Dje ishte e “premtja e zezë” në Shqipëri, 11 viktima!
Dje ishte e “premtja e zezë” për Shqipërinë.
E premtja e 21 Korrikut ka qenë me një bilanc tragjik për Shqipërinë. Brenda një dite 11 qytetarë kanë humbur jetën. Mes tyre kishte edhe minorenë, siç ndodhi në tragjedinë e liqenit të Banjës ku humbi jetën babai me dy djemtë dhe nipin.
Janë viktima që erdhën nga aksidentet rrugore, por edhe pushues apo të rinjë që u futën për të larguar vapën e madhe dhe nuk dolën më nga uji.
E para që humbi jetën dhe u raportua nga policia ishte një 70-vjeçare në Durrës. Ajo ndërroi jetë pasi ra në kontakt me korrentin.
Sërish rreth orëve të drekës, uniformat blu njoftuan një tjetër tragjedi. Një bojaxhi ra nga lartësia teksa punonte. Si pasojë e dëmtimeve ai humbi jetën në spital. Ngjarja ndodhi në Elbasan.
Rreth orës 20:00, policia njoftoi për dy viktima të tjerë. Fillimisht një 68-vjeçar ndërroi jetë në Porto Romano të Durrësit. Ai po pushonte dhe gjendja e tij u përkeqësua sapo u fut në ujë.
Nuk kaloi shumë dhe një tjetër pushues u raportua i vdekur. Bëhet fjalë për një 52-vjeçar i cili ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiak në Tale të Lezhës shkruan tvklan.
Pasdite në Himarë u regjistrua një aksident i rëndë. 40-vjeçari Renato Bushi ka humbur jetën pasi makina të cilën ai drejtonte doli nga rruga.
Orët e vona të darkës do të pasonin me të tjera viktima. Një 58-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga makina në rrugën Elbasan-Peqin. Viktima në momentin e ngjarjes ishte duke lëvizur me një karrocë kali.
Pas këtij aksidenti, policia do të raportonte për ngjarjen më të rëndë. 4 persona u nxorrën të pajetë nga liqeni i Banjës në Gramsh. Bëhet fjalë për Arben Zogun, rreth 46 vjeç, dy djemtë e tij, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, si dhe kushëriri e tyre Melis Zogu, 20 vjeç. Ata u futën për t’u larë në liqen, por nuk mundën të dilnin dot. Buzë liqenit u gjetën dy motoçikleta, tre celularë dhe rrobat e trupit që u përkisnin viktimave.
Por sërish tragjeditë do të vijonin. Kësaj here në Tiranë. Pak para se të mbyllej e premtja, uniformat blu njoftuan për një aksident në fshatin Fortuzaj. Një person, ende i paidentifikuar, humbi jetën pasi Range Rover-i ku udhëtonte ra në humnerë.
As në luftë nuk humbin jetën kaq shumë persona në një ditë.