“Dorëzohet” Presidenti Bujar Nishani, dekreton emërimin e ministrave
Presidenti Nishani dekreton emërimin e Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe të Milva Ekonomit si ministre e Ekonomisë. Vendimi është publikuar sot në faqen zyrtare të Presidencës.
Të shtunën Presidenca ju drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës. Sipas kreut të shtetit, dekretimi i shkarkimin dhe emërimit të ministrave nuk mund të kryhet në të njëjtën kohë. Fillimisht ai dekretoi shkarkimin e Arben Ahmetajt nga ministria e Ekonomisë dhe të Shkëlqim Canit nga ministria e Financave, por nuk dërgoi në Kuvend dekretimin e emërimit të Ahmetajt dhe Ekonomitt.
Kjo situatë krijoi përplasje me qeverinë. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj deklaroi nëse kreu i shtetit nuk respektonte Kushtetutën, mazhoranca do të niste procedurën e shkarkimit të tij. Afati i fundit kushtetues i presidentit për dekretet ishte nesër.
Vendimi i sotëm i kreut të shtetit shihet edhe si një tërheqje e tij, në kohën që duhej pritur dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, gjatë ditëve të fundit selitë diplomatike në Tiranë kanë ndërhyrë për të shmangur krizës. Mësohet se një ambasador i rëndësishëm në Tiranë ka zhvilluar këto ditë takime me kreun e shtetit dhe Kryeministrin.
D E K R E T PËR EMËRIM MINISTRI
Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j
Neni 1 .Zoti Arben Ahmetaj, emërohet ministër i Financave.
Neni 2. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 9450. Tiranë, më 22 Shkurt 2016
Dekreti i Ekonomit
Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j
Neni 1. Zonja Milva Ekonomi, emërohet ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Neni 2 .Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 9451 Tiranë, më 22 Shkurt 2016
PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI