Dorëzohen dy personat e armatosur në Orosh të Fushë-Arrëzit. Hamza Uka (Erzen Uka), ish-komando në Afganistan, i dënuar për terrorizëm
Pas më shumë se gjashtë orësh negociata intensive me forcat speciale RENEA, dy personat e armatosur të izoluar në një banesë në Orosh të Fushë-Arrëzit janë dorëzuar mbrëmjen e sotme, ndërsa njëri prej tyre, Hamza Uka, raportohet i plagosur. Ende nuk ka qartësi se si është shkaktuar plagosja, pasi policia dhe RENEA nuk kanë kryer asnjë të shtënë drejt banesës ku fshiheshin dy të dyshuarit.
Sipas gazetares Klodiana Lala, të dy personat janë ndjekës të besimit islam me prirje radikale. Fillimisht, informacioni ka mbërritur në Policinë e Shkodrës dhe Komisariatin e Pukës dhe më pas është përfshirë RENEA për operacionin neutralizues.
Negociata, thirrje ekstremiste dhe dorëzim nën presion
Forcat RENEA kanë negociuar për më shumë se 6 orë, por nuk kanë arritur t’i bindin dy të armatosurit të dorëzohen paqësisht. Në skenë janë futur vëllai dhe motra e Julian Cumrakut, të cilët kanë mundur ta bindin për vetëdorëzim. Nga banesa e rrethuar janë dëgjuar thirrje të cilësuara si ekstremiste dhe terroriste.
Aktualisht, RENEA po kryen kontroll të imtësishëm me qen anti-eksploziv dhe anti-minë, për të verifikuar praninë e municioneve apo materialeve të tjera të rrezikshme.
Dy personat do të shoqërohen në polici dhe më pas në Tiranë, ku pritet të merren në pyetje lidhur me motivin e armatosjes dhe qëndrimit të tyre.
Hamza Uka (Erzen Uka), ish-komando në Afganistan, i dënuar për terrorizëm, nën vëzhgim të anti-terrorit
Gazetarja Lala theksoi se Hamza Uka, emri i vërtetë Erzen Uka, ka qenë prej kohësh në vëzhgim të anti-terrorit, pasi në rrjetet sociale ka shpërndarë thirrje radikale, përfshirë postime që mbështesnin luftimet në Siri si dhe predikues ekstremistë.
Ndërkohë, gazetari Ferdinand Dervishi ka rindërtuar profilin e tij: Ka shërbyer si komando i Forcave Speciale në Afganistan.
Pas kthimit në Shqipëri është radikalizuar, sipas burimeve të sigurisë. Është arrestuar në dhjetor 2019 për terrorizëm, i akuzuar për bindje radikale dhe përgatitje të akteve të rrezikshme. Është dënuar me 3 vite burg, të cilat i ka kryer.
Në gjyq ka kërcënuar gjyqtarin dhe prokurorin Eugen Beçi, madje ka futur edhe persona nga jashtë në sallë për t’i intimiduar.
Sipas burimeve, janë gjetur video ku ai instruktonte fëmijë për stërvitje paramilitare. Emri “Hamza”, që ai ka zgjedhur të përdorë, në arabisht do të thotë “luan”.
Hetimet vijojnë – dyshime për lidhje të mëtejshme
Burime të anti-terrorit thonë se Hamza Uka është një nga individët më të monitoruar për shkak të lidhjeve, veprimtarisë dhe ideologjisë së shfaqur. Tashmë, pas dorëzimit, pritet të zbardhen motivet e pajisjes me armë, të izolimit në banesë dhe të thirrjeve me natyrë ekstremiste.
Hetimet pritet të thellohen për të zbuluar: A ka qenë ky segment i një veprimtarie të gjerë? Përse ishin të armatosur? A kanë bashkëpunëtorë? A ka elementë kërcënimi për rendin dhe sigurinë kombëtare?
Po hetohen lidhje me disa persona të tjerë në Tiranë që frekuenojnë një xhami në Tiranë, por edhe disa persona që punojnë në sistemin e shëndetsisë.
KOHA JONË SONDAZH

