Dokumentet e skandalit. 97 milionë lekë në muaj për radarë që nuk punojnë
Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka denoncuar sot abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes me radarët që duhet të kontrollojnë sigurinë territoriale të Shqipërisë të ndalojnë trafiqet.
Në një reagim në Faebook, Luan Rama deklaron se radarët e instaluar për të vëzhguar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë prej më shumë se dy vjet nuk punojnë. Por edhe pse sistemi nuk funksionon, Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private që është kontraktuar të mirëmbajë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare.
Zëvendëskryetari i LSI, në reagimin e tij shton dhe një tjetër fakt që e cilëson skandaloz. Ai thotë se administrim i pamjeve të radarëve dhe të dhënave ushtarake kryhet në serverin e një kompanie private. Luan Rama thotë se një veprim i tillë është cënim direkt i sigurisë kombëtare.
“Instalimi i serverit të kamerave që vëzhgon veprimtarinë e institucioneve ushtarake tek kompania private e kontraktuar për mirëmbajtjen e radarëve, është cenim i rëndë e flagrant i normave më elementare të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit!”,- shprehet Luan Rama.
Përfaqësuesi i LSI-së e cilëson këtë skandal si një organizimi mafioz që synon cënimin me vetëdije të sigurisë së njerëzve në det. “Në vlerësimin tim jemi përpara një veprimtarie kriminale; organizim mafioz për defektimin e sistemit, cënim me vetëdije të sigurisë së njerëzve në det, cënim të elementëve thelbësorë të sigurisë kombëtare! Çfarë presin institucionet e zbatimit të ligjit?!”,- shprehet Luan Rama.
Reagimi i plotë i Zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama:
Skandali me radarët dhe gjeneralët e korrupsionit!
Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private për mirëmbajtjes e radarëve që nuk punojnë!
Radarët e instaluar për të vëzhguar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë prej më shumë se dy vjet nuk punojnë! Thënë me “gjuhën” ushtarake, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) nuk është operacional!
Mosveprimi i strukturave përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është kriminal!
Sepse lënia jashtë funksioneve operacionale e sistemit të radarëve, ka cënuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare!
Instalimi i serverit të kamerave që vëzhgon veprimtarinë e institucioneve ushtarake tek kompania private e kontraktuar për mirëmbajtjen e radarëve, është cenim i rëndë e flagrant i normave më elementare të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit!
Në një vend normal demokratik, vetëm kaq do të mjaftonte për ta konsideruar të gjithën një skandal të madh dhe që qeveria të jepte dorëheqjen!
Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private që është kontraktuar të mirëmbajë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, edhe pse sistemi nuk është operacional!
Vetëm për një vit, prej korrikut 2015 deri në korrik 2016 i janë dhënë firmës private 1 miliardē e 150 milionë lekë për një punë që nuk e ka kryer!
Dhe si të mos mjaftonte kjo, në shkurt të ketij viti, pra në shkurt 2017 , komanda e forcave detare ka prokuruar një fond prej 370 milionë lekë shtesë, për punime dhe pajisje, që i janë dhënë të njejtës firmë, e cila në fakt duhej ti instalonte si detyrim kontraktual, pasi është paguar çdo muaj me 97 milionë lekë, për një punë të pakryer!
Por skandali i korrupsionit të gjeneralëve nuk është vetëm kaq! Ka shpërdorim të frekuencave ushtarake, ka instalime private të pajisjeve të firmë në repartet ushtarake!
Në vlerësimin tim jemi përpara një veprimtarie kriminale; organizim mafioz për defektimin e sistemit, cënim me vetëdije të sigurisë së njerëzve në det, cënim të elementëve thelbësorë të sigurisë kombëtare! Çfarë presin institucionet e zbatimit të ligjit?!