Duel Basha-Rama/Fillojnë me buxhetin, krimin, drogën dhe mbarojnë me familjet…

Sot parlamenti shqiptar njohu një etapë të re sherri dhe konflikti politik mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD, Basha. Po diskutohet projektbuxheti për vitin 2018 dhe kryeministri duke e ndjerë sulmin që do vinte nga opozita, u mundua të ishte dinak, pasi që në fillim prezantoi shkurt projektbuxhetin dhe tha duke u ulur se “sot është dita e tolerancës, ndaj mendoj se edhe opozita do jetë e kursyer në sulme”.

Kjo në vend që të sillte një debat formal, siç synonte me djallëzi Edi Rama, ngrit fortunë dhe sherr të madh, aqsa fliste njeri dhe dilte tjetri. Kështu për një kohë gjatë replikash e sulmesh, sa dhe Gramoz Ruçi u detyrua të kthehej në numërues sekondash sa flet njësi e sa sulmon tjetri.

Debati për buxhetin është ndër më seriozët në një parlament. Është momenti kur fjalët dhe premtimet e qeverisë kthehen në fonde konkrete, ose kur kritikat e opozitës duhet të shoqërohen me faturën përkatëse ekonomike. Në zhvillimet një vjeçare të Kuvendit, diskutimi për Buxhetin është i vetmi momente kur çdo deputet ka se çfarë të flasë dhe duhet të ngrejë zëri për qytetarët që përfaqëson. Nëse janë për të përfaqësuar qytetarët, diskutimi për buxhetin është momenti kur mund të kërkojnë më shumë fonde edhe mund të denoncojnë mungesën e vëmendjes së qeverisë.  Varfëria dhe mungesa e një ekonomike që zhvillohet është fillimi dhe gjithë problemeve shoqërore në Shqipëri, madje dhe i zgjedhjeve me manipulime dhe blerje vote. Pjesa tjetër e debateve në Kuvend është retorikë dhe akuzua sa për të kaluar problemet që ka sot Qeveria dhe që mund të ketë PD.

Edi Ramës i intereson më shumë se kurrë që debati për buxhetin të jetë një spektakël batutash. Kryeministri me shifrat dhe shpjegimin e ekonomisë nuk ka ndonjë aftësi të veçantë. Por nuk është ky problemi i vetëm i tij. Këto kohë, me dosjen Tahiri dhe Habilaj kryeministrit i intereson që Parlamenti dhe politika të merret me hallet e qeverisë së tij, por me batuta, ironi dhe humor.

Ndërsa Lulzim Basha, pas 4 viteve zbor në opozitën e parë, mendon se profilin e liderit mund ta forcojë më shumë në Kuvend. Ndaj gjithë energjitë e tij i harxhon në foltoren e Kuvendit duke garuar me Ramën për batutat dhe akuzat. Por i duhet më shumë kohë, pasi Rama është më i sprovuar dhe më mjeshtër i diversioneve nga foltorja.

VIDEO/DEBATI NË KUVEND MES RAMËS DHE BASHËS

Rama-Basha, përplasja për vëllanë e Kryeministrit, replikat e plota në Kuvend

Lulzim Basha e kritikoi projektbuxhetin si një buxhet për oligarkinë dhe miqtë e kryeministri e jo për popullin. Sipas kreut të PD-së, Edi Rama po shfaq shenjat e një politike perverse dhe po zëvendëson të vërtetën me gënjeshtrën. E akuzoi kryeministrin se je kreu i bandave të krimit dhe se FBI e hetuesit e tjerë kanë për ty si bandë, u turr shefi i selisë blu.

“Na ishte një kohë kur Rama nuk kishte fjalim pa cituar Papa Françeskun. Ishte koha kur donte t’i mbushte mendjen botës, se ecte në rrugën e Zotit. Por kjo ishte fasadë sepse vazhdoi rrugën me Elvis Rroshin, Saimir Tahirin e me shokë. Ndaj sot është për t’ia kujtuar Edi Ramës paralajmërimin e Papa Françeskut, që siç thotë ai, etja për pushtet dhe para arrihet duke shkelur mbi njerëzit” – tha Basha ndër të tjera- “Manipulator i gatshëm përherë ta shesë gënjeshtrën si të vërtetë. Pak ditë më parë, ky na u shfaq në shtëpinë e një familje të thjeshtë të Bulqizës, me arrogancën e njeriut që di çdo të vërtetë. Ai gënjeu para shqiptarëve. Sajesë të kazanëve të Italisë e quajti dramën e fëmijëve të Bulqizës”, shtoi Basha duke iu referuar një reportazhi të italianëve pak ditë më parë.

