Aleanca/Edi Paloka: Të hapur për bashkëpunim me LSI për Frontin Opozitar
Eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së LSI-së për krijimin e një Fronti të përbashkët Opozitar. Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD, Edi Paloka e mirëpret bashkëpunimin me LSI-në kundër keqqeverisjes.
“Ne jemi të hapur te bashkëpunojmë jo vetëm me LSI-në, por me çdo qytetar i cili është i gatshëm të bëhet pjesë e një fronti të gjerë kundër një qeverisjeje, e cila mund të jetë më e keqja që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”,- shprehet Paloka në një prononcim për mediat.
Bashkëpunimi mes PD dhe LSI është kërkuar me herët nga Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI, Kryemadhi bëri ftesë publike për krijimin e Frontit Opozitar, mes partive kryesore të opozitës, por edhe shoqërisë civile dhe qytetarëve. Kryemadhi tha se krijimi i këtij Fronti është një emergjencë kombëtare për tu përballur me krimin dhe keqqeverisjen. “Koha nuk pret më, të krijojmë frontin e gjerë opozitar, qofshin ato me forca të majta dhe të djathta. Unë mendoj ta quajmë Front kombëtar kundër krimit të organizuar”,- u shpreh Kryemadhi.
PD dhe LSI kanë koordinuar disa herë qëndrimet në Kuvend për votimin e nismave të rëndësishme, por ende nuk ka një tryezë të partive politike ku të përcaktohen detajet e bashkëpunimit.
Demokratët kanë folur disa herë për aleancë me gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë, por para se të arrihet në një koalicion të tillë është e nevojshme që të bëhet aleanca me partitë kryesore në opozitë. Pas PD, LSI-ja është partia më e madhe në opozitë që ka numrat në Kuvend dhe mbështetjen në elektorat. Bashkëpunimi mes dy forcave është përcaktues për opozitën e fortë në Parlament, por edhe krijimin e frymës masive opozitare mes qytetarëve.
Qëndrimi i Edi Palokës sot është nisja e procesi të ri bashkëpunimi, por që më shumë sesa me deklarata ka nevojë për projekte konkrete dhe koordinim të strategjive. Sepse pavarësisht peshës që kanë sot në Kuvend dy partitë, ajo që bie në sy është një model opozitarizmi i veçuar. PD flet për antikomunizmin dhe problemin e zgjedhjeve të lira në parim, ndërkohë LSI ka ngritur këto ditë çështjen e trafikut të drogës dhe mosfunksionimit të radarëve, si dhe rritjen e TVSH për bizneset. Të gjitha çështjet kanë të bëjnë me opozitën, por do të ktheheshin në kauzë nëse partitë do të kishin qëndrime të përbashkëta. Nga faza e ftesave duhet kaluar në bashkëpunime konkrete.