Rama, biznesit të madh: Ua di tmerret që hiqni nga inspektorët. Nxirrni përjashta!

Kryeministri Rama ka mbledhur sot në një takim ata që ai i njeh si sipërmarrës të mëdhenj. I shoqëruar edhe nga ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edi Rama ka folur me tone të larta ndaj inspektorëve të shtetit.

Realisht ka të drejtë, por pyetja mbetet a nuk ishte ky kryeministër në këto katër vite që shkuan? A ka patur informacion se ç’ndodhte në administratën e pushtetit të tij apo tani po i merr vesh të gjitha “tmerret’ që ka hequr biznesi i madh? A është kjo një hile e tij për t’ia faturuar të tjerëve fajin dhe për të dalë i larë ai nga llogaridhënia?

Kryeministër nga viti 2013 e deri tani, e vazhdon, është Edi Rama. Ai nuk mund të fshihet pas fjalëve të mëdha sikur nuk e ka ditur ose nëse ka ndodhur, pse nuk i ka shkarkuar. Edi Rama duhet të jetë korrekt me premtimet e tij politike dhe mandatin kushtetues për të drejtuar, por edhe për dhënë llogari ndaj elektoratit e në këtë rast, biznesit.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Shyqyr që na e dha populli mandatin që të mos kemi më sikletin se po na zhvat ndonjë komshi, një tufë sekserësh të zyrtarizuar që shëmtojnë portin e Durrësit sidomos.

Policinë gri e kemi kthyer në kazermë derisa të fshihet përfundimisht.

Inspektoriatet i kemi mbyllur dhe të rrinë nëpër shtëpira që të lënë njerëzit të marrin frymë. Se realisht janë banda që lëshohen në emër të mjedisit, të mbrojtjes së peshqve, kullotave dhe kujt i bien në qafë?

Çdo njeriu që bën një punë, çdo njeriu që merr një kazmë për të bërë punë e shkojnë i thonë: jo këtë, jo muzikë e lartë…Këta duhet të largohen nga qafa e popullit shqiptar. Përveç tatimeve dhe Doganave që vazhdojnë normalisht, edhe vetë është në kazermë dhe lëviz me një leje të posaçme e të kufizuar.

Nëse ju nuk do të bëheni palë me ne dhe të mbroni veten tuaj përmes nesh, pra, e kam fjalën të ngrini telefonin se pastaj zgjidhet. Duhet të arrijmë në ditën kur ministrat të ngrihen në këmbë kur hyn një investitor ti madh. Të merret vesh se kur cenohet një sipërmarrës, ta dihet se fjala shkon në sekondë në zyrën e kryeministrit.

Mjafton që ju t’i jepni urdhër të gjitha zyrave tuaj që në momentin kur këta shfaqen, duke filluar nga veshja, mos i pranoni. Nëse vijnë në orarin e punës me bluxhinse, me bluza me shqiponja me tre koka, me germa hallowin, duhet t’i refuzoni dhe të njoftoni që i refuzuam. Që këtu duhet të fillohet. Ta shikojnë veten njëherë në presion, të mos vijnë me shapka.

Mos i pranoni dhe ju të viheni në siklet nga këta me shapka, që kanë ato çanta që nuk dihet çfarë kanë brenda: pistoletë apo bukë me vete.

Ju qeshni se i dini, po këtu për të qeshur këtu jam unë që janë lejuar këta që kanë bërë ligjin në oborret e kompanive tuaja.

SHKARKO APP