqipëria, poshtë krimi, poshtë e keqja e personalizuar tek Edi Rama.

Dash Shehi: Ne nuk jemi mrekullia, por Rama është e keqja më e madhe

Teksa deputetët e opozitës së bashkuar po flasin me radhë para protestuesve duke deklaruar dorëzimin e mandatit të deputetit, një prej tyre ka qenë edhe kreu i LZHK, Dash Shehi, i cili është pritur me ovacione dhe brohoritje teksa hipi në podiumin e improvizuar

Sipas tij Rama është e keqja më e madhe që na ka ranë këto 30 vjet në Shqipëri. “Ky zotëria që duam të përzemë është e keqja më e madhe që na ka ra këto 30 vjet. As ne nuk jemi mrekullia, shkëlqimi, pa huqe por si ky nuk i kishte ra Shqipërisë prandaj duhet ta përzejmë. Ky që bredh poshtë e përpjetë Shqipërisë duke hudh helmin kundër shqiptarëve, ky që pretendon të bashkojë Shqipërinë me Kosovën do të ndajë dhe Shqipërinë nëse e lëmë, por nuk kemi për ta lënë kjo rrugë është e gjatë dhe e vështirë, por nuk a kthim mbara dhe nuk kemi rrugë tjetër, – tha ai. – Ky do ta ndajë dhe Shqipërinë nëse e lemë, por nuk do ta lëmë, se s’kemi rrugë tjetër. Kjo që po bëjmë bëhet për të mirën e Shqipërisë. Nuk na kanë lënë shteg, do vijë dita që do i kthehemi sallës, por do ti kthehemi si burra”, u shpreh Dash Shehi. 

SHKARKO APP