Edhe PD voton Gramoz Ruçin

-LSI nuk mori pjesë në votim. Tre deputetët, të cilët votuan pro sekretarit të përgjithshëm të PS-së ishin të PD.

-Kryeministri Rama i jep dorën Bashës në parlament, para votimit, kurse Basha takon ish-persekutuarit dhe flet kundër kreut të Kuvendit, pas votimit.

Partia Demokratike ka e ka nisur opozitën me një autogol që në seancën e parë të Kuvendit. Gramoz Ruçi do të jetë kryetar i Parlament edhe me bekimin e votave të PD-së. Ruçi u votua me 80 vota, ndërkohë që PS kishte dje vetëm 73 deputetë në sallë, pasi Erion Braçe mungonte. 19 deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe pse ishin në seancë, por nuk morën fare pjesë në votim. Ruçi mori 7 vota më shumë sesa deputetë që ka grupi parlamentar socialist. Tre vota plus janë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët e kanë deklaruar që më herët mbështetjen për Gramoz Ruçin. Një votë tjetër pro Gramoz Ruçit mund të ketë qenë e deputetit Tom Doshi. Ndërkohë që tre votat e tjera janë dhënë vetëm nga Partia Demokratike. Duke llogaritur dhe një votë që ishte e pavlefshme, rezulton se Partia Demokratike i ka dhënë 4 vota kreut të ri të Parlamentit.

Vota pro Gramoz Ruçit nga PD, në një situatë tjetër nuk do të quhej diçka e jashtëzakonshme. Ruçi është ndër politikanët më të vjetër e më të respektuar të Parlamentit dhe votimi pro tij nga çdo deputet do të ishte respekt . Problemi është tek qëndrimi me sy standarde dhe shthurja politike e Partisë Demokratike. Vetëm pak orë para votimit, demokratët betoheshin në media se nuk do të lejonin jo vetëm zgjedhjen e Ruçit, por as hyrjen e tij në Kuvend. Dje jashtë sallës së parlamentit, PD-ja mblodhi pak veta nga ish të përndjekur dhe simpatizantë të saj për të kundërshtuar votimin e Ruçit. Gjatë javëve të fundit demokratët iniciuan peticione që ua dërguan edhe ambasadave të huaja ku deklaronin se nuk ishin dakord me emërimin e tij në krye të Kuvendit. Lulzim Basha e cilëson zgjedhjen e tij si një rikthim të së kaluarës komuniste, por për vete shtrëngoi dorën fort me kryeministrin Rama në sallën e parlamentit, aqsa ra në sy shtrëngimi kaq dashuror. PD i dha tre vota direkt Gramoz Ruçit, bile edhe një tjetër e cila doli e pavlefshme, dhe më pas bën sikur lufton PS-në dhe “ komunizmin”. Pazari Rama-Basha vazhdon, por kështu nuk bëhet opozita ndaj qeverisë. Nuk duken ditë të mira në PD me këtë mënyrë opozite dhe pazar që po shkatërron nga pak e përditë selinë blu.

Sot të gjitha këto akuza të antikomunistëve të rinjtë rezultuan një flluskë sapuni. Të parët që e votuan Gramoz Ruçin ishin vetë demokratët. Madje jo një, por katër deputetë “antikomunistë” i dhanë bekimin për të drejtuar Kuvendin. Dhe shumë mirë që votuan, por pyetja që shtrohet tani është se çfarë morali ka Partia Demokratike? Ditën shan dhe betohet se nuk do të votojë “gjallë a vdekur” dhe në darkë jep votat.

Fakti që 4 deputetë thyejnë që në seancën e parë vendimin politik tregon se Lulzim Basha ka dy probleme kryesore. Ose ka zgjedhur në grup deputetë që nuk e kanë idenë e politikës dhe thjeshtë janë “të shitur”, ose Lulzim Basha direkt ka udhëzuar deputetët e tij të votojnë pro Ruçit për të dhënë sinjal Ramës se duhet të vazhdojmë pazarin. Në të dyja rastet PD-ja del partia më çoroditur në vendimmarrjen politike.

Kreu i PD-së dhe kreu i grupit parlamentar duhet të sqarojnë se çfarë ndodhi me votat e deputetëve demokratë, sepse në të gjitha rastet, situata është alarmante për opozitën. Nëse Edi Rama ka arritur të blejë katër deputetë që ditën e parë, nuk është çudi që nga 80 shumë shpejt numrin do ta bëjë 84, duke arritur shumicën kushtetuese. Në këtë pikë nuk ka më nevojë as për PD, LSI dhe asnjë parti tjetër për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ky është sinjali i parë i alarmit për demokracinë në Shqipëri, ndaj Lulzim Basha duhet të sqarojë atë që po ndodh në partinë e tij.

Në morinë e reagimeve për tre votat e tradhtisë në Partinë Demokratike për Gramoz Ruçin, dallon ai i Besnik Mustafait. Sipas tij, një prej votave pro ka qenë ajo e vetë kreut të Partisë Demokratike. Në një status në Facebook, Mustafai shkruan: Dikush me thotë se njeri nga dy votuesit pro Rucit është vetë Basha. Kush të jetë tjetri ?

Akuzë e rëndë kjo nga një ish-themelues i PD, ish-ministër demokrat dhe një nga ish-miqtë më të ngushtë të Berishës.

Partia Demokratike dje pësoi një goditje të madhe publike e politike si forcë opozitare. Edhe LSI nuk ndjehet mirë, tregojnë burime brenda kësaj partie, që PD-ja po shkërmoqet në këtë mënyrë. LSI ka kërkuar dhe vazhdon të insistojë se duhet të krijohet një front i madh opozitar për të kontrolluar Edi Ramën, pasi ai ka marrë shumë pushtet, aqsa blenë që ditën e parë katër deputetë të PD.

Qamil Xhani

Në foto: Momenti kur zgjidhet Gramoz Ruçi dhe Lulzim Basha e uron për detyrën e re si kryetar Parlamenti

SHKARKO APP