E plotë/ Meta: Thellimi i krizës, BE do na penalizojë 101% për negociatat
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme dhe menjëherë ka bërë publike edhe arsyet e kësaj konference.
Sipas presidentit zgjedhje të ligjshme në Shqipëri ka vetëm në 13 tetor dhe në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje në Shqipëri.
Meta më tej u shpreh se kriza në Shqipëri nuk është vendore, por më e madhe.
“Në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje të ligjshme në Shqipëri. Zgjedhjet e ligjshme janë në 13 tetor. Arsyet pse unë e kam zgjedhur këtë datë ka të bëjë me pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe ka të bëjë edhe me datën 17-18 tetor. Kriza jonë nuk është krizë vendore, por shumë më e madhe’, tha ndër të tjera presidenti Ilir Meta gjatë konferencës për mediat“, është shprehur Presidenti.
“Askush nuk duhet të ketë iluzionin se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese kur të bëhet funksionale mund t’i japë legjitimitet 30 qershorit, pasi dekretet e Presidentit janë në fuqi”, ka thënë më tej Meta duke dhënë alternativën e tij për zgjidhjen e krizës në vend, që sipas tij rrezikon përshkallëzimin.
“Në mendjen time ekziston vetëm një datë, 18 tetori, se e kanë vendosur të tjerë, ajo që ne kemi vendosur bashkë është që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa. Nuk është ashtu si ka deklaruar Hahn që 80% e shqiptarëve e përkrahin këtë, por 100% e shqiptarëve. Është edhe një ditë provimi se integrimi është çështje standardesh dhe jo dëshirash. Unë insistoj të evitoj përshkallëzimin e kësaj krize që ndërkohë vazhdon, sqaroj se në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore.
Konferenca e plotë për Shtyp e Presidentit të Republikës
Kjo nuk është një konferencë e zakonshme, duke pasur në konsideratë që është 1 gushti. Situata në vend nuk është gjithashtu e zakonshme, të paktën për mua si President i Republikës.
Sigurisht nuk mund të mos ndjej dhe unë përgjegjësi për këtë situatë që preokupon të gjithë qytetarët shqiptarë, pa asnjë dallim dhe jo vetëm qytetarët shqiptarë këtu, por për të gjithë bashkëkombasit tanë, të cilët duan një Shqipëri të qëndrueshme dhe me kredenciale të forta demokratike, në interes të forcimit të stabilitetit të saj, por dhe të kredibilitetit të faktorit shqiptar në tërësi në këtë rajon, si një faktor stabilizues dhe integrues.
Së dyti, në mendjen time ekziston vetëm një datë, 18 tetori 2019.
Është një datë që nuk e vendos as unë dhe askush tjetër këtu, por e kanë vendosur të tjerë. Ajo që ne e kemi vendosur bashkë, që me nisjen e pluralizmit politik, është që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa.
Ky është një qëllim i përbashkët i të gjitha forcave politike dhe i të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Kjo nuk është ashtu siç ka deklaruar komisioneri Hahn që 80% e shqiptarëve përkrahin këtë aspiratë. Unë besoj se janë gati 100% e shqiptarëve që e përkrahin këtë aspiratë dhe këtë qëllim.
Sigurisht që 18 tetori 2019 është dhe një ditë provimi, sepse kuptohet që integrimi europian është çështje standardesh, nuk është thjesht çështje dëshirash, që nga vetë themelimi i Bashkimit Europian.
Nuk dua të përsëris vetveten, por dua të theksoj vendosmërinë time për të evituar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj krize, që ndërkohë vazhdon.
Dua t’i sqaroj të gjithë se, në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore dhe të ligjshme në Republikën e Shqipërisë.
Zgjedhjet e ligjshme shtetërore, kushtetuese janë më 13 tetor 2019.