Kreu demokrat Basha tha se ky buxhet ka dy qëllime kryesore. Sipas tij, synon privatizimin e spitaleve dhe shkollave, si dhe pastrimin e parave të drogës. “Heqja e taksave për hotelet e luksit do t’i hapë rrugë pastrimit të parave. Në këtë mënyrë, duke mos pasur asnjë detyrim fiskal, paratë e krimit do të investohen në hoteleri. Një familje që jep me qera një dhomë me 20 mijë lekë të vjetra, do të paguajë TSVH. Ndërsa hoteli i Klement Balilit nuk do të paguajë asnjë taksë”, shtoi Basha.

Reagimi i kryeministrit vijoi se “Shqiptarët mund të kenë shumë halle, por kanë një nga gjërat që ju vazhdimisht e harroni. Për budallenj nuk i bën dot askush. Monika të bën të ndihesh i fortë, por nuk të rrit dot. Rritu Lul, rritu”, -foli prapë Rama.

“Të ndalim këtë buxhet të krimit. Ky nuk është një moment për të bërë politikë. Ngrihuni në lartësinë e socialistëve të ndershëm. Ky nuk është buxhet, është prove e krimit dhe do të çmontohet njësoj si kjo qeveri e vdekur politikisht”, -foli prapë Basha.

“Nuk doja të ngrihesha dhe mu kujtua çadra. Bërtisje të ngriheshin, por prape erdhe dhe u ule me mua dhe prapë do të vish të ulesh me mua. Jo vetëm se është dita ndërkombëtare e tolerancës, por sepse duke u ulur bashkë do të bëhet më mirë për vendin. The SHBA, Gjermania, Italia. Janë këtu Lul, janë në ministrinë e Brendshme. Punojnë me ne Lul, janë me ne. The u kap drogë, po 900 tonët e Lazaratit pse nuk i kapte askush“,- ironizoi Rama.

Kryeministri zbardhi dhe emrin e aplikuesit të parë që kërkon të bëjë një investim të tillë të një hoteli me pesë yje.

“Është votues dhe mbështetës i PD-së. Quhet Avni Ponari dhe kërkon të ndërtojë një hotel me pesë yje në Valbonë. Paratë e kujt po pastron ky?”,- tha Rama,- ndaj je një kopje e pagëlltitshme e Lulit të Vocërr”.

Nuk ndalonin daljet herë të Bashës dhe të Ramës, ndërkohë që Berisha nuk ndodhej në sallë. “Ke marrë fund politikisht dhe nga pikëpamja logjike dhe e fjalëve. Dërdëllit më batuta dhe diversionë për njerëz që i etiketon si financues të një partie apo një tjetre. Katër vjet me radhë u bërë gazi i botës me drogën dhe tani na thua se e mposhte drogën. Paniku të bën qesharak. Nuk jam këtu të merrem me ty, më intereson vendi. Ky është buxheti i pastrimit të parave dhe varfërimit të shqiptarëve”-, deklaroi Basha.

Gjatë pjesës së dytë të debatit u përmendën vëllezër, kunetër, fis dhe krejt lidhjet e njeri tjetrit. Lulzim Basha i përmendi disa herë Olsi Ramën, si njeri që luan fijet e biznesit dhe buxhetit të parave të shtetit dhe jo vetëm. Edi Rama u mundua ti ikte kësaj linje, pasi e dinte se po të sulmonte në ndonjë emër të familjeve të PD, do të ngriheshin deputetët e PD-së për të përmendur jo vetëm të vëllain, Olsin.

Kjo formë e debatit parlamentar që nis me batuta vazhdon me drogën, krimin dhe përfundon me familjet e politikanëve është mënyra më e keqe për të diskutuar buxhetin. Në fund shqiptarët nuk do të dine se çfarë u vendos për ata.

