DW: Kontrolloje fillimisht, vetëm pastaj shpërndaje!
Si t’i dallojmë lajmet e rreme? Kur nuk je i sigurt nëse materiali është serioz dhe autentik, gjithmonë mund të kontrollosh faktet. Kjo vlen veçanërisht në ngjarje që ngjallin emocione.
Lufta në Lindjen e Mesme i emocionon njerëzit në shumë vende të botës dhe i bën ata më lehtë pre të lajmeve të rreme. Sepse ajo që i përshtatet botëkuptimit tënd, besohet më shpejt dhe përhapet më shumë.
Nëse bëhet fjalë për të dhëna të rreme për një shpërthim në një spital të Gazës, për teori konspirative antisemite apo për akuzën për vuajtje të inskenuara: që nga sulmi ndaj Izraelit nga grupi militant islamik Hamas, ngjarjet në Lindjen e Mesme janë shoqëruar me një ortek lajmesh të rreme në rrjetet sociale, disa prej të cilave kanë arritur përhapje të madhe.
Keqinformimi shoqëron dhe ndikon në ngjarjet e mëdha politike të kohës sonë. Sidomos në rastin e ngjarjeve emocionalizuese si konfliktet, krizat, katastrofat apo luftërat, lajmet e rreme përhapen gjithnjë e më shumë, pasi nevoja për të pasur informacion dhe orientim të shpejtë në situata konfuze është shumë e madhe. Shpesh qarkullojnë shumë fotografi apo video të rasteve të dëshmitarëve të supozuar okularë. Kjo shfrytëzohet në mënyrë të përsëritur për të shpërndarë me qëllim lajm të rremë, si gjatë pandemisë së koronavirusit ose luftës së agresionit rus në Ukrainë.
Për më tepër, lufta në Lindjen e Mesme ka pasoja të gjera për popullsinë lokale dhe shqetëson shumë njerëz në mbarë botën, thotë Lea Frühwirth, Senior Researcher në CeMAS (Qendra për Monitorim, Analizë dhe Strategji). “Stereotipe antisemite që qarkullojnë prej kohësh dhe mite konspiracioni shfaqen në mënyrë alarmante hapur, duke nxitur diskursin dhe duke kontribuar në një rritje të frikshme të sulmeve antisemite. Në këtë kontekst, lajmet e rremet, propaganda dhe narrativat konspirative rreth luftës mund të qarkullojnë më gjerësisht.”
Megjithatë, jo çdo informacion i gabuar është automatikisht lajm i rremë. Lajme të rreme janë pohime të formuluara qëllimisht në mënyrë të gënjeshtërt, që përhapen qëllimisht. Keqinformimi nuk është çështje acarimesh retorike apo gabimesh mosvëmendjeje, si p.sh. pasaktësi gjuhësore. Kriteri vendimtar është synimi për të mashtruar njerëzit ose për të manipuluar opinionet.
Termi i anglishtes “misinformation”, nga ana tjetër, përshkruan deklarata të paqëllimshme dhe haptazi të pasakta ose gabime gazetareske, të cilat quhen edhe “gazetari e varfër”.
Keqinformimi përdoret posaçërisht për qëllime politike apo edhe si armë lufte. “Në konflikte dhe luftëra, palët e përfshira janë kryesisht të shqetësuara për të paraqitur një pamje të mirë të palës së tyre dhe një pamje të keq të kundërshtarit të tyre,” thotë Frühwirth. “Dezinformimi dhe propaganda synojnë të nxisin qëndrime dhe sjellje te ata që i shohin: për shembull, solidaritet me anën e vet dhe kërkesa për sanksione ndaj tjetrit”.
Si t’i dallojmë lajmet e rreme?
Nuk ka asnjë formulë magjike për të dalluar informacionet e rreme. Megjithatë, është e mundur të dallosh nëse pamjet janë autentike dhe a është informacioni i besueshëm po të ndjekësh disa hapa të thjeshtë.