Arsyet përse unë kam dekretuar datën 13 tetor, besoj se ju e dini. Ishte data më e afërt, duke respektuar të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore, që mund të garantonte përfshirjen e gjithë forcave opozitare që do të kishin dëshirë të merrnin pjesë në zgjedhje. Jo të atyre që nuk kanë dhe që nuk do të donin të merrnin pjesë në zgjedhje.
Dhe njëkohësisht sepse 13 tetori është në prag të 17 dhe 18 tetorit 2019.
Natyrisht që kriza jonë nuk është thjesht një krizë vendore. Padyshim është shumë e madhe edhe pse qytetarët i ndjejnë në jetën e tyre të përditshme efektet e qeverisjes dhe të administrimit vendor, më thjeshtë se ato të atij qendror.
Kjo është një krizë më e thellë.
Në angazhimet e mia për të ndihmuar vendin për një zgjidhje më të plotë kam theksuar se 13 tetori mund të shërbente, në rast se do të kishte vullnet nga të gjithë, pra nga Kryeministri në radhë të parë, nga mazhoranca, nga opozita e të gjitha llojeve, nga Presidenti, i cili është akuzuar nga lidershipi i mazhorancës si një faktor kontribues i kësaj krize, sipas tyre, që t’u jepja mundësinë qytetarëve shqiptarë në një ditë të vetme, që të kursenim dhe tre palë shpenzime, që të votonin për pushtetin vendor, për të gjitha partitë që duan të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, që të votojnë për Kuvendin e Shqipërisë, që nuk mendoj se është në një situatë normale në vlerësimin tim, dhe njëkohësisht të votonin dhe për Presidentin e Republikës, meqenëse ka disa pretendime nga lidershipi i Partisë Socialiste, që sikurse dihet gjithashtu që ka qenë mbështetësja kryesore për zgjedhjen time në këtë detyrë përpara dy vitesh.
Kam menduar gjithmonë që, zgjidhjet më të mira duhet t’i japin qytetarët tanë në mënyrën më civile dhe demokratike, tani kur u bënë tre dekada që jemi në pluralizëm politik.
Megjithatë ky është vullneti im, kjo është dëshira ime dhe kjo nuk do të thotë që unë insistoj dhe dua t’i imponohem Kryeministrit apo Kuvendit që t’i bashkohen këtij vullneti.
Ata mendojnë që Parlamenti është në një situatë normale. Të vazhdojnë! S’kam asnjë shqetësim deri në vitin 2021 kur është afati i fundit i këtij Kuvendi. Unë nuk mendoj që kjo gjë do t’iu kontribuonte gjithë proceseve që kemi përpara.
Megjithatë ajo që duhet të nënvizoj është që 13 tetori 2019 është një ditë e pashmangshme nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore. Është një detyrim për t’u zbatuar, duke filluar nga KQZ-ja, që duhej prej kohësh të kishte filluar zbatimin e dekretit të Presidentit për 13 tetorin dhe të ftonte të gjithë forcat politike që kanë dëshirë të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, jo ato që s’kanë dëshirë, dhe mund të mos kenë dëshirë asnjëherë, është e drejta e tyre.
Askush nuk i ndalon partitë politike të shndërrohen në OJQ me vullnetin e tyre. Kjo është një e drejtë, jetojmë në demokraci.
Por askush nuk duhet të ketë iluzione se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese, kur të bëhet funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, mund t’i japë legjitimitet 30 qershorit, për arsye se dekretet e Presidentit janë në fuqi, si ato për shfuqizimin e 30 qershorit, si ai për zgjedhjet e 13 tetorit, pra flasim për zgjedhjet vendore.
Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund të gjykojë për këto dekrete dhe çdo gjykim i Gjykatës Kushtetuese – duhet të keni parasysh ju, duhen të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë të tjerët, edhe ata që e dinë dhe bëjnë sikur s’e dinë, që u intereson gjithë kjo zallamahi këtu, që është tërësisht e pakuptimtë, – se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur e dekretin e Presidentit do të ketë efekt për të ardhmen, nuk ka efekt për të shkuarën.
