Dokumenti sekret për Berishën dhe Ramën nga ambasada amerikane

Zgjedhjet e vitit 2009 sapo kanë mbaruar dhe asnjë parti nuk është e aftë të krijojë qeverinë. Teksa Berisha dhe Meta duket se kanë rënë dakord për një koalicion, edhe Rama ka shpresa të krijojë qeverinë e tij.

Në një kabllogram konfidencial që deklasifikohet në 2019

Ambasada në Tiranë njofton Uashingtonin për atë që po ndodh.

Kabllogrami i mëposhtëm i zbuluar nga Wikileaks citon si burime një person pa emër që quhet gjatë gjithë kabllogramit “Gazetari” si dhe Pandeli Majkon.

Kabllogrami i përshkruan Ramën e Berishën të ngjashëm në stilin e drejtimit të partive si dhe në faktin që “njerëz jashtë politikës” kanë më shumë ndikim tek ata se “anëtarët e partisë”.

Më poshtë pjesë nga kabllogrami në fjalë botuar sot nga DITA:

Datë: 8 korrik 2009

Dërguar: Nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit

Firmosur: Ambasadori Klasifikuar:

Material konfidencial, deklasifikohet me 07/08/2019 “Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk është ende i sigurt dhe formimi i qeverisë së re ndoshta nuk ndodh deri në shtator.

Kemi bërë biseda me gazetarë, politikanë të krahut të majtë dhe të djathtë për të gjetur disa parime të përgjithshme mbi çfarë lloj njerëzish ka të ngjarë të jenë ministra, si do të merren vendimet dhe cilët do të kenë më shumë influencë. Njerëzit jashtë politikës, si në media dhe bashkëpunëtorë të ngushtë kanë më shumë influencë te Berisha dhe te Rama se sa anëtarët brenda partisë. Rama, i cili nuk ka përvojë në drejtimin e qeverisë kombëtare, do të jetë më i pasigurt në lidhje me udhëheqjen e tij dhe ndoshta do të kërkojë udhëzime dhe miratimin nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga SHBA për vendimet e tij.

Gazetari i tha Ambasadës se Berisha emëron politikanët me një histori si besnikë, njerëz me të cilët Berisha personalisht ka informacione inkriminuese dhe politikanë të cilëve Berisha u ka borxhe. Për shembull, Berisha nuk e pëlqen personalisht ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por e ftoi atë përsëri në koalicion vetëm për shkak se Berisha dhe Mediu kanë materiale kompromentuese për njeri-tjetrin. Sipas Gazetarit, Berisha merr vendime pa u konsultuar me ministrat dhe ka forcuar rrethin e tij të brendshëm deri në pikën që dëgjon vetëm këshillat nga anëtarët e familjes (sidomos vajza e tij) dhe nga pronari i televizionit pro PD-së Tv Klan Aleksandër Frangaj. Megjithatë Berisha të paktën informon qeverinë dhe partinë për vendimet e tij kur ato janë bërë. Në takime të ndara Gazetari dhe njëkohësisht ish-kryeministri dhe lideri i PS-së, Pandeli Majko e përshkruajnë stilin e drejtimit të Ramës të ngjashëm me Berishën me disa ndryshime të vogla. Rama ashtu si Berisha merr vendime politike pa u konsultuar me lidershipin e PS-së, por ndryshimi mes tyre është se Rama as që nuk i informon kryesinë e partisë për vendimet që ka marrë duke i lënë edhe aleatëve të tij të ngushtë të vetmen alternativë të shohin TV për të marrë vesh çfarë po ndodh. Shumë kontakte të ambasadës konfirmojnë se tendenca e Ramës për të marrë përsipër gjithçka vetë e bëjnë atë shpesh një lider kapriçoz dhe të egër. Rama është i ngjashëm me Berishën në ndikimin që kanë mbi të njerëzit jashtë PS-së siç janë pronarët e mediave, biznesmenët dhe drejtuesit e OJF-ve.

Pavarësisht ngjashmërive, Rama ka të ngjarë që të ndryshojë nga Kosova?

Majko, pretendon se Rama do të paraqesë në ambasadë një listë me ministrat potencialë për një aprovim paraprak përpara se të bëjë emërimet. Sipas tij, në mënyrë që të integrohet në komunitetin ndërkombëtar, Rama do të tentojë një përbërje të shumëllojshme të qeverisë me një imazh pozitiv dhe do ti japë më shumë influencë atyre që kanë më shumë karizëm dhe që kanë lidhje më të ngushta me SHBA-, sipas Majkos.

Vlerësimet e Majkos për kandidatët e mundshëm janë në të njëjtën trajektore me zgjedhjet e Ramës në listën e kandidatëve të PS. Rama i ka dhënë një rol madh disa figurave të reja, siç është Erion Veliaj dhe Vasilika Hysi për të kaluar mesazhet në Ambasadë. Si Majko edhe Gazetari kanë treguar se Rama mund të jetë më tolerant me rivalët brenda qeverisë dhe do ti japë autonomi më të madhe ministrave të qeverisë. Sigurisht ngjashmëria më shqetësuese në mes të stileve të Ramës dhe Berishës është lidershipi i veçantë autoritar që kanë në dellin e tyre dy burrat. Rama dhe Berisha kanë rënë dakord një vit e gjysmë më parë për të zvogëluar kompetencat e presidentit përmes amendimeve të Kushtetutës më 2008.

Rama dhe PS kanë treguar se në disa raste janë të gatshëm të rrinë mënjanë teksa Berisha sulmon Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjyqësorin. Rama dhe Berisha njihen në partitë e tyre si kontrollues të çmendur të cilët i dërgojnë mesazhe në celular kandidatëve gjatë debateve televizive duke i thënë për çfarë të flasin. Dëshira e Berishës për të shkurtuar institucionet e pavarura do të konfirmohet me një mandat të dytë – Tirana po e ndjen që tani sulmin e tij ndaj gjyqësorit si një mjet për anulimin e çështjes së Gërdecit.

Tendenca e Ramës për të mbledhur të gjitha vendimet në duart e tij sugjeron se edhe ai mund të kërkojë në të ardhmen institucione të pavarura më të dobëta. Gogoli i Ramës thuhet se është media. Nuk ka rëndësi se kush do të krijojë qeverinë, institucionet jo politike dhe media e lirë do të vazhdojnë ta gjejnë veten nën presion politik…”

Dita

SHKARKO APP