Dyshja Basha-Rama, dashuri së bashku, por dhe panik nga votat e LSI

Që nga 18 maji, kur Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën paktin mes tyre, kanë ndryshuar shumë gjëra në politikën shqiptare. Sulmet e PD-së ndaj Edi Ramës ndaluan brenda një dite. Nga selia blu nuk ka më akuza për kanabisin, nuk përmendet më fjala koncesion dhe gjithë ministrat e Ramës dhe drejtorët e PS-së nuk e kanë më ‘njollën’ e korrupsionit. Nga ana tjetër, Rama dhe socialistët pasi i dhanë gjysmën e qeverisë Partisë Demokratike kanë hequr dorë nga kritikat dhe akuzat. Edhe pse jemi në fushatë, për herë të parë nuk ka sulme politike ndaj kundërshtarit. Nuk ka skandale që zbulohen, nuk ka as sharje me “libër shtëpie” siç ndodhte gjithmonë. PS dhe PD nuk po paraqesin program elektoral. Vetëm tregojnë barsoleta dhe shigjetojnë nivele të ulëta të njëri- tjetrit. Të gjitha kundërshtitë 27 -vjeçare mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike janë zhdukur. Konflikti historik mes dy kampeve, ku ka shumë pabesi, akuza madje dhe viktima në emër të partive është zëvendësuar me një gjuhë humori dhe batuta. Aq shumë janë ulur tonet PS-PD sa për herë të parë mediat nuk japin si lajm akuzat apo programet elektorale, por ironinë dhe batutat që përdorin kryetarët. Kjo nuk ndodh sepse brenda një dite Lulzim Basha dhe Edi Rama vendosën të bënin fushatë të qetë.  Nuk është se dy drejtuesit e politikës u kthjelluan dhe thanë tani do mendojmë për Shqipërinë! Arsyeja e kësaj paqeje është “dashuria” mes Ramës dhe Bashës për pushtetin. Janë në fazën e parë të dashurisë dhe pazari duket se po u ecën mirë. Brenda pak ditësh zgjodhën ministrat. Rama nuk i refuzoi asnjë emër ministri dhe Basha vendosi ata që donte pa pyetur asnjë forum të PD-së. Bile PD dërgoi dy ish-shefa policie që i kanë arrestuar babain Saimir Tahirit dhe asokohe PS-ja i akuzonte si kriminelë. Kurse tani Rama i ka firmosur si drejtorë të përgjithshëm. Pse? Vetëm për pazarin e interesave personale të dyshes Rama-Basha.

Drejtorët po ndërrohen çdo ditë. Madje marrëveshja e fshehtë po zbulon se veç drejtorive të hipotekave, ALUIZNI-t dhe OSHEE që u deklaruan publikisht, Rama ka rënë dakord t’i japë edhe drejtori të tjera. Brenda 10 ditësh Rama thuajse i ka dhënë gjysmën e pushtetit dhe nuk ka bërë asnjë rezistencë për të kënaqur orekset e PD-së. Nga ana tjetër, Basha po bën fushatën më të dobët që mund të bëjë një opozitë duke i dhënë garanci Ramës se demokratët nuk ja rrezikojnë postin e Kryeministrit. Dhuratë më të mirë një opozitë nuk mund t’i bëjë një qeverie. E tha mirë Jozefina Topalli se, PD-në e shiti për pazare me Ramën.

Të dy janë të dashuruar dhe gjithë njerëzit që mbajnë afër janë të lumtur nga kjo marrëveshje. Por LSI ua prish humorin, i lë pagjumë të dy. LSI synon forcë e parë. Të rinjtë janë baza e LSI-së. Të pakënaqurit nga PD po shkojnë te LSI për ta votuar. Një pjesë e zemëruar dhe e qartë e PS nuk voton as PS dhe as PD. Prapë te LSI. Ndaj po sulmojnë Basha dhe Rama, në koordinim të plotë me njëri -tjetrin. Pazarin e tyre të pisët vetëm LSI ua prish. Ndaj rakordojnë sulmet Basha dhe Rama kundër LSI.

Në takimet në terren si Rama dhe Basha gjenden në një situatë tjetër politike nga ajo që kanë në zyrat e tyre në Tiranë. LSI-ja jo vetëm është përcaktuese, por rrezikon të nxjerrë nga loja komplet marrëveshjen Rama-Basha. Ky është sikleti dhe paniku më i madh që kanë sot Edi Rama dhe Lulzim Basha. Edhe kur nuk e thonë në publik, e shprehin në stafet e tyre dhe në ambientet e njerëzve të besuar.

Ilir Meta i paralajmëroi dje, të dy, se LSI do vendosë pas zgjedhjeve se me kë do bëjë koalicionin qeverisës, por e sigurt theksoi ai se, “edhe Rama, edhe Basha do turren më datë 26 qershor për t’i telefonuar Petrit Vasilit”.

Ish-kryetari i LSI dhe Presidenti në detyrë ua bëri paralajmërimin të dyve: Kujdes! Do vendosë Petrit Vasili se cilit do t’i japë votat për bashkëqeverisje.

Qamil Xhani

SHKARKO APP