Do të ishte anti-kushtetuese nëse parlamenti nuk miraton votën e diasporës
Një nga bashkëthemelueset e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Edlira Çepani thotë se do të ishte anti-kushtetuese nëse nuk zbatohet detyrimi që parlamenti të miratojë brenda janarit amendamentet që do të bënin të mundur votën e diasporës. E drejta e votës së diasporës, është një nga çështjet kryesore për të cilat është angazhuar Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, krahas përpjekjeve për ligjin për refereundumet, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zonja Çepani e cila është edhe drejtuese e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje, tha se megjithëse pjesëmarrja e tyre në politikë është shtuar, fuqia e grave dhe vajzave në vendimmarrje duhet të vijojë më tej me heqjen e pengesave ndaj tyre.
Zëri i Amerikës: Zonja Çepani, si një nga bashkëthemelueset e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, a mund të na thoni cilat janë synimet e saj në relievin politik të Shqipërisë?
Edlira Çepani: Në fakt, kjo është një lëvizje që ka ardhur në një moment shumë specifik dhe të vështirë në Shqipëri. Objektivat e saj kryesore janë të forcojë zërin e qytetarëve nëpërmjet ndryshimeve legjislative, për sa i përket zërit të qytetarëve në politikën shqiptare, për sa i përket katër pikave të rëndësishme për mendimin tonë, të cilat fuqizojnë qytetarët. E para, ka lidhje me votën e diasporës dhe atyre shqiptarëve të cilët jetojnë përkohësisht apo në mënyrë të përhershme jashtë vendit. E dyta ka lidhje me ligjin për referendumet, të cilin në fakt, ende nuk e kemi sot në Shqipëri dhe qytetarët nuk kanë një zë për të kundërshtuar apo për të provuar ndryshime të rëndësishme, qoftë lokale apo kombëtare. E treta ka lidhje me fuqinë e qytetarëve për të vendosur përfaqësuesit e tyre në institucionet legjislative, në parlament, duke kërkuar lista të hapura dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në mënyrë që fuqia e votës dhe zëri i qytetarëve të dëgjohet në mënyrën e duhur, jo fatkeqësisht siç është sot, ku ne shohim lista të mbyllura, ku janë kryetarët e partive që vendosin dhe ku kemi deputetë dhe përfaqësues, të cilët nuk janë aty për shkak të votave që kanë marrë nga qytetarët, por për shkak të pozicioneve që kanë patur në listë. Dhe e katërta është depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse është shumë e rëndësishme që në rregullat e çdo loje, ai që është arbitri duhet të jetë përtej skuadrave. Kështu që besoj se kjo do t’i rikthejë edhe qytetarëve besimin tek procesi zgjedhor dhe fuqia e votes së tyre dhe fuqia për të patur një zë për sa i përket vendimmarrjes edhe në zgjedhjet lokale edhe në zgjedhjet parlamentare.
Zëri i Amerikës: Zonja Çepani, ju jeni Lëvizje. Pse nuk po shndërroheni në parti politike? Edhe partitë politike kanë programe të ngjashme dhe synime të ngjashme. Synimet tuaja ndoshta do të ishin më të lehta për t’u realizuar si parti politike, apo jo?
Edlira Çepani: Ky është një proces, i cili në fakt ka nisur si nxitje nga qytetarët. Nuk ka nisur si një iniciativë personale e një grupimi të vogël njerëzish, por ka nisur si një nxitje e shumë qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë dhe të botës për të patur ndryshime, të cilat garantojnë garën, të cilën ne praktikisht e kemi humbur në Shqipëri, meritokracinë, dhe garantojnë që kushdo të jetë pjesë e procesit të ketë një zë, qoftë si votues dhe nga ana tjetër të ketë një mundësi për të garuar. Pra, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Prandaj, kjo nisi si një lëvizje, e cila hap pas hapi ka respektuar të gjitha hallkat ligjore dhe shoqërore dhe do të marrë të gjitha hapat e nevojshme për të bërë këto ndryshime legjislative, të cilat janë të rëndësishme dhe vitale për Shqipërinë në momentin ku ndodhet, ku votuesit e kanë humbur shpresën se mund të ndikojnë në ndryshime politike, kanë humbur shpresën se vota e tyre numërohet ka vlerë apo që edhe përzgjedhë personat e duhur. Prandaj, për çdo votues, çdo shqiptar, i cili ka për të thënë diçka jo vetëm gjatë zgjedhjeve por edhe nëpërmjet referendumeve, kjo është një fuqi më tepër, e cila i jep mundësi të gjithë atyre qytetarëve që të flasin në mëmyrën e duhur dhe të thonë zërin e tyre.
