Mbrëmë vonë Edi Rama dajak ministrave: ” Do t’ju shkarkoj!”
Kryesore E Hënë, 19 Prill 2021 20:15
Edi Rama po tregohet kryeminister. Po nxjerr anën e patreguar deri me tani: forcën për të larguar ministrat e paaftë. Mbrëmë, rreth orës 18.30, në selinë e Partisë Socialiste, janë parë të hynë një nga një ministrat e kabinetin qeveritar të kësaj partie. Pas tyre, portën e kanë kaluar Gramoz Ruçi e Taulant Balla, të pasuar nga kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, Xhafa, Braçe, Shalsi.
Kjo mbledhje, e thirrur me urgjencë nga kryeministri Rama, për më tepër në selinë e PS, ka qenë e papritur për pjesmarrësit. Burime të lapsi.al bëjnë të ditur se ende pa u ulur mirë në karriket e tyre, Edi Rama ka zbrazur një lumë kritikash e sharjesh për ministrat aty. Me tone të rënda, me një nervozizëm të dukshëm dhe duke ngritur zërin në maksimum, kryeministri u ka deklaruar se shumë shpejt disa prej tyre do të duhet të largohen dhe t’i hapin rrugë ndryshimeve.
Mbledhja e mbrëmshme, është e dyta në harkun kohor të një jave, ku kryeministri ka paralajmëruar me një gjuhë të ashpër se do të ketë shumë shpejt ndryshime të ministrave. Herën e parë, më 20 janar, mbledhja u zhvillua në selinë e kryeministrisë dhe ajo i parapriu darkës së shumëpërfolur Rama- Meta në restorantin e Irfan Hysenbelliut. Ajo darkë hedh disi dritë mbi arsyet e shpërthimeve të fundit të Edi Ramaës ndaj ministrave të tij.
Pas kësaj sjellje të re të Ramës (deri dje mbronte në vetmohim punën e ministrave dhe rezultatet e tyre sa herë që pyetej për ndryshime), duket se qëndron presioni i Ilir Metës për të ribërë qeverinë. Veç kushtit të palëkundur të Ilir Metës për dy- tre ministra të veçantë që ai i kërkon si “kurban” nga Rama, LSI kërkon të ndërrojë edhe ministrat e saj. Për t’i arritur këto qëllime, Meta po e detyron Ramën që ato t’i paraqesë si riformatim të kabinetit dhe jo si arnime të diktuara nga LSI.
I njohur për dobësinë e tij përballë aleatit më të vogël dhe pafuqinë politike për të marrë vendime të forta, Edi Rama mesa duket e ka pranuar këtë kompromis me Ilir Metën. Por që të mos duket si i tillë, ai po ngre fabulën e “pakënaqësisë” së shefit me vartësit e tij, të kryeministrit që kritikon, zemërohet dhe bën ndryshime në emër të një qeverisje më të mirë. Pra, dy mbledhjet e furtunës mbi ministrat, po përgatisin dekorin teatral të gjoja ndryshimeve për qëllime të mëdha dhe jo arnimeve për interesa të vogla.
Kjo përpjekje për të ndrequr terrenin para ndryshimeve në qeveri, bëhet më e besueshme po të kihet parasysh se në këto dy mbledhje, veçanërisht tek kjo e mbrëmshmja në selinë e PS, janë një numër relativisht i madh pjesmarrësish dhe fjala do të dalë (ashtu si edhe doli) se kryeministri po kritikon ashpër ministrat e tij. Nëse vërtet kryeministri është i pakënaqur me ndonjë nga ministrat e tij, mund ta thërrasë secilin më vete, t’i komunikojë vërejtjet dhe ta shkarkojë duke i bërë publike arsyet. Por kjo goditje në grup synon pikërisht të krijojë atmosferën se ndryshimet po bëhen se i do Rama dhe jo se i dikton Meta.
Edhe mbledhja e mbrëmshme është zhvilluar në një atmosferë të rëndë, ku zëri i lartë dhe kërcënimet e kryeministrit kanë dominuar gjithë të tjerët. I vetmi ministër që shpëtoi nga sulmet e shefit të tij, ishte Ilir Beqja. Gjithë të tjerët u goditën pa përjashtim. Ndryshe nga takimi i parë, pjesmarrja këtë herë edhe e disa drejtuesve të grupit parlamentar, siç tha njeri prej tyre, krijoi imazhin e mbledhjeve të byrosë politike, ku udhëheqësi bënte provën gjenerale për prerje kokash. Nuk është çudi që edhe në mbledhjen e grupit të PS, ku disa deputetë kërkuan që të analizohet puna e qeverisë në parti, të ketë patur një porosi për t’i paraprirë ndryshimeve në qeveri, shkruan lapsi i Shkullak-Bushatit.
Mbrëmë, ministrat kanë dalë të munduar nga mbledhja me kryeministrin. Secili ka qarë hallin e karrikes që mund të humbasë, ndërsa të tjerët kanë shpresuar të kapin vendet që do mbeten bosh.