Dosja e AKSHI-t/ Zbardhet dëshmia e biznesmenit Gerond Meçe: Më vunë kapuçin në kokë dhe….

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj drejtuesve të AKSHI-t, si edhe ndaj biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, përfshin një dëshmi tronditëse që hedh dritë mbi presione ekstreme dhe metoda kriminale të përdorura për të ndikuar në procedurat e prokurimit publik. Fjala është për rrëfimin e biznesmenit Gerond Meçe, i cili sipas dosjes, është marrë peng dhe kërcënuar derisa ka pranuar të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë shtetërorë.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Meçe rrëfen se ngjarja ka ndodhur poshtë pallatit ku banon, në momentin kur sapo kishte zbritur nga makina. Dy persona iu afruan dhe u prezantuan si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pa i paraqitur asnjë dokument zyrtar, ata e urdhëruan të hipte në automjet, duke i komunikuar se ishte i arrestuar.

Fillimisht, Meçe thotë se e ka besuar versionin e tyre, për shkak se ndodhej në oborrin e pallatit të tij dhe personat mbanin veshje që ngjanin me uniformat policore. Por shumë shpejt, sjellja e tyre dhe mënyra e veprimit i kanë ngjallur dyshime serioze.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas dëshmisë, në momentin që po vendoste çantën e shpinës dhe çantën e dorës në bagazhin e makinës së tij, është afruar një automjet tip fuoristradë “Range Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie. Më vonë ai ka konstatuar se automjeti mbante targën AC121JJ. Një nga personat, i veshur me uniformë blu dhe jelek të verdhë me mbishkrimin “BKH”, e ka thirrur në emër dhe i ka thënë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Brenda automjetit ndodheshin edhe dy persona të tjerë, të veshur me bluza që ngjanin me ato të policisë dhe xhinse të zeza. Të dy kishin tatuazhe të dukshme në duar, detaje që Meçe i përshkruan me saktësi në deklarimin e tij dhe për të cilët shprehet se mund t’i identifikojë lehtësisht.

Pasi makina u nis, Meçe kërkoi t’i paraqiteshin dokumentet e arrestimit dhe të lejohej të njoftonte familjen. Kërkesat e tij u refuzuan. Përkundrazi, njëri prej personave i tha se “letrat do t’i marrësh në komisariat”, ndërsa u tentua t’i vendoseshin prangat. Pikërisht në këtë moment, sipas dëshmisë, ai kuptoi se personat nuk ishin punonjës policie, pasi nuk dinin as të vendosnin prangat, duke u detyruar të ndërhynte njëri prej tyre për t’i rregulluar.

Kur makina po largohej nga oborri i pallatit, Meçe ka parë babain e tij dhe në atë çast i është vendosur një kapuç i zi në kokë. Kjo, sipas tij, ka qenë pika kur ka kuptuar se nuk bëhej fjalë për një shoqërim zyrtar, por për një pengmarrje.

Automjeti ka devijuar nga itinerari i zakonshëm dhe, ndonëse i është thënë se po dërgohej në “komisariatin më të afërt”, sjellja e personave brenda makinës dhe komunikimet e tyre me zë të ulët mes tyre vetëm sa kanë forcuar bindjen e Meçes se po mbahej peng.

Sipas SPAK, dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen se kanë porositur dhe organizuar këtë pengmarrje, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Meçes për të hequr dorë nga ankimimet e tenderëve shtetërorë.

Hetimi vijon, ndërsa dëshmia e biznesmenit, e përfshirë në aktet zyrtare të Gjykatës së Posaçme, konsiderohet një nga elementët kyç të dosjes, të cilën gazeta TemA e ka në dispozicion.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?