Dy pyetje për Teatrin Kombëtar dhe disa vargje të Fishtës si amanet
Nga Tonin Çobani.
A e dinë shqiptarët kush është themeluesi i Teatrit kombëtar? (Pyetja e parë). Nëpër enciklopedira shkruhet se një shfaqje e parë me titull “Dasma e Lunxhërisë” u shfaq në Lunxhëri (1874). Shfaqje të dytë nuk pat, sepse u kundërshtua nga Kisha Greke, thjesht për faktin se shfaqja “Dasma e Lunxhërisë” ishte në gjuhën shqipe. Një tjetër shfaqje (“Nata e Këshnjellave” e Leonardo de Martinos) u shfaq në kishën e Fretërve (Shkodër, 1880), teksti i së cilës u botua më 1881. Nëqoftëse një teatër kombëtar (nacional) ka një kusht të vetëm për t’u quajtur teatër kombëtar, ai kusht është gjuha nacionale (kombëtare). Teatri kombëtar i shqiptarëve është sulmuar qysh në lindje për shkak të gjuhës shqipe, të cilën gjuhë Perandoria Osmane nuk e lejonte të shkruhej e të mësohej. As Kisha Greke. As ajo sllave. Prandaj Teatri në gjuhën shqipe i ka fillimet vonë. Ai ka lindur në fillim të shekullit të 20-të në saje të kurajës intelektuale të Gjergj Fishtës, për të cilin Faik Konica ka shkruar se aso kohe për një çerek shekulli ai (Gjergj Fishta) ishte udhëheqës shpirtëror intelektual.
Vepra e parë teatrore e shkruar dhe e vënë në skenë prej Gjergj Fishtës ka qenë komedia e Molierit (ose sipas Molierit) “Mjek përdhuni”. Kështu shkruan piktori Simon Rrota në kujtimet e veta kur dëshmon se kishte punuar për realizimin e skenografisë krah për krah me Poetin e “Lahutës së Malcis”.
Si kuptohet, skenografinë e shfaqjes e kishte bërë Fishta, sepse piktorin e ri e kishte thirrur, siç shkruan ai vetë, “për me ba disa skena për teatër, për një dramë të përkthyeme prej tij “Mjek përdhuni”.” Pra, Fishta e kishte përkthyer/përshtatur komedinë e Molierit, të cilën do ta vinte në skenë me nxënësit e shkollës së tij. Dhe “drama pati sukses të madh…, – vazhdon Simon Rrota në kujtimet e tij, – veçanërisht pse ishte në gjuhën shqipe…, prandaj bani një përshtypje të madhe në popull, ( i cili) e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë”. Komedia e Molierit “Mjek përdhuni” është shfaqja e parë teatrore në Shkodër (por edhe në Shqipëri), sepse “ma përpara nuk ishin shfaqë shfaqje në gjuhën shqipe”, pohon piktori Simon Rrota.
Kur u bë drejtor i shkollave françeskane të qytetit të shkodrës, Fishta futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi duke zëvendësuar kështu gjuhën italiane, që mbizotëronte në shkollat e atëhershme të Shkodrës (W.Kamsi). Qysh nga ajo kohë edhe të gjitha shfaqjet e kësaj shkolle, pa përjashtim, u dhanë në këtë gjuhë për një publik të gjerë”, shkruan në kujtimet e veta “mjeshtri i vjetër Kolë Dema”. Kjo vlente edhe për shfaqjet teatrore, prandaj Fishta qe kujdesur në radhë të parë për krijimin e një skene teatrore në një godinë që ishte ngritur qysh në vitin 1899 në oborrin e shkollës së Gjuhadolit, ndoshta, për të grumbulluar nxënësit gjatë festimeve të fund-viteve shkollore. Fishta ngriti brenda saj një skenë për shfaqjet e shkollës (1905) dhe më 1907 e rikonstruktoi për ta kthyer në teatër për një publik të gjerë”. Unë dua të mendoj se ky ishte teatri i parë kombëtar sepse plotëson atë kushtin që e veçova në paragrafin e parë të këtij shkrimi, që është gjuha përmes të cilës krijohet komunikimi teatror dhe edukimi përmes artit të aktrimit.
