Edhe komisioneri “socialist” Johannes Hahn thotë se Shqipëria ka pak shanse në BE

Shanset e Shqipërisë duken të zbehta për në BE. Komisioneri në ikje i zgjerimit në BE Johannes Hahn shpesh herë nuk e ka përmendur Shqipërinë dhe integrimin bashkë, por kësaj here e ka deklaruar qartë se shanset për Shqipërinë janë shumë më të pakta në krahasim me ato që ka Maqedonia e Veriut këtë tetor.

Në një intervistë për median austriake “Der Standard”, Hahn ka deklaruar se nuk është sekret që Maqedonia e Veriut shihet me një sy pozitiv nga vendet anëtare, ndërsa në Shqipëri çështja e hapjes së negociatave në tetor është në pikëpyetje. Hahn rradhit largimin e opozitës nga parlamenti, mungesën e dialogut politik nga ana e maxhorancës si dhe procesin për shkarkimin e Metës, si tre ndër arsyet se përse vendet e BE-së nuk e shohin Shqipërinë si një vend që do të mund të hapë negociatat në tetor.

“Jemi ende duke punuar që t’i çojmë të dy vendet në negociata. Por nuk është sekret se ndjesia mes shteteve anëtare për Maqedoninë e Veriut është thjesht më e mirë. Të dy vendet i kanë përmbushur kriteret e kërkuara si kusht nga anëtarët e bllokut. Për këtë arsye, kemi bërë një rekomandim për të dyja. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk ka arritur vetëm reformat e kërkuara, por edhe marrëveshjen historike të Prespës e po kështu, edhe traktatin e miqësisë së mirë me Bullgarinë. Për Shqipërinë, për fat të keq, në plan të parë tani janë problemet si mungesa e opozitës në parlament, fakti që qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu, si dhe procedura për shkarkimin e Presidentit. Sigurisht, vendet anëtare të BE-së vlerësojnë gjithashtu situatën e përgjithshme politike.”-tha Johannes Hahn

SHKARKO APP