Dekretet e Presidentit kanë qenë në fuqi, të drejta apo të gabuara nga ana kushtetuese deri tani, dhe janë akoma derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Nuk e kthejnë më dot 30 qershorin e këtij viti, që ka ikur si datë kalendarike si një mundësi për zgjedhjet.
Kështu që jemi në kushtet e thellimit në paligjshmëri në rast se nuk reflektohet menjëherë për të zbatuar dekretin e Presidentit për datën 13 tetor 2019, dhe që do të jetë një kosto mjaft serioze nga pikëpamja jo vetëm kushtetuese, ligjore për vendin, por është një penalizim i sigurt, 101%, për çeljen e negociatave të Shqipërisë në tetor.
Kjo do të ishte një goditje e madhe e të gjithë perspektivës europiane të vendit dhe popullit tonë, që është vonuar pafundësisht gjatë këtyre tri dekadave, për fat të keq, nga mos nxjerrja e mësimeve nga gabimet e përsëritura.
Unë e ftoj edhe njëherë Kryeministrin Rama që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit të Presidentit të Republikës për datën 13 tetor!
Ftoj KQZ-në dhe të gjithë institucionet e tjera të mos vazhdojnë paligjshmërinë, por të bëjnë detyrat e tyre!
Ftoj të gjithë forcat politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, jo ato që s’duan dhe që mund të mos duan asnjëherë, – kush mund të detyrojë dikë të marrë pjesë me pahir në zgjedhje, – që të regjistrohen, sepse qytetarët shqiptarë, në përputhje me të drejtat e tyre në Kushtetutën e Shqipërisë, në Kodin Zgjedhor, në të gjitha ligjet, konventat europiane që Shqipëria ka detyrim t’i respektojë dhe t’i zbatojë, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që është në fuqi me Bashkimin Europian, kanë të drejtë të zgjedhin, jo të votojnë!
Ky është një detyrim që u takon të gjithëve.
Qeveria e konsideron normale këtë situatë? S’ka asnjë problem! Qeveria le të vazhdojë! Unë asnjëherë nuk i kam kërkuar, as Kryeministrit dhe askujt tjetër që të japë dorëheqjen, për arsye se kjo gjë është kërkuar nga drejtues të opozitës, që ka ikur nga Parlamenti apo nga kushdo tjetër.
Thjesht i kam kërkuar të tregojë përgjegjësitë e veta, të respektojë kufijtë e saj që i ka përcaktuar Kushtetuta në ndarjen e pushteteve dhe sigurisht të ofrojë disa garanci të domosdoshme për një proces normal zgjedhor.
Unë nuk kam pasur dhe nuk kam iluzione, e theksoj edhe njëherë, që Shqipëria sot për një vit apo për dy vite do të organizojë ‘zgjedhje daneze’, sepse kjo është një çështje që kërkon një kulturë tjetër, një kohë tjetër dhe që nuk krijohet as me njëzet vite dhe as me dy vite. Por ne zgjedhjet, të paktën me standardet që kemi pasur edhe më të mira, kemi detyrim, përndryshe ne kemi zero pikë zero përqind mundësi që të çelim negociatat me Bashkimin Europian në tetor.
Unë mendoj se këtë e dimë mirë të gjithë.
Përsa i takon Presidentit, çfarë mund të bëjë në këtë situatë?
Është shumë e thjeshtë. E kam bërë gjithmonë sa herë vendi ka qenë në situata të tilla: Të jap shembullin personal!
Nuk duan zgjedhje parlamentare më 13 tetor? Le të bëjmë edhe zgjedhje presidenciale! Nuk ka asnjë shqetësim. Madje bashkë me zgjedhjet vendore.
Kjo është një mundësi për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti me veprimet e tij ka dëmtuar unitetin e popullit shqiptar dhe u ka hequr të drejtën për zgjedhje qytetarëve, atëhere le të ndëshkohet nga qytetarët shqiptarë më 13 tetor me votën e tyre të lirë dhe demokratike.
