Protesta e emigrantëve para Kryeministrisë: Shqiptarë çohuni! (FOTO)
Mijëra emigrantë në orën 12:00 të ditës së sotme kanë nisur ditën e dytë të protestës para godinës së Kryeministrisë. Në protestë shqiptarëve të diasporës u janë bashkuar sot edhe studentë, banorë të “Astir” dhe banorë të Bregut të Lumit, të cilët kanë më shumë se një muaj që protestojnë kundër qeverisë.
Në tubim kanë folur përfaqësues të emigrantëve të cilët kanë kërkuar nga qeveria që të mos abuzojë me më të drejtat e tyre. Ndryshe nga një ditë më parë, kërkesat dhe deklaratat e përfaqësuesve të diasporës kanë qenë politike. Ata u shprehën se “kryeministri Rama ka mbaruar”, ndërsa bënë thirrje që të shporret një orë e më parë kjo klasë politike dhe sistemi zgjedhor, që po mban peng të gjithë shqiptarët. “Ky kryeministër ka mbaruar, ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve të ngrihen e t’i shporrin, te vënë një standard mos i lini më shumë nëse nuk mbajnë premtimet”, tha njëri prej protestuesve.
Në protestë marrin pjesë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të njohur në kauza të ndryshme ndaj qeverisë. Një protestuese tjetër shprehu indinjatën dhe kërkoi që të zgjohet një orë e më parë ndërgjegjja shoqërore. “Kur na kanë dhënë mundësinë e ndërgjegjes shoqërore, vetëm në zgjedhje? Është një sistem i tërë që na jep një Kushtetutë, por jo të drejta. Është një sistem i cili nuk ka çfarë të na ofrojë më shumë. Vetën duke larguar këto gjëra, mund të kemi një të ardhme. Ne i kemi parë të gjitha, s’kemi çfarë të shohim më. Këta duhet të ikin”, shtoi një tjetër.
Ndërsa aktori Neritan Licaj, një nga më të zëshmit në mbrojtje të Teatrit Kombëtar u shpreh se pjesëmarrja e madhe sot në shesh është mënyra më e mirë për të trembur qeverisjen dhe kryeministrin Edi Rama. “”Shqiptarë mos kini frikë të thoni fjalën e tyre në emër të PD-së. Çohuni shqiptarë mos rrini kafeneve as në facebook sepse prezenca i kall krupën diktatorëve më të egër jo më këtij diktatoruci” tha me mikrofon aktori i njohur Neritan Lici.
Protesta e diasporës do të vijojë dhe ditën e nesërme. Ndërkohë që studentët që i janë bashkuar protestës deklaruan se në fillim të janarit do të nisin dhe tubimet masive ndaj qeverisë. Studentët deklarojnë se qeveria nuk ka plotësuar ende kërkesat e tyre dhe e vetmja mënyrë është reagimi popullor.
Video nga protesta para Kryeministrisë
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/369446196954011/