Ne duhet të mendojmë se Fishta me ta shpallur shqipen gjuhë mësimi në shkollat françeskane popullore që drejtonte (1902), duhet të ketë kërkuar që edhe veprimtaritë jashtëshkollore të bëheshin në atë gjuhë (“Vetëm pas vitit 1902 kur qe futur si gjuhë mësimi shqipja, të gjitha shfaqjet e kësaj shkolle, pa përjashtim, u dhanë në këtë gjuhë për një publik të gjerë” (Kolë Dema). Por shfaqja e një komedie (nga repertori evropian i teatrit klasik) në gjuhën shqipe, përshtatur psikologjisë, rrethanave dhe koloritit shkodran, siç ishte komedia e Molierit (Mjek përdhuni) mund të merret prej nesh si fillim i teatrit në Shkodër (e Shqipëri).
Jemi në vitin 1905.
Ndërkohë një françeskan tjetër ka shkruar një dramë origjinale (“Marka Kuli Kryeqitës”) dhe po këtë vit (1905) e ka vënë në skenë në një teatër tjetër, në atë të kolegjit të Jezuitëve, i cili ka qenë ngritur si teatër qysh në vitin 1890 dhe pas rikonstruksionit kishte një skenë mjaft funksionale për kohën dhe një sallon prej 450 vendesh dhe më tej pas një rikonstruktimi më të thellë pat shërbyer dhjetë vjet për trupën profesioniste të Shkodrës. Edhe ky teatër plotëson kushtin për të qenë kombëtar, së paku, deri në vitin 1967 kur mbaron së ndërtuari në Shkodër teatri Migjeni që funksionon edhe sot. Përveç Fishtës dhe Gjeçovit, pionierë të teatrit shqiptarë me pjesë të shkruara dhe të vëna në skenë prej tyre, janë: Anton Xanoni, Kolë Mirdita (Helenau), Hilë Mosi, Ndoc Vasia, Zef M. Harapi dhe profesori im i latinishtes Henrik Lacaj…
Në Shkodër shfaqjet e para teatrore konsiderohen argëtimet e organizuara prej nxënësve të shkollave të jezuitëve (nga viti 1859) dhe françeskanëve (nga viti 1861) gjatë ceremonive të mbylljes së viteve shkollore. Në këto ceremoni përveç nxënësve dhe mësueseve vinin edhe prindër dhe herë pas here edhe personalitete lokale. Pranë këtyre shkollave, si u tha edhe më sipër, u ngritën edhe sallonet e para të shfaqjeve: salloni i jezuitëve me 450 vende, i françeskanëve me 300 vende, i motrave stigmatine (1914) me 250. Në vitet ’30 në Shkodër bëheshin shtatë teatro (ndonjë edhe kinoteatër), me gjithsej 2500 vende.
Por teatrin nuk e përbën thjesht godina e tij: Teatrin e përbëjnë aktorët e tij, regjisorët dhe në mënyrë të veçantë komunikimi ideo-emocional me spektatorin e këtyre artistëve. Ndoshta, për kaq arsyetim në fillim të mbas Luftës së Dytë botërore, iu vu ferra së pari Teatrit të Françeskanëve dhe nja dy dekada më vonë edhe Teatrit të Jezuitëve. Sot nuk ka mbetur më asnjë shenjë reference për dy teatrot e parë kombëtarë të shqiptarëve. Në vitin 1956 u krijua në Tiranë Teatri Popullor që më vonë u quajt Teatri Kombëtar (1960). Ky teatër ka vazhduar ta ruajë kushtin kryesor: gjuhën shqipe. Dhe sot në atë gjuhë po miratohen ligje për t’ia vënë kazmën.