Jo vetëm kaq, por Presidenti është edhe më i hapur, sepse nuk ka frikë nga vota e shqiptarëve.
Në rast se e kërkon kryeministri, Presidenti është i gatshëm të lërë edhe detyrën e Presidentit të Republikës gjithmonë duke konkurruar më 13 tetor, përpara qytetarëve shqiptarë, por vetëm me një kusht.
Që të mos jetë President në fushatë, kushti i vetëm është që në këtë Zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, i cili ka qenë në këtë Zyrë dhe që ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik qëndron mbi çdo gjë tjetër.
Që nuk e ha as shantazhin dhe as presionin, për shembull siç është Profesor Rexhep Meidani.
Këtë gjë nuk e kam biseduar me njeri, por jam i sigurt se dy-tri çështje të rëndësisë kombëtare, që trajtohen nga kjo Zyrë, ai do t’i mbronte ndoshta edhe më mirë se sa unë.
Të mos bëjmë sikur nuk e shohim thellimin e krizës!
Marrja e bashkive në këtë mënyrë siç ka ndodhur nuk është as e ligjshme dhe as legjitime!
Nuk është e ligjshme, sepse nuk pasur zgjedhje të ligjshme, kushtetuese, shtetërore më 30 qershor, dhe nuk është as legjitime, sepse të marrësh bashkinë e Kavajës apo të Kamzës, apo të Shkodrës me 6% a 7% dhe të kesh kontrollin e gjithë administratës apo të gjithë shërbimeve të bashkisë, të kesh edhe gjithë këshillin bashkiak – kjo është skandaloze!
Këtu bie totalisht sistemi i llogaridhënies në vend!
Kjo nuk dëmton vetëm qytetarët shqiptarë, të cilët përkrahin opozitën, dhe padyshim që për këtë situatë opozita ka një përgjegjësi historike, por kjo penalizon edhe ata qytetarë, të cilët kanë votuar Partinë Socialiste apo parti të tjera. Kush do t’i mbrojë interesat e tyre si qytetarë në këshillat bashkiakë nga abuzivizmi i kryetarëve, të cilët dihen se i përkasin vetëm një force politike dhe mund të bëjnë çdo gjë në kushtet e mosekzistencës së asnjë lloj opozite apo të një pozite pothuajse të papërfillshme në kuptimin e përfaqësimit atje?
Ndaj le t’ia kursejmë vendit tonë këtë situatë jo normale, këtë situatë jodemokratike!
Unë i falënderoj të gjithë qytetarët për qetësinë që kanë treguar në përgjithësi deri më tani!
Kjo ka qenë një krizë shumë e fortë dhe është krizë e thellë, por me reflektimin e të gjithëve, unë mendoj se kjo mund të zgjidhet.
Nuk besoj në zgjidhjet e shpejta e të jashtëzakonshme dhe ëndërrimtare, brenda një dite, por hap pas hapi kjo krizë mund të zgjidhet.
Dhe hapi i parë është zbatimi i dekretit të Presidentit të Republikës për datën 13 tetor 2019.
Hapi i dytë është investimi prapë i Presidentit që të votohet edhe ai më 13 tetor dhe që të gjithë ata, të cilët kontestojnë Presidentin gjithashtu të bëjnë fushatë kundër tij e të bindin qytetarët për dëmet që Presidenti aktual u ka sjellë shqiptarëve, demokracisë, pluralizimit politik dhe interesit publik.
Të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre!
Nuk vazhdon kjo histori duke u fshehur askush nga ne, përballë një situate që nuk na nderon. Jo popullin shqiptar, sepse nuk është faji i popullit, por as klasën politike sot në vendin tonë.
I ftoj që të gjithë të reflektojnë!
Përndryshe do të më detyrojnë të ftoj të gjitha mediat botërore dhe të shkoj e të vendos një buqetë me lule te varri i ish-presidentit Ramiz Alia!