Pjesë nga replikat në Kuvenda

Basha: Ne hoqëm vizat, ti po i kthen. Shqiptarët nuk janë budallenj, të tillë do ishin po të besonin se të gjithë ato që i kanë ndodhur Tahirit janë rastësi. Me cfarë mburresh ti. Je i paaftë për të qeverisur, nuk sheh dot shifrat e Guardia di Finanza. Këtu ka drogë sa për 5 vjet, ndaj shitet më lirë se çaji nëpër fshatra. Shqiptarët nuk i bën do ti për budallenj. Duhet të ndalim me cdo kusht këtë buxhet të krimit. Kjo qeveri ka vdekur politikisht.

Rama: Do vish prapë të ulesh me mua, siç bërë kur ishe në çadër dhe unë do të të pres. Vetëm nga e ulura jonë mund të bëhet më mirë për këtë vend dhe këta njerëz. Ndërkombëtarët punojnë  me ne për fazën e dytë të një lufte që ne e nismë. Po 900 tonë që prodhoheshin në Lazarat pse nuk u kapën kurrë? Por sot si ka mundësi që nuk gëzoheni, që raporti i Guardia di Finanza i mirëpritur nga gjithë evropianët, të hidhëron. Pse ju hidhëron? A doni që Shqipëria të pastrohet nga ky kancer i trashëguar? Jeni të djathtë dhe doni vetëm djathtë. Ndryshimi mes jush është vetëm djathi. Je po ti që vrapove në Kamëz, kur shkove për herë të parë, për të treguar solidaritet për një të arrestuar, që ishte një nga 5 yjet e partisë tënde. Po jap një këshillë, që nuk do ta dëgjosh ‘mos u ngut, sepse prapë mund të dalësh blof, prapë e vërteta mund të të nxjerrë siç je, i vogël, njeri që tjetër mendon, tjetër thotë dhe tjetër do, mos u ngut’. Kur thua ‘ngrihuni’, kujto çadrën dhe si mbaroj dhe herët ose vonë do ulesh prapë. Kufiri ju ka ardhur më afër, pas katër vitesh do iu vijë dhe më afër dhe mund të jeni edhe më pak këtu. Lulin e vocërr e ka bërë Migjeni, ty të ka bërë Saliu, ndaj mundohu të rritesh e të bëhesh burrë. Nuk frymëzoni dot as njëri-tjetrin dhe jo më tjerët. 

Rama:… Ju nuk jeni e djathtë,  ju jeni djathë kaçkavall.

Basha: Kush përfiton nga koncesione, miqtë e tu. Domethënë ti. Çfarë i mbetet shtetit është vetëm fatura për të paguar. Ndryshimi mes koncesioneve të tua dhe tonave është se në koncesionet tona riskun e ka privati. Në rastin tënd ndryshon. Çfarë do t’i lësh shtetit në fund me kocesonet në mjekësi, pajisjet që i ka shfrytëzuar muratori që i dha pajisjen Ilir Beqja. Po të afron fundi. Hapi rrugë zgjidhjes. Jepi fund qeverisjes tënde. Një herë në jetën tende bëhu pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit. Si kryetar i PD dua që kjo rrugë të jetë me kosto sa më të ulët për qytetarët.

Naço: Nuk e kam mohuar që kam punuar dhe me Ramën dhe Berishën. Gjithmonë kam zbatuar ligjin. Për çështjen e koncesioneve është shumë e thjeshtë. Koncesionet që u morën për hidrocentrale riskun e kanë pasur kompanitë, ato gjenin fonde dhe në fund i mbetej produkti shteti. Në rastin e qeverisë tuaj z. Rama e ka marrë riskun shteti. Ky nuk quhet Partneritet Publik Privat, por tender dhe në tender ka procedura të tjera i dashur kryeministër.

Rama: Kush janë në skemën PPP që po pastrojnë partë, Samir Mane, Shefqet Kastrati, Ram Geci?? Këta janë? Dil dhe u thuaj shqiptarëve, këta janë? Këta kanë kërkuar të investojnë dhe të hapin vende pune. Këta janë biznesmenë që pasurinë e kanë bërë shumë kohë më parë, kur ti ishe në Holandë dhe me rezultojnë se janë votues të PD. Unë nuk kam ndërmend të ndalojë asnjë biznesmen të ndershëm për të investuar në këtë vend.

Basha: Ulu pi pak ujë se tu tha gryka dhe nuk di çfarë thua. Mbrohesh pas emrave të përveçëm se nuk ke çfarë thua do. Por mua nuk me komplekson dot.

SHKARKO APP