Edhe dekoratat ia hoqën Presidentit të Republikës!
Nga Afrim Krasniqi-
Në vitin 2022 qeveria imponoi një ligj të ri të pa konsultuar mbi dekoratat dhe medaljet, – unik në disa elementë dhe në kontrast të thellë me nenin përkatës kushtetues që citon ato. Një histori tipike klienteliste kur fuqia ekzekutive imponon akte në funksion të qëllimeve ditore. Pasojat nuk lidhet me emrat aktualë që drejtojnë, por me ligjet me konceptin e shtetit dhe hierarkinë e vlerësimeve shtetërore, pra me memorien, integritetin dhe sistemin e vlerave që ndjek një vend.
Tabela paraqet listën e dekoratave në RSH, – siç shihet, 7 të parat jepen nga Presidenti, kompetencë kushtetuese që është hequr, – duke ia kaluar de facto një strukture të re të ngritur në kryeministri, “Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve”. I vetmi vend europian që ka krijuar këtë model. Ligji i ri parashikon se dekorata/medalja e renditur në vendin e 8-të është kompetencë e kryeministrit! Dhe në thelb ligji është bërë vetëm për këtë, për të krijuar akses që kryeministri të jap medalje. Dhe kryeministri aktual po e shijon, – sot i dha një rektori, para pak ditësh ish kryeministrit, dhe kështu me rrallë ua ka dhënë disa gjeneralëve, ambasadorëve, sportistëve, etj. Çështje marrëdhëniesh publike dhe preferencash. Ligji nuk e detyron të konsultohet me askënd, përveç stafin e tij ministror.
Ajo që bëhet groteske në këto skena tipike abuzive me pushtetin, arrogancën dhe nevojat politike ditore është hierarkia që vendoset / imponohet: p.sh., këto ditë medalja numër 8 iu dha një ish-zyrtari, i cili prej dy dekadash mban urdhrin numër 2, pra dekoratën e dytë më të lartë! Është njësoj sikur një personi që mban titullin Prof. Dr. pas disa vitesh t’i jepet titulli master, diploma bachelor apo diçka më poshtë! Ose më tej, – Shqipëria ka dekoruar tre presidentë amerikanë, por Klinton mban dekoratën më të ulët, 6-7 gradë më poshtë, dhe në hierarki, dekoratën e rangut më të ulët që Klinton ka fituar nga ndonjë shtet tjetër europian! Shembuj të tillë ka shumë. Mjaftojnë këto detaje për të kuptuar sesi ligjet e porositura, të pa konsultuara dhe të arnuara për individë të caktuar në pushtetet e radhës deformojnë seriozitetin dhe solemnitetin e shtetit, memorien shtetërore dhe hierarkinë e nderimit/vlerësimit të tij dhe përmes tij.
E di se këto tema nuk janë trendi në vendin ku publiku ushqehet me batuta, replika ditore shtypi dhe info SPAK-u, por kur këto të fundit do të harrohen, – institucionet mbeten, shteti mbetet, memoria mbetet dhe atëherë do të jetë vonë për të kuptuar edhe aspektet groteske të historisë tonë politike/shtetërore.

KOHA JONË SONDAZH