Ramiz Alia, edhe pse ishte udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, edhe pse kishte ardhur në pushtet me armë e me luftë, edhe pse ishte i ndërgjegjshëm që në 45 vite ishte krijuar një armiqësi e tmerrshme në vend për shkak të luftës së klasave, të vrasjeve e të persekutimeve, përsëri tregoi përgjegjshmëri – sot e vlerësojmë shumë herë më tepër pas këtyre gjërave që po na shohin sytë, – për të çtensionuar gjithë atë trysni sociale e politike, për t’i shtyrë zgjedhjet. Për t’i dhënë mundësi opozitës së asaj kohe që të merrte pjesë në zgjedhje edhe pse e dinte që qëllimi i saj ishte përmbysja e lidershipit të tij komunist dhe të asaj që ai përfaqësonte.
Ne nuk duhet të vonohemi më tej!
Natyrisht është 1 gusht. Secili mund të pushojë dhe të reflektojë pak. Por shtatori është shumë vonë!
Ndërsa pas 18 tetorit nuk na duhet asnjë marrëveshje. Për çfarë të na duhet marrëveshja?! Që mbi gërmadhat e një përpjekjeje mbarëkombëtare të çuar dëm nga disa politikanë të papërgjegjshëm, të vetëllastuar, – mund të jem edhe unë i tillë, le ta gjykojnë të gjithë qytetarët shqiptarë me votën e tyre më 13 tetor, – thjesht të shpëtojmë karrierat tona për të ardhmen, sepse Shqipëria do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar të dalë nga rruga e sigurt e integrimit europian?
Gazetari: Zoti President, ka edhe katër ditë afat për partitë politike që të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 13 tetorit dhe deri më tani pro kësaj date janë deklaruar vetëm aleatët opozitarë.
Ndërkohë që Kryeministri Rama nga ana tjetër ka deklaruar kategorikisht se nuk e njeh 13 tetorin dhe nuk ka një përgjigje vendimtare nga ana e liderit të opozitës zoti Basha. Nëse më 13 tetor do të garojnë vetëm këto parti të vogla opozitare, a mund të quhen zgjedhjet të rregullta e ligjore?
Presidenti Meta: Kur kam firmosur dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve para jush e kam bërë të qartë se nuk jam këtu për të plotësuar tekat e asnjë partie, përfshirë edhe ato opozitare apo disa parti opozitare.
Unë jam këtu për të plotësuar detyrimet e mia shtetërore.
Dhe unë detyrimet e miat shtetërore, kushtetuese, ligjore i di shumë mirë.
13 tetori është e vetmja datë kushtetuese ligjore për zgjedhjet vendore në Shqipëri!
Më 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore dhe të ligjshme! Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë dhe për këtë përgjegjësi, që unë kam marrë, kushdo që nuk ka qenë dakord ka pasur kohë të ankohet në çdo gjykatë të Shqipërisë apo ndërkombëtare, që ka juridiksion mbi vendin tonë.
Gjykata Kushtetuese, kurdo që të ngrihet, që sot a nesër, nuk ka mundësi të legjitimojë 30 qershorin, sepse e ka të pamundur për shkak se dekretet kanë qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur si një datë e ligjshme. Ajo mund të bëjë interpretimin në rrethana të tilla se si duhej, duhet apo mund të veprojë Presidenti i Republikës dhe kjo do të ketë efekt për të ardhmen, për mua apo cilindo qoftë pas meje në këtë detyrë.
Gazetari: Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama deklaroi hapur se është gati të dialogojë me opozitën, por vetëm për reformën zgjedhore, ndërkohë që i mbylli derën çdo negociate të mundshme sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme sikurse pretendon opozita me qëllim kapërcimin e krizës. Ju si e konsideroni këtë deklaratë? Mendoni se ka ende kohë për reflektim nga Kryeministri? Gjithsesi ai ka deklaruar se nuk ka më negociata, vetëm dialog për reformën zgjedhore…
Presidenti Meta: Unë nuk jam këtu për të dhënë një gjykim, as mbi kërkesat apo listën e dëshirave që mund të ketë opozita edhe as mbi dëshirën apo vullnetin e Kryeministrit për çështje të caktuara.
