Edi Rama foli në Asamblenë e PS: “E duam LSI”. Tani “topi” në fushën e Metës
Edi Rama foli në Asanmblenë e PS ku analizoi katërvjeçarin e qeverisjes së PS dhe natyrisht edhe vlerat e pamohueshme të LSI. Ai tha, ndër të tjera, se nuk ka datë shtyrje për zgjedhjet dhe se PS-ja do hyjë në zgjedhje. Por në shumicën e kohës së fjalimit të tij Edi Rama iu përkushtua partneritetit me LSI dhe Ilir Metës