Edhe vizat kishim mangët!

Vendimi i parlamentit të Holandës për rikthimin e vizave praktikisht e kthen Shqipërinë 10 vite pas. Deputetët holandez votuan që t’i kërkojnë Komisionit Europian nxjerrjen e Shqipërisë nga zona Shengen. Është një procedurë e rrallë që bëhet vetëm në rastet ekstreme, kur shteti që e ka marrë këtë status ka dështuar në gjithë elementët e tij të sigurisë dhe luftës kundër krimit.

Derisa ky vendim të diskutohet nga KE shqiptarët mbetet vetëm të shpresojnë se kërkesa e një shteti anëtar të BE të mos pasohet dhe nga shtete të tjera. Nëse ndodh që një kërkesë e tillë merret seriozisht, atëherë duhet të pranojmë se qeveria shqiptare ka dështuar në mënyrë spektakolare në atë që quhet prioriteti i prioriteteve të vendit; integrimi në Bashkimin Europian.

Për ata që nuk e kuptojnë se çfarë ka ndodhur sot në Holandë, mjafton të rikthen pak vite pas në kohë. Të shumë janë ata që i mbajnë mend radhët e gjata nëpër ambasada, pagesat pa fund për dokumente dhe pagesa për sekserët që garantonin vizën. Po ashtu, të gjithë i mbajnë mend kalimet ilegale në kufij dhe krijimin e “agjencive” të skafistëve në Vlorë. E pra, as më shumë dhe as më pak, rikthimi i vizave do të thotë kthimin e Shqipërisë në një burg të madh, ku çdo shqiptari i ndalohet të hyjë në BE. Është një hap pas, ndër më negativët në historinë e vendit, që e rendit Shqipërinë njëlloj si në vendet në konflikt apo që nuk plotësojnë asnjë kriter të Bashkimit Europian.

Dhe kjo është një situatë që nuk erdhi rastësisht dhe sigurisht që ka fajtorë. Holanda ka paralajmëruar vitet e fundit  disa herë qeverinë shqiptare për azilkërkuesit dhe trafiqet që kryhen nga shqiptarë më precedentë penalë. Disa herë ministra dhe zyrtar të këtij shteti kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë folur hapur për shqetësimet që ata kanë me qeverinë shqiptare. Nga pala shqiptare këto probleme ose nuk janë dëgjuar ose janë anashkaluar duke e sjellë situatën ku diskutohet heqja e vizave.

Pas paralajmërimeve që ka bërë Holanda, madje edhe Franca në mënyrë më të moderuar, qeveria shqiptare duhet të ishte vënë në alarm. Por ndodhi e kundërta. Ministria e Jashtme që ka detyrën kryesore të informimit në rrugë zyrtarë për masat e marrë, këto kohë sheh më shqetësuese çështjen e targave të konsujve dhe jo izolimin e shqiptarëve.

Ministria e Brendshme që duhet të garantojë partnerët në luftën kundër krimin është e zënë me gazin lotsjellës nga protestuesve të opozitës dhe jo me bashkëpunimin me qeveritë e vendeve të BE kundër trafiqeve që vijnë nga Shqipëri.

Vendimi për vizat vjen dhe në momentin më të gabuar. Qeveria “Rama” thotë se në qershor mund të marrë çeljen e negociatave, por me vendimin e sotëm nga Holanda duket se kjo është një shaka e madhe e qeverisë sonë.

Në fund ata që e paguajnë janë shqiptarët. Pas krizës politike, rënies së institucioneve të drejtësisë dhe një krizë ekonomike që ka nisur të shfaqet egër, shqiptarët duhet të përgatiten edhe për kthimin e vizave.

SHKARKO APP