Unë dhashë një vlerësimin tim, e kam dhënë prej kohësh, për datën 13 tetor, që mund të shërbejë jo vetëm për zgjedhjet vendore, që duhet t’i shërbejë sepse është një detyrim ligjor.
Ky është një minimum i paevitueshëm nga të gjitha institucionet e vendit në radhë të parë dhe forcat politike që duan të marrin pjesë në një proces të ligjshëm.
Njëkohësisht e kam bërë të qartë, meqenëse kemi zgjedhje më 13 tetor, meqenëse situata ka ardhur e tillë dhe kemi këtë situatë që kemi në Kuvend, që mua nuk më duket shumë normale dhe shumë përfaqësuese për faj të të gjithëve, t’i jepnim një zgjidhje të gjitha çështjeve.
Edhe për pushtetin vendor, edhe për Kuvendin e Shqipërisë edhe për Presidentin, meqenëse ka pretendime që Presidenti mund të jetë, apo ka qenë, i njëanshëm apo i ka sjellë dëme demokracisë apo popullit shqiptar.
T’i japim një mundësi qytetarëve të shprehen me votë në mënyrën më të qetë, më demokratike dhe përmes zgjedhjeve, se këto parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Kushtetuta nuk parashikon votime! Këto i parashikonte Kushtetuta e vjetër e para viteve ‘90-të.
Gazetari: Ju flisni për 13 tetorin, për zgjedhjet vendore, ndërkohë që në qershor më datën 10 dhe 27 ju keni nxjerrë dy dekrete. Së pari për anulimin e 30 qershorit dhe i dyti për dekretimin e 13 tetorit.
Mund të kemi një dekret të ri ndoshta nga shtatori për një datë të re zgjedhjesh lokale, pasi ju e keni lënë të hapur një mundësi për dekretimin e një date tjetër dhe nëse arrihet një kompromis mes forcave politike dhe 17-18 tetori i rëndësishëm i këshillit të BE mund ta shohë si një sens pozitiv dhe të ketë një vlerësim pozitiv për çeljen e negociatave?
Presidenti Meta: Nëse pyetja juaj ka të bëjë me faktin që ju presupozoni që drejtuesit e këtij vendi të gjithë bashkë janë kaq të papërgjegjshëm sa gjithë gushtin t’ia fusin me pushime dhe në shtator të mendojnë për zgjidhjen e krizës, unë mendoj që ky do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë së tyre përpara asaj që kanë gatuar vetë me duart e tyre, me sjelljet e tyre, me mosveprimet e tyre deri tani dhe me përgatitjet e tyre, tani që mund të fillojmë me kundërkohë.
Se çfarë është kundërkoha e kam sqaruar dje, pra kur koha fillon e punon kundër teje, që nuk i ke bërë detyrat në kohë si puna e atyre nxenësve që kujtojnë se ka kohë për provimin e matematikës kryesisht. Kjo do të ishte e papranueshme, e pamoralshme.
E theksoj, Shqipëria në vitet 2000-2001 ka pasur pothuajse të njëjtin hap integrues me Kroacinë. Ka qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi. Romano Prodi erdhi këtu në vjeshtën e vitit 2001 si President i Komisionit Europian dhe tha “stabilitet, stabilitet, stabilitet”!
Ne e nënvlerësuam këtë, vazhduam punët tona, këto i vazhduam edhe më pas, por po i vazhdojmë prapë.
Ai që i paguan kostot është populli shqiptar.
