Donald Trump thotë se hapësira ajrore mbi dhe rreth Venezuelës është mbyllur

Donald Trump deklaroi të shtunën se hapësira ajrore mbi dhe rreth Venezuelës do të mbyllet tërësisht.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump u shpreh: “Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutemi konsiderojeni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE RRETH VENEZUELËS TË MBYLLUR TËRËSISHT.” Kjo deklaratë vjen në një kohë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Venezuelës.

Ministria e Komunikacionit e Venezuelës dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi postimin e Trump. Kjo lëvizje pason muaj të tërë operacionesh ushtarake amerikane në rajon, duke përfshirë sulme ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe dhe një rritje të pranisë ushtarake.

Swiss Digital Desktop Reklama

Trump ka autorizuar gjithashtu operacione të fshehta të CIA-s brenda Venezuelës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti amerikan u tha anëtarëve të shërbimit ushtarak këtë javë se SHBA “shumë shpejt” do të fillonte operacionet tokësore për të ndaluar trafikantët e dyshuar venezuelianë të drogës. Javën e kaluar, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e SHBA-së paralajmëroi linjat ajrore kryesore për një “situatë potencialisht të rrezikshme” gjatë fluturimeve mbi Venezuelë, për shkak të “përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe aktivitetit të shtuar ushtarak”. Si pasojë, Venezuela revokoi të drejtat e operimit për gjashtë linja ajrore të mëdha ndërkombëtare që kishin pezulluar fluturimet drejt vendit pas paralajmërimit të FAA.

Administrata Trump ka akuzuar presidentin venezuelian, Nicolás Maduro, për përfshirje në trafik droge, një akuzë që ai e ka mohuar. Maduro, në pushtet që nga viti 2013, ka deklaruar se Trump po kërkon ta rrëzojë atë dhe se qytetarët dhe ushtria venezueliane do t’i rezistojnë çdo tentative të tillë.

Forcat amerikane në rajon deri më tani janë fokusuar në operacionet kundër narkotikëve, megjithëse fuqia e grumbulluar ushtarake tejkalon ndjeshëm atë që nevojitet. Ato kanë kryer të paktën 21 sulme ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor që nga shtatori, duke vrarë të paktën 83 persona.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?