Diplomati Amerikan, nis takimet në Tiranë për zgjidhjen e krizës politike
Mundësia e fundit për zgjidhjen e krizës politike përmes ndërhyrjes së ndërkombëtarëve do të jetë sot me vizitën e Zëvendës/ Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Hoyt Brian Yee.
Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee e ka nisur ditën me takime me drejtuesit politikë shqiptarë. Rreth orës 10:30 diplomati amerikan është takuar me Kryeministrin Edi Rama. Takimi me Kryeministrin Edi Rama ka zgjatur për rreth 80 minuta. Ende nuk ka detaje se çfarë është diskutuar konkretisht në takim.
Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend. Mëngjesin e sotëm, Rama ka biseduar për rreth me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, në selinë e PS-së. Takimi kishte në fokut zgjedhjet, siç u deklaruar nga njeri prej vëzhguesve të këtij misioni.
Zyrtari amerikan 50 minuta takim me Metën në Kryesinë e Kuvendit
Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, në kuadër të turit të tij Ballkanik, zhvilloi një takim 50 minuta në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Zyrtari amerikan po bën përpjekjet e fundit për të arritur një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet parlamentare. Më herët, Hoyt Yee është takuar për 90 minuta me kryeministrin Rama, e më pas do të takohet edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Mbetet e paqartë nëse zv.ndihmësekretari amerikan i Shtetit ka pasur një ofertë konkrete për liderët politikë.
“Partitë që përjashtojnë veten nga zgjedhjet, vetëdëmtohen”
Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee është takuar edhe me gazetarët. Në takimin me ta, zyrtari i lartë amerikan është shprehur se është e rëndësishme që zgjedhte të bëhen. Ai tha se nëse disa parti e përjashtojnë veten na zgjedhjet, atëherë vetëdëmtohen. Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit amerikan gjithashtu tha se është e drejtë e çdo partie të mos marrë pjesë në zgjedhje, por nga ana tjetër bojkoti dëmton imazhin e vendit.
“Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të bëhen. Zgjedhjet janë më të mira kur ka përfaqësim të gjerë. Nëse disa parti përjashtojnë veten, vetëdëmtohen. Megjithatë është e drejtë e çdo partie mos pjesëmarrja në zgjedhje. Bojkoti dëmton imazhin e vendit dhe investimet. Nëse zgjedhjet certifikohen si të rregullta nga OSBE do të njihen edhe nga SHBA. Dhuna nuk ka vend në vende demokratike zgjidhja duhet të vije nga liderët politikë”, tha Brian Yee.
AXHENDA E TAKIMEVE TE DIPLOMATIT TE SHBA
Në orën 10:30 takim me Kryeministrin, Edi Rama
Në orën 11:30 takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta
Në orën 14:45 takim me kreun e PD, Lulzim Basha
Në orën 17:00 takim me deputetët e PD, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregun.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=DTmf3DDgenk&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
Yee takon “rebelët” e Bashës
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee ka parashikuar në axhendën e tij një takim pasdite me 4 prej deputetëve demokratë, të cilët në këto 4 vjet, si dhe tani pas bojkotit, nuk janë dakortësuar me linjën e Bashës për mospjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje.
Majlinda Bregu, Eduard Selami, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi janë 4 deputetët e kontaktuar nga ambasada për një takim me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, një njohës shumë i mirë i politikës ballkanike. Megjithatë, takimi nuk do të ndodhë në formatin e kërkuar nga ambasada dhe pritet të ketë mungesa. 2 prej të ftuarve, Eduard Selami dhe Astrit Patozi, nuk do të jenë në takim.
E konfirmuar është që Eduard Selami ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ish-nënkryetari demokrat Patozi nuk ka mohuar zërat për mospjesëmarrjen në takimin me zyrtarin e Departamentit të Shtetit. Top Channel konfirmoi takimin me Jozefina Topallin dhe Majlinda Bregun. Por, sërish me një format të ndryshuar. Dy deputetet demokratë nuk do të jenë së bashku, siç ishte parashikuar në fillim, por në takime veç e veç me zyrtarin e Departamentit të Shtetit, një tregues ky se Topalli dhe Bregu nuk kanë të njëjtën axhendë politike, edhe pse të dyja kundërshtojnë vendimin për mospjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje.
Ish-nënkryetarja demokrate nuk ka folur akoma publikisht, ndërsa ish-ministrja e Integrimit në mënyrë të vazhdueshme po bën përgjegjës Lulzim Bashën për atë që e quan izolim ndërkombëtar të Partisë Demokratike për shkak të vendimit për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Apeli para vizitës
Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendës/ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.
Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve. Vizitën e Hoyt Yee në Tiranë e komentoi edhe kreu i LSI, Petrit Vasili, i cili tha se ky është një shans për kompromisin që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një shans për qetësinë që duam e aspirojmë të gjithë.