Është mosbesimi tek e ardhmja e këtij vendi me këtë klasë politike, me këtë mungesë përgjegjësie ndaj vendit dhe me këtë zbrazje të Shqipërisë nga të rinjtë dhe nga forcat më aktive, më progresive dhe më krijuese, që mund ta zhvillojnë vendin shumë më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme se sa deri më tani.
Unë shpresoj shumë edhe në reflektimin e Kryeministrit dhe në çdo moment që ai është i gatshëm, unë gjithashtu jam i gatshëm ta pres, apo edhe ta takoj kudo që ai e mendon.
Por gjithmonë në mënyrë publike dhe transparente, sepse po i afrohemi kundërkohës.
Kjo nuk është një kundërkohë vetëm për ne që kemi përgjegjësinë tonë, por është kundërkohë edhe për perspektivën europiane të vendit tonë.
Nuk është në interesin e Kryeministrit, jam i bindur, vazhdimi i kësaj situate. Nga kjo situatë përfitojnë shumë pak njerëz, të cilët përfitonin edhe kur Kryeministri aktual ishte në opozitë, të cilët përgatiten të përfitojnë edhe nesër kur ata mendojnë që ai nuk do të jetë në krye të qeverisë.
Unë shpresoj në reflektimin e tij.
Gazetari: Zoti Meta, ju keni paralajmëruar për një tërmet “apokaliptik” në Ballkan. Sizmiologu grek të cilit jeni referuar e ka përgënjeshtruar këtë version, ndërsa Instituti i Sizmiologjisë në Shqipëri thotë se nuk ka vend për panik. Ndërkohë, që letra juaj ka shkaktuar jo pak konfuzion tek qytetarët. A jeni konsultuar ju më parë me sizmiologët shqiptarë apo edhe me sizmiologë të tjerë përpara se të bënit publike edhe këtë letër?
Presidenti Meta: Besoj se kjo çështje është sqaruar në mënyrën më të qartë dhe më të ndershme.
Këtë lajm nuk e kam shpërndarë unë për ju! Unë lajmet që kanë dalë nga drejtuesit e këtij institucioni të rëndësishëm në Greqi , që kanë dalë te “BBC”, “Washington Post” dhe te të gjitha mediat greke dhe te mediat këtu në Shqipëri e kudo tjetër, i kam marrë seriozisht në konsideratë.
Nuk ja kam përcjellë këtë shqetësim unë medias, përkundrazi.
Unë ua kam përcjellë autoriteteve përgjegjëse të qeverisë që ta ndjekin, sepse ato kanë në varësi edhe institucionet e tjera shkencore dhe të gjithë autoriteteve që merren me emergjencat civile, në mënyrë që ta verifikojnë me homologët e tyre grekë apo diku tjetër, për të marrë masa parandaluese.
Ju e dini se kush e ka nxjerrë letrën time, se unë nuk kam patur asnjë interes të shqetësoj dikë.
Është detyra e Presidentit, – kjo është një çështje që besoj që këshilltari im për Sigurinë Kombëtare e ka sqaruar shumë qartë – , që të tërheq vëmendjen për të marrë masa për parandalimin e pasojave, apo për minimizimin e tyre në interes të mbrojtjes se jetës së qytetarëve shqiptarë, të pronës publike, të pronës private.
Sepse kjo është detyra e shtetit. Kjo është edhe një nga detyrat e Presidentit të Republikës edhe si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Gazetari: Zoti Meta, nëse në tetor nuk do të mbahen zgjedhjet , cili do të jetë hapi yt i radhës?
Presidenti Meta: Unë kam qindra e mijëra hapa përpara, sepse tani fillon edhe sezoni i ngjitjes nëpër male.
Unë do e filloj me kodrat, para se të shkoj te maja e Korabit, siç shkova vjet në majë të Jezercës.
Pa u stërvitur në kodra, nuk ngjitesh dot në male!
Kështu që do të kemi shumë hapa. E rëndësishme është se ky hap që të gjithë presim, pra që vendi ynë ta hedhë në mënyrë të bashkuar hapin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, të jetë një hap i sigurt, i qëndrueshëm dhe dinjitoz për atë që meritojnë qytetarët tanë.
