Dhjetëra agjentë të SHISH dhe të policisë kriminale survejojnë lëvizjet e muxhahedinëve në Durrës
Situata për afro 3500 muxhahedinë iranianë në Manzë të Durrësit nuk duket aspak optimiste. SHBA i lëshoi dhe nuk jep më donacion për ti mbajtur. Ndërkohë qeveria shqiptare ka një marrëveshje me qeverinë e SHBA për ti strehuar në Shqipëri.
Marrëveshja mes SHBA dhe Shqipërisë për pranimin e muxhahedinëve u nënshkrua në vitin 2012 kur qeveria amerikane e hoqi organizatën e muxhahedinëve nga lista e organizatave terroriste. Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që muxhahedinët u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftës kundër terrorizmit. Strehimi i tyre në Shqipëri filloi në vitin 2013 dhe u konsiderua nga autoritetet si „një shërbim ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, angazhim i Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.”
Nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur, por duket hapur se nuk kanë më besimin dhe përkrahjen amerikane, ndaj edhe futja e policisë në mjediset e kampit të tyre të ruajtur me siguri të lartë, duket se ka patur një leje të pashkruar amerikane.
Zëdhënësi i DASH-it thekson që “SHBA-ja nuk e cilëson organizatën e muxhahedinëve, MEK, lëvizje opozitare të qëndrueshme dhe demokratike që përfaqëson popullin iranian”.
Pra muxhahedinët në Shqipëri nuk do të kenë më përkrahje nga qeveria shqiptare. Ndaj dhjetra agjentë të SHISH dhe policisë kriminale mbikqyrin çdo lëvizje të tyre, pasi i druhen ndonjë hakmarrje të tyre ndaj popullsisë shqiptare në Durrës dhe sidomos në Tiranë. Edhe Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kana’ani, citohet nga mediat e Tiranës të ketë deklaruar që “muxhahedinët do të jenë gjithmonë një kërcënim për sigurinë e Shqipërisë pasi janë terroristë”. Ai citohet gjithashtu t’u ketë bërë thirrje autoriteteve të Tiranës “ta marrin në konsideratë këtë kërcënim”.
Ndërkohë Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)-PARIS ka nxjerrë një deklaratë të fortë kundër qeverisë shqiptare e cila po i strehon në shtëpinë e saj.
Ja se çfarë thotë deklarata e tyre: “Me urdhër të fashizmit fetar që sundon Iranin, mëngjesin e sotëm, rreth 1000 policë shqiptarë sulmuan Ashrafin në një sulm kriminal dhe shtypës. Ata thyen shumë dyer, dollapë dhe pajisje, dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe sprej piper. Shumë kompjuterë u prishën ose u morën.
Si rezultat i këtij sulmi kriminal, një anëtar i Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 njerëz u plagosën për shkak të gjuajtjes së policisë me sprej piper. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Veprimet e policisë shqiptare kujtojnë sulmet kriminale të forcave të Nouri al-Maliki në kampin Ashraf në Irak midis viteve 2009 dhe 2015”.
Ndaj autoritetet shqiptare janë në alarm dhe në gadishmeri nga ndonjë hakmarrje e segmentëve brenda muxhahedinëve në Shqipëri.