Diplomatët shqiptarë: Qeveria “Rama” të reagojë si përfaqësuese e OSBE për sulmet e Serbisë kundër Malit të Zi

Miratimi nga parlamenti i Malit të Zi i ligjit për të drejtat fetare ka shkaktuar tensione të nacionalistëve serbë në Mal të Zi. Ligji shkëput varësinë e kishës ortodokse malazeze nga kisha serbe ky projekt është i papranueshëm për një pjesë të politikës nacionaliste serbe. Dy ditë më parë në Beograd u sulmua dhunshëm ambasada e Malit të Zi, në shenjë protestë kundër këtij ligji. Turma e mbledhur pranë ambasadës në Beograd, anëtarë të grupit të tifozëve “Delije” sulmoi selinë diplomatike dhe u përpoq të djegë flamurin malazez mbi ambasadë. Akti i paprecedentë ka sjellë reagime në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.  Qeveria malazeze deklaroi se sulmi ndaj misionit diplomatik në Beograd është sulm ndaj pavarësisë së këtij shteti të vogël të Ballkanit.

Për situatën e krijuar në Mal të Zi ka reaguar dhe Tirana zyrtare. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi dje aktin të paprecedentë.  Ndërsa sot Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, një forum që përbëhet nga ish-ministra të jashtëm, diplomatë karrierë dhe njerëz të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rajonale, i kanë cilësuar sulmet si rikthim të urrejtjes nacionaliste në Ballkan.

Sulmet që kanë ndodhur ditët e fundit ndaj Ambasadës së Malit të Zi në Beograd nuk janë vetëm një akt vandalizmi, por edhe shprehje e një urrejtjeje të verbër nga qarqe nacionaliste e radikale serbe ndaj legjitimitetit dhe të drejtës për vendimmarrje të parlamentit të Malit të Zi. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon dhunën mbi selinë diplomatike të Malit të Zi, një institucion i paprekshëm dhe i garantuar nga konventat ndërkombëtare, si dhe shpreh shqetësim për frymën e konfliktit dhe të tensionit që sjellin veprime të tilla. Rajoni ka nevojë për mirëkuptim e komunikim miqësor për të çuar më përpara aspiratat e popujve ballkanikë në rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian”,- thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve.

Ambasadorët kërkojnë që Tirana zyrtare të jetë më aktive në zgjidhjen e këtyre tensioneve, si një vend fqinj me Malin e Zi, por dhe si përfaqësuese e Presidencës së OSBE. “Fqinjësia e mirë dhe respektimi i të drejtave themelore të pavarësisë së vetvendosjes, duhen të karakterizojnë raportet midis vendeve të rajonit tonë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon Qeverinë e Shqipërisë, e cila sapo ka marrë kryesimin e OSBE-së, të luajë një rol të fuqishëm në uljen e tensionit që është ndezur në Beograd dhe të jetë aktiv përmes veprimeve e komunikimeve diplomatike në tejkalimin e situatës së krijuar. Është momenti që diplomacia shqiptare duhet të lëvizë intensivisht dhe të shprehet hapur në mbrojtje të legjitimitetit e vendimmarrjes sovrane të parlamentit Malazez lidhur me të drejtat e liritë fetare, si një nga ato drejtime që OSBE e ka pjesë të mandatit të saj. Shpërdorimi i fesë për agjenda nacionaliste dhe politika hegjemoniste ndaj popujve fqinje na kthen në kohën e Milosheviçit”,- thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve.

SHKARKO APP