Vetëm falë qytetarëve tanë, këtë krizë të gatuar me papërgjegjshmërinë më të madhe nga e ashtuquajtura elitë politike në vend, këtë rrëmujëhanë ligjore, do ta përmirësojmë me reflektimin dhe me kontributin e të gjithëve.
Gazetarja: Keni deklaruar që nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit të qëndroj si spektator, ndërsa partia më e madhe opozitare Partia Demokratike nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje. A ishte ky një mesazh për zotin Basha?
Presidenti Meta: Presidenti nuk ka asnjë mundësi t’i imponojë askujt pjesëmarrjen me pahir në zgjedhje.
Në zgjedhje merret pjesë me dëshirë, merret pjesë me vullnet.
Në çdo rast, në zgjedhjet e 13 tetorit, edhe sikur partitë e opozitës, që janë larguar nga Parlamenti, përsëri të vazhdojnë të merren me riorganizimet e tyre të brendshme si një çështje prioritare – dhe është një e drejtë e tyre – apo dhe me çështje të tjera, të cilat ata i komunikojnë me ju çdo ditë, unë jam i sigurt dhe do të punoj që të paktën partitë e reja të kenë kohën të regjistrohen në mënyrë të ligjshme dhe të paraqesin kandidat në të 61 bashkitë e Shqipërisë.
Që të kemi zgjedhje në çdo rast dhe jo votime.
Gazetarja: Cili do të jetë vendimi juaj nëse KQZ-ja nuk bindet zoti President?
Presidenti Meta: Unë jam i durueshëm edhe shpresëplotë që do të kenë një reflektim të shpejtë.
Shpresoj që të gjithë të kuptojnë që shtatori është shumë, shumë vonë.
Gazetarja: Zoti President ju keni deklaruar, edhe më herët por edhe sot, që me datën 13 tetor bashkë me zgjedhjet lokale të bëhen dhe ato për President, ndërsa për zgjedhjet parlamentare e latë në dorë të zotit Kryeministër të reflektojë. A do të kandidonit ju për President më 13 tetor nëse do të zhvillohen zgjedhje?
Presidenti Meta: Më duket se e bëra shumë të qartë mendimin tim, dhe ku ka gjë më të rëndësishme për mua sesa të kem fatin të kandidoj përpara qytetarëve shqiptarë dhe t’i bindem i përulur verdiktit të tyre, cilido qoftë ai.
Gazetarja: Duke u nisur nga një postimi juaj sot në Facebook, ku zoti Rama në kohën ku ishte Ministër Kulture ishte në koherencë me atë që po deklaroni ju sot. A keni bërë ju ndonjë gabim në raport me zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos vitet e fundit që kanë çuar dhe në thellimin e kësaj krize?
Presidenti Meta: Nuk mendoj se ka njeri të pagabueshëm.
E rëndësishme është të mos bëjmë faje dhe e rëndësishme është që gabimet dhe aq më tepër fajet tona të mos penalizojnë një popull të tërë.
Ne kemi bërë të gjithë gabime apo qoftë dhe faje. Kemi dhe shumë përgjegjësi të tjera. Përndryshe Shqipëria do të ishte prej vitesh anëtare e Bashkimit Europian, jo të përpiqej për çeljen e negociatave. Sidoqoftë kemi mundësi të reflektojmë në orët dhe në ditët që vijnë.
Përpara se të kalojmë në kundërkohë. Dhe kundërkoha pastaj është të fillojmë të shpikim fajtor se kush e kishte fajin për një gjë që ne e dimë.
Unë dola këtu për të marrë edhe një herë përgjegjësitë e mia.
Unë jam në gatishmëri 24 orë në 24 orë për dialog.
Edhe unë do bëj ca pushime, por jam 30 minuta larg nga Tirana dhe maksimumi 30 minuta larg nga Kukësi.
Faleminderit!