Pyetja e dytë që më vjen ndër mend në sa i shkruaj këto radhë është: si do t‘ia bëjnë politikanët e sotëm për t’ia vënë ferrën (kazmën) dhe për t ‘i bërë të paqenë zërat e mrekullueshëm të aktorëve, si: Zef Jubani, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Sander Prosi, Maria Logoreci, Violeta Manushi e sa e sa të tjerë që sot nuk jetojnë më? Si do t’ia bëjnë, sepse zërat e tyre të mrekullueshëm duket sikur qarkullojnë ende nga skena në sallë deri nëpër korridoret e asaj godine, duke u uruar mirëseardhje artdashësve dhe brezave me të ri të artistëve, që trimërohen prej artit që trashëgojnë prej këtyre artistëve për t’u përballur me sfidat e artit bashkëkohës, kudo në botë. Për këtë teatër Kombëtar, siç e shtjelluar më sipër, ka dhënë kontributin e vet si themelues edhe Gjergj Fishta, i cili na ka lënë të shkruara rreth 40 vepra teatrore, si: komedi sipas Molierit, tragjedi (si “Juda Makabe”), drama (si “Shën Françesku i Asizit”) dhe melodrama (si “Shqiptari i qytetnuem” dhe “Shqiptarja e qytetnueme”), poema liriko-dramatike (si “Jerina”), skeçe (si “Nën hajat të Parrizit”), përkthime etj. Këto tekste teatrore (ose shumica syresh) janë venë në skenë së pari nga autori i tyre, d.m.th nga vetë Fishta, që bënte punën e regjisorit, të skenografit, të realizuesit të dekoreve e gjithçka tjetër duhet për realizimin e një shfaqjeje teatrore. Pra, ai ka qenë jo vetëm dramaturg i suksesshëm që justifikon thënien e Konicës se Fishta “shkroi poezi, drama, komedi…dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”, por, gjithashtu, ai ka qenë i suksesshëm edhe në artin e skenës (në gjuhën shqipe) dhe njëri ndër pionierët (apo themeluesit) e teatrit shqiptar, dimension ky më pak i njohur tek ai, sepse për një gjysmë shekulli Poetit Kombëtar i ishin mbyllur dyert e komunikimit me lexuesin shqiptar. Ende pa iu njohur merita si themelues i Teatrit Kombëtar, këtij të fundit po i vihet kazma.
Më lejoni të riprodhoj disa vargje nga vepra dramatike e fundit e Fishtës (“Jerina”, 1941” ), të cilat vargje vijnë si amanet për çështjen kombëtare dhe Teatrin Kombëtar:
“Por, me sundue një komb, nuk do’ me thanë,/Me e mbajtë rob nën vete;/ Por, tue e ruejtë tok, me i sjellë të mbarën,/ Me i reshë pasuninë, mendjen m’ia shndritë,/ Jetën m’ia sigurue, e gjan’ e nderin, / Që të gjalltë e tij ma të kandshëm mbi dhe të bahet./ Por, për me i dalë këtij qëllimi në krye, / Domosdo lypet që si kombi unji / Si cilido qytetar, marrë veçmas,/ Të kenë liri veprimi, /Liri të sigurueme me kanun./ Prandaj me ditë të sotme, Lule të mija, /Kemi me qenë të lira… / Kam me sundue me t’drejtë e me dashtni / E për të qitë në punë ligjet e mbretnisë; / Gjithsi ta lypë vendi, mndorja (mendësia) e stina. /Kam me sundue me t’drejtë e me dashtni / E për të qitë në punë ligjet e mbretnisë; / Gjithsi ta lypë vendi, mndorja[1] e stina; / Unë kam për të zgjedhë jo Lule parazite / A çfarëdo bimësh së lëpushta edhe ekzotike; /Që me u ngopë pa punë me gja të shtetit.”