Dy qëndrimet e ministrit të jashtëm Ditmir Bushati për çështjen”Blushi”

Ditmir Bushat: “Blushi ka të drejtë, të zbatohet statuti”

Një ministër i kabinetit “Rama” del pro deputetit Ben Blushi për zhvillimin e zgjedhjeve në parti. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është shprehur se “Ben Blushi ka të drejtë, të zbatohet statuti”.

Bushati i jep të drejtë Blushit për çështjen që ka të bëjë më zbatimin e statutit. Por nga ana tjetër, ai thotë se nuk ndan të njëjtin qëndrim për kritikat e tij për qeverinë. Ministri Bushati shprehet se “kritikat e Blushit për qeverinë nuk qëndrojnë”.

Veç detyrës si ministër, Bushati është dhe koordinator i Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës. Nga ky qark janë dhe dy deputetët që kanë përkrahur publikisht tezat e Blushit, Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku.

Gjatë ditëve të fundit kundër Blushit kanë dalë ministri i Brendshëm, Saimir Tahir, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Të tre ministrat e kanë cilësuar debatin si të padobishëm.

Pak më vonë kur lajmi doli ministri i jashtëm reagon duke e mohuar lajmin.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përgënjeshtron nga telefoni i Blushit

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me debatin për zhvillimin e zgjedhjeve në Partinë Socialiste dhe kandidimin e Ben Blushit për kryetar të partisë. Sqarimi i ministrit vjen pas lajmit të botuar në “KJ”:

“Lajmi i  botuar në gazetën “Koha Jonë” dhe më pas tek portali “Lapsi.al”, që i referohet mbështetjes sime për kandidatin Blushi është i pasaktë, i qëllimshëm dhe provokativ. Me gazetën “Koha Jonë” nuk kam pasur asnjë kontakt, ndërsa me gjysmën e Lapsit më lidh një miqësi familjare, por jo politike. E përgënjeshtroj me forcë këtë lajm”,- thuhet në reagimin e ministri Ditmir Bushati.

Shënim i redaksisë: Ministri i Jashtëm mori në telefon personalisht botuesin e “Koha Jonë” Nikoll Lesi dhe i thotë se “jam me Ben Blushin dhe duhet mbështetur”. Gjithashtu, Ministri Jashtëm foli nga telefoni i Ben Blushit edhe me gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Pavarësisht kësaj, ne po e botojmë përgënjeshtrimin e ministrit Bushati.

Gazeta “Koha Jonë” është e gatshme të vendos në dispozicion tabulatet e  telefonatave që Ministri Bushati ka marre vetë në telefon dhe ka konfirmuar mbështetjen për Blushin.

Siç duket ministri i jashtëm është telefonuar nga kryeministri Rama dhe më pas u detyrua ta përgënjështroj.

 

SHKARKO APP