DW: A po përgatitet Presidenti Trump të largojë nga qeveria Elon Musk?

Elon Musk mund të japë dorëheqjen si këshilltar zyrtar i Trump. Çfarë mbetet nga një prej eksperimenteve më të kontestuara të reformës së administratës Trump?

Multimiliarderi Elon Musk,  njeri i shout dhe këshilltar i qeverisë amerikane, sipas mediave amerikane ndodhet para largimit nga DOGE, Departamenti i Efikasitetit Qeveritar, i krijuar enkas nga Donald Trump. Sipas mediave, duket se presidenti amerikan e ka lënë të kuptohet këtë në një mbledhje të qeverisë dhe se do të luajë “rol mbështetës”. Por Shtëpia e Bardhë e hedh poshtë këtë, nuk ka asgjë zyrtare. Vetë Elon Musk flet për “fake news.”

E sigurt është se roli i Musk ishte i kufizuar në kohë që në fillim: Si i ashtuquajturi “Punonjësi i posaçëm i qeverisë” ai lejohet të punojë për qeverinë për një maksimum prej 130 ditësh në vit pa iu nënshtruar rregullave më të rrepta etike ose detyrimeve të transparencës (p.sh. zbulimi i detajuar i pasurive dhe të ardhurave), për sa kohë që një leje përjashtimore e marrë më parë e lejon këtë. Megjithatë publikisht nuk dihet asgjë për një leje të tillë.

Kufiri kohor i parashikuar duhet të arrihet më së voni deri në fillim të qershorit. Prandaj, lamtumira e tij zyrtare me DOGE duhet të jetë vetëm çështje kohe – veçanërisht pasi, sipas sondazheve, Musk po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e padëshiruar në mesin e popullatës amerikane. Një shumicë e dukshme tani e hedh poshtë kursin e tij të reformës radikale.

Elon Musk nuk ka qenë thjesht një këshilltar – ai pothuajse u bë njeriu në hije i presidentit. Vështirë se dikush tjetër në rrethin e Trump ishte kaq i dukshëm, kaq i pranishëm, kaq me ndikim. Qoftë në Zyrën Ovale, në vizita shtetërore apo në lojë golfi në fundjavë – Musk gjithmonë prezent. Trump madje kishte modele të reja Tesla të demonstruara në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë si një mbështetje për kompaninë me probleme.

Por në prapaskenë, pas rrahjes së supeve publikisht duket se zien. Zërat kritikë në Partinë Republikane kohët e fundit janë rritur. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish-këshilltari, Steve Bannon e akuzojnë Musk për një stil egocentrik dhe vetëpromovim të ekzagjeruar. Eksperti Sascha Lohmann nga Fondacioni i Shkencës dhe Politikës (SWP) në Berlin nuk beson se do të ketë një përçarje midis Trump dhe Musk: “Musk herë pas here ka hasur në kundërshtim nga Trump – ai u paralajmërua të vepronte më me kujdes. Por të dy gjithmonë janë dakord për reduktimin e madhe të shtetit administrativ duke përdorur mjete radikale shumë përtej kufijve kushtetues”.

DOGE ishte përgjigja e Trump ndaj premtimit të bërë në fushatën elektorale për të “kulluar kënetën në Uashington”. Me Musk, ai fitoi një aleat, qasja prej sipërmarrësi e të cilit premtoi reforma radikale.  Në një hapësirë ​​shumë të shkurtër kohore, sipërmarrësi Musk zbatoi masa drastike: më shumë se 20,000 vende pune në agjencitë federale u shkurtuan dhe 75,000 punonjësve të tjerë iu ofruan pagesa vullnetare të largimit. Fuzionimet strukturore, për shembull ndërmjet Shërbimit Postar të SHBA dhe Departamentit të Tregtisë janë në përgatitje e sipër. Shembulli më spektakolar i reformës radikale deri më sot: shkrirja e USAID-it, agjencisë shtetërore për ndihmë ndërkombëtare zhvillimore.

Në të njëjtën kohë u digjitalizuan procese të rëndësishme administrative duke përfshirë një projekt simbolik, por të diskutueshëm, dosjet e pensioneve në Pensilvani dhe listën e pagave të mbi 270,000 punonjësve federalë. Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë pretendon se ka arritur kursime prej më shumë se 100 miliardë dollarë. Megjithatë, auditimet e pavarura janë ende në pritje dhe disa media kanë zbuluar tashmë mospërputhje në shifrat zyrtare. Procedura ishte efikase dhe e shpejtë, por edhe e rrezikshme sepse “mekanizmat klasikë të kontrollit u anashkaluan sistematikisht”, sipas ekspertit Lohmann.

Angazhimi politik rrëzoi aksionet e Teslas

Përveç rolit të tij si këshilltar qeveritar, Musk është aktiv edhe si një donator i rëndësishëm politik pas zgjedhjes së presidentit. Ai sapo ka mbështetur kandidatin republikan për Gjykatën e Lartë në Wisconsin me 20 milionë dollarë – përfundimisht i pasuksesshëm, pasi demokratët ishin gjithashtu në gjendje të mobilizoheshin me sukses duke iu referuar Elon Musk.

Për vetë Musk, barra e përfshirjes së tij politike kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Tesla raportoi një rënie prej 13 për qind në shitje për tremujorin e parë. Fakti që aksionet e Tesla-s u rikuperuan ndjeshëm menjëherë pas raportimeve për largimin e afërt të Musk tregon se sa stresues është bërë roli i tij në qeveri për punën e tij si shef i kompanisë.

DOGE pa Musk – dhe Musk pa DOGE?

Donald Trump ka theksuar disa herë se DOGE do të ekzistojë edhe pa Musk. Në të njëjtën kohë, ai e relativizoi pak rolin e Musk dhe vuri në dukje se vetë autoritetet janë në fund të fundit përgjegjëse për kursimet.

Ajo që Musk planifikon të bëjë pas tërheqjes së tij të mundshme mbetet e paqartë. Ai ndoshta fillimisht do të përqendrohet më shumë në kompanitë e tij përsëri. Megjithatë, një vazhdim i karrierës së tij politike duket se nuk përjashtohet. Sascha Lohmann nga SWP mendon se është e imagjinueshme që Musk të mbetet politikisht aktiv, sepse ai di të lëvizë “me shkathtësi midis pritjeve libertariane dhe atyre nacional-konservatore”.

Me rolin e tij si reformator radikal, Elon Musk ka lënë një gjurmë të forta në politikën amerikane brenda vetëm pak javësh. Ai i ka tronditur institucionet kryesore shtetërore dhe ka polarizuar debatin politik. Për Trump, Musk dhe donacionet e tij kanë qenë prej kohësh mbështetës të vlefshëm. Por tani duket se ka shenja në rritje se aleanca mund të bëhet një barrë politike për presidentin në plan afatgjatë.

Thomas Latschan (DW)

SHKARKO APP