Djegia e mandateve, Berisha-Topalli: OK

Seanca e djeshme ka degraduar në përdorimin e vezëve kundër Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Opozita nuk ka bojkotuar, por ka tentuar të bllokojë punimet normale të parlamentit. Pavarësisht se Garda mori masa duke kontrolluar gjithë deputetët e opozitës përëri në seancë nuk munguan vezët dhe sende të tjera rrethanore. Tensioni i djeshëm në Kuvend nuk do të jetë i fundit. Opozita kërkon miratimin e ligjeve për dekriminalizimin dhe largimin e deputetëve me precedentë penalë nga Kuvendi. Rasti i Armando Prengës, deputetit që është në proces gjyqësor për plagosjet e ndodhura në Laç, dhe që dje pavarësisht vetëpërjashtimit mori pjesë në votimin e ministrave, është pika e sulmit e selisë blu. Por vezët dhe sendet e tjera të hedhura në Kuvend janë vetëm një pjesë e skenarit të opozitës. Dy deklarata të bëra dje nga njerëzit që kanë jo pak peshë në PD, ish-kryetari Sali Berisha dhe ish-nënkryetarja, Jozefina Topalli kanë zbuluar një strategji që mund të sjellë kolaps politik në vend. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se po shqyrtonte mundësinë e lënies së mandatit të deputetit. “Këtu është bërë e padurueshme, nuk ka ndodhur kurrë që të vidhet haptazi ditën për drekë. Ndaj dhe unë do të konsideroj shumë seriozisht qëndrimin tim në këtë strofull krimi”,- tha Berisha.  Pak orë pas deklaratës së Berishës është Jozefina Topalli e cila mbajti të njëjtin qëndrim. “Do lëshojmë mandatin, pasi është e pamundur të rrimë në Kuvend me krimin. Ndonjë herë mendoj se është më mirë të hedhësh mandatin sesa të qëndrosh në këtë Kuvend”,- u shpreh Topalli.

Për mazhorancën largimi me dëshirë i Berishës nga Parlamenti është lajmi më i mirë që mund të dëgjojnë. Bile nuk munguan deputetë të PS-së që u bënë me krah se po ikën nga salla e Kuvendit Sali Berisha. Problemi është se nëse Berisha largohet me gjithë deputetët e djathtë, një Parlament vetëm më mazhorancën nuk ka më kuptim që të vazhdojë funksionimin normal. Ndaj dhe ideja e Berishës automatikisht do të thtoë zgjedhje e parakohshme. E ka bërë llogarinë saktësisht ish-kryeministri demokrat. Nuk ka më qetësi në vend, as ndërkombëtarët nuk mund të pranojnë një parlament pa opozitë, e cila ka dorëzuar mandatet publikisht dhe me akuzë publike si “parlamenti i krimit”.

Propozimi i bërë dje nga Berisha dhe mbështetur nga Topalli, pavarësisht se ishte personal, duket se është një strategji që po diskutohet në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në Partinë Demokratike kanë nisur ta konsiderojnë seriozisht këtë opsion si kërcënim ndaj mazhorancës. Por një zhvillim i tillë i ngjarjeve nuk bllokon vetëm funksionin e Kuvendit, por rrezikon të çojë në dështim edhe të reformës në drejtësi që pritet të miratohet në muajin mars. Ajo që nuk dihet është nëse lënia e mandateve është një ide vetëm e Berishës, apo edhe Basha e mbështet një variant të tillë. Zakonisht Basha para së të marrë vendime pret sinjalet e ndërkombëtarëve, sepse është një lider për rrugë të gjatë në politikë,ndërsa Berisha nuk i bie kaq gjatë rrugës së të huajve. Ai i bën ambasadorët ti shkojnë në zyrën private. Sidoqofë, nëse Berisha lë mandatin dhe lideri historik i PD-së ikën nga Kuvendi, nuk ka se si të tjerët të rrijnë më si deputet. Pa Berishën në parlament PD-ja është e vdekur politikisht, sepse edhe kryetarin nuk e ka deputet. Nëse rrijnë një pjesë i masakron Rama, që mbetet mjeshtër shkatërrimi ndaj opozitës.  Ikja duke e dorëzuar mandatin mbetet për tu diskutuar e jo për ta injoruar ish-liderin historik, siç thonin mbrëmë dy deputetë të PD-së të cilët nuk kanë më shansin të futen deputetë. Kjo pasi edhe “lufta” me vezë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Një ditë mbarojnë edhe “vezët” !

Nuk besoj se Berisha e tha publikisht dorëzimin e mandatit në shenjë revolte dhe në gjaknxehtësi e sipër. Ai llogarit çdo qëndrim. Ndaj duket se po futemi drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pyetja mbetet nëse është gati Lulzim Basha për zgjedhje.

Këtë e di vetëm Berisha !

A.Mati

SHKARKO APP