Në thelb, një tregues i rëndësishëm nëse pamjet ose informacionet janë të besueshme apo jo është burimi. Për shembull, agjencitë e lajmeve si dpa, AFP ose AP konsiderohen burime të besueshme, pasi ato e kontrollojnë materialin përpara se ta publikojnë. Aty ku është e mundur, tregohet burimi, data dhe vendi i regjistrimit të pamjeeve dhe videove. Edhe agjencitë e mëdha të lajmeve gjithashtu i kontrollojnë pamjet përpara se t’i publikojnë ato. Megjithatë, vetëkuptohet që edhe agjencive dhe mediave të mëdha mund t’u shpëtojnë gabime. Këto duhet të korrigjohen me transparencë.
Ashtu si në botën reale, ia vlen të pyesësh: Kush po më thotë çfarë? Nga vjen ky informacion? Dhe çfarë tjetër përhap ky burim? Duke qenë se lajmet e rreme zakonisht bazohen në emocionalizim dhe indinjatë, ia vlen që të tregohesh veçanërisht i kujdesshëm në rastin e përmbajtjeve shumë dramatike dhe emocionale.
Çfarë roli luan inteligjenca artificiale?
Përdorimi i pamjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale IA është rritur gjithashtu për qëllime keqinformimi, por ato nuk janë ende një fenomen masiv në fushatat e keqinformimit.
Programe kompjuterike të afta për të identifikuar automatikisht dhe me besueshmëri pamjet e krijuara nga IA, po zhvillohen, por aktualisht nuk ka asnjë mjet që ofron rezultate vërtet të vlefshme. Në këtë rast, varet edhe nga përshtypja e përgjithshme që mund të krijohet me disa hapa testimi.
Si mund të dallohen pamjet e krijuara nga IA?
Në pamje të parë, nuk është gjithmonë e lehtë të dallosh një pamje të krijuar nga IA nga ajo pamja reale. Megjithatë, gabimet e pamjes ose mospërputhjet optike shpesh mund të gjenden në detaje. Për shembull, një lëkurë shumë e butë, shprehje të shtrembëruara të fytyrës ose një gisht shtesë. Ndonjëherë nuk janë të sakta proporcionet. Sfondi, të tilla si pemët, ndërtesat ose mobiljet, mund të duken gjithashtu joreale.
Për më tepër, konteksti i një pamjeje ose videoje është gjithmonë me rëndësi kyçe, pavarësisht nëse është krijuar nga IA apo jo. Kjo ndodh sepse pamjet shpesh nxirren jashtë kontekstit dhe paraqiten si materiale aktuale që lidhen me një incident. Me një kërkim të kundërt të pamjes, në të cilin një pamje ngarkohet në një motor kërkimi si Google ose Yandex, shfaqen pamje të njëjta ose të ngjashme me temën. Kjo ju lejon të kontrolloni nëse e njëjta pamje ose një pamje e së njëjtës situatë ekziston nga një burim me reputacion, si një agjenci lajmesh, dhe në çfarë konteksti është marrë.
Për më tepër, informacioni i shkruar për një pamje ofron më shumë të dhëna a kemi informacion të besueshëm: Kur dhe ku u postua për herë të parë pamja? A përputhet me informacione të tjera? Çfarë raportuan mediat atë ditë?
Kontrolloje fillimisht, vetëm pastaj shpërndaje
Suksesi i lajmit të rremë varet nga shkalla në të cilën përdoruesit shpërndajnë përmbajtje mashtruese. Kur nuk je i sigurt, është më mirë të mos shpërndash diçka dhe të presësh derisa të ketë prova të besueshme. “Ne nuk duhet të kontribuojmë në përhapjen e lajmeve të rreme dhe narrativave konspirative,” thotë Frühwirth.
Sepse çdokush mund të bjerë pre e keqinformimit: “Rreziku është veçanërisht i madh kur përmbajtja mashtruese korrespondojnë me botëkuptimin tuaj; atëherë nuk i kushton aq vëmendje,” thotë Frühwirth. Prandaj, njerëzit që simpatizojnë njërën palë në një konflikt kanë më pak gjasa të shqyrtojnë në mënyrë kritike lajmet e rreme në lidhje me mizoritë e supozuara të kryera nga pala tjetër dhe kanë më shumë gjasa t’i ndajnë ato me të tjerët.
aud (C. Reveland dhe P. Siggelkow, ARD)