Zëri i Amerikës: Zonja Çepani le të kalojmë tek një nga çështjet kryesore për Lëvizjen tuaj: Këtë muaj ju i dërguat Parlamentit një projekt-propozim për votën e Diaspores. KQZ është shprehur se amendamentet ligjore per të garantuar voten e Diasporës duhen miratuar brenda janarit. A jeni optimiste që një gjë e tillë do të zbatohet, një detyrim që vjen dhe nga Gjykata Kushtetuese?
Edlira Çepani: Në fakt, në qoftë se është një detyrim që vjen nga Gjykata Kushtetuese, është antikueshtetues nëse nuk zbatohet nga shteti. Kjo është një kërkesë tashmë prej shumë kohësh, jo vetëm e diasporës shqiptare por edhe e lëvizjeve të ndryshme dhe të gjithë atyre që kërkojnë ndryshime cilësore në Shqipëri, dhe siç e thashë, që kërkojnë të zbatohet Kushtetuta. Sepse pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë është që çdo shqiptar kudo që ndodhet ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Ky është hapi i parë dhe arsyeja pse është bërë.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndodh nëse kjo nuk bëhet?
Edlira Çepani: Në ndryshimet e kodit zgjedhor të vitit 2020 u integrua një nen në kodin zgjedhor ku parashikohej vota e diasporës. Dhe problematika që ne kemi deri më sot është se nuk janë marrë hapa konkret për të garantuar proçedurën se si do të zhvillohet votimi i diasportës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2022 jep kohë deri më 13 janar që kjo votë dhe kjo proçedurë të garantohet. Prandaj ne me një grup juristësh dhe ekspertësh nga Shqipëria dhe diaspora krijuam të gjithë draftin ligjor për ndryshimet e nevojshme ligjore që kjo votë të garantohet në mënyrë e duhur dhe me specifikat e duhura. Kjo iu dërgua parlamentit për t’i kaluar hallkat një nga një dhe për të respektuar të gjitha procedurat ligjore. Iu kalua të 140 deputetëve të Shqipërisë të cilët mund të marrin një iniciativë. Por në qoftë se nuk realizohet, hapi i mëtejshëm në muajin janar do të jetë marrja e 20 mijë firmave e cila më pas do të kalojë në parlament me një iniciativë qytetare. Kështu që ne nuk do ta lëm me kaq por do ta çojmë deri në fund. Deri sa të bëhet realitet për të gjithë ata 1.7 milionë shqiptarët e diasporës të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë dhe kanë dëshirën për të kontribuar për vendin.
Zëri i Amerikës: Ju keni qenë prej kohësh aktiviste për gratë në Shqipëri dhe megjithëse pjesëmarrja e tyre në politikë është shtuar, prapë problematikat mbeten, si për faktin që siç thonë politologët vënë re se disa herë pjesëmarrja e tyre është për numra më shumë, ashti edhe për gjendjen e gruas në Shqipëri. Si e shikoni këtë situatë?
Edlira Çepani: Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që hapat shumë të rëndësishëm që janë hedhur për sa i përket përfaqësimit të grave dhe vajzave në vendimarrje në Shqipëri, i kanë dhënë një fuqi zërit të tyre. Sepse është shumë më e vështirë kur ke një apo dy zëra brenda institucioneve dhe kur tashmë je më shumë se sa 33% në parlament dhe më shumë se 49% në këshillat bashkiakë në Shqipëri. Kështu që ky është një hap i parë dhe shumë i nevojshëm i cili duhet të ndërmerrej por nuk duhet të mbetet këtu. Fuqia dhe barazia gjinore, fuqia e grave dhe vajzave në vendimmarrje duhet të vijojë më tej me heqjen e pengesave për të qënë pjesë e vendimmarrjes dhe me një zë të fuqishëm dhe më të bashkuar të tyre përtej bindjeve politike apo përtej zonave dhe komuniteteve të përfaqësojnë për kauza të përcaktuara. Dhe kjo ka ndodhur dhe ka shtytje që të ndodh. Një nga shembujt më interesat që sjell rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” është pikërisht bashkëpunimi i vajzave dhe grave 50% nga e majta dhe 50% nga e djathta për kauza të përbashkëta dhe për të mirën e komunitetit./VOA/