Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore, K. Angjeliu nuk firmos për stadiumin
Ja që paska edhe zyrtarë që njohin ligjin dhe nuk firmosin me symbyllur duke shkelur ligjin. Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, Kozeta Angjeliu e di se më vonë dikush mund ta çojë edhe në burg kur ndërrojnë pushtetet. Ndaj ka refuzuar të hedhë firmën si drejtoreshë.
Ka qenë i madh debati që ka provokuar projekti i stadiumit “Arena Kombëtare” që do të ngrihet mbi rrënojat e “Qemal Stafës”.
Kanë qenë të shumtë ata që e kanë kundërshtuar projektin, jo vetëm për mënyrën se si do të ndërtohet, por edhe për kullën dhe ambientet e shumta tregtare të këtij stadiumi.
Ai që e ka mbrojtur projektin e stadiumit me fanatizëm është vetë kryeministri Rama që nuk ngurroi t’i quajë “qorra” ata që nuk shihnin se si do të ruhej edhe fasada e konsideruar “monument kulture”. Por këtë të premte ‘Dita’ shkruan se kryeministrin Rama po e kundërshtojnë edhe nga “radhët e veta”.
Pengesa e radhës është bërë Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, Kozeta Angjeliu.Ajo refuzon të nënshkruajë marrëveshjen për projektin e “Arenës Kombëtare”, pasi stadiumi “Qemal Stafa” është në listën e Monumenteve të Kulturës.
Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar që të shfuqizohet në Kuvend ligji që e përcakton stadiumin si monument kulture, në të kundërt ajo nuk mund të firmosë për shembjen pasi e ndalon ligji.