Edhe pak orë nga dekretimi apo mos dekretimi!
Kryeministri Rama i ka dërguar Presidentit, në pikë të mëngjezit të javës së kaluar, kërkesën për emrin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, i cili prej 5 viteve është këshilltar pranë Kryeministrit për çështjet e sigurisë dhe policisë.
Fatmir Xhafa ende pa e konfirmuar për publikun, se po ikën, por nuk ka vonuar shefi i qeverisë ku postoi se “ka pranuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm” duke nxituar se mos i ndërron mendja Fatmir Xhafës. Shumë enigma vlojnë për ikjen e ministrit Xhafa, por e verteta po del, siç pohoi edhe mbrëmë Baton Haxhiu, mik personal i kryeministrit, se shefi i ekzekutivit nuk e duronte dhe nuk e donte Xhafën. Përflitet se Fatmir Xhafën e donin amerikanët dhe gjermanët, por edhe kjo nuk e pengoi kryeministrin ta detyrojë të ikë ministrin në kulmin e arrestimeve VIP.
Në tavolinën e Presidentit Meta ndodhet kërkesa e zotit Edi Rama. Sipas kushtetutës sonte deri në ora 24.00 mbaron afati kushtetues për dekretim ose jo për Sandër Lleshin. Dekretin për shkarkimin e ministrit Xhafa, presidenti e firmosi mënjëherë, ndërsa dekreti për emrin e propozuar akoma nuk ka firmë.
Ndërkohë, sipas rregullit kushtetues, presidenca ka kërkuar informacione nga institucionet ligjzbatuese për gjeneralin e ushtrisë Sandër Lleshi. Po kështu mësohet se është kërkuar nga TV Klan, emisioni i Fevziut, kaseta e plotë e intervistës së kandidatit për ministër, e cila u zbardh mbrëmë vonë.
Pra deri në ora 24.00, sonte, Presidenti i Republikës do të duhet të firmosë ose jo emrin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm. Nëse jo, atëhere kryeministrit Rama do ti duhet të dërgojë emër tjetër për ministër. Dhe nëse Kryeministri nuk do të pranojë të nisë tjetër emër, atëhere do të mbetet që Edi Rama të delegojë një prej zv/ministrave në detyrën e përkohshme të ministrit. Tamam si në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, ku drejtoi tre ministri me zv/ministra dhe më pas u rrëzua nga pushteti.
Gjithsesi Sandër Lleshi është një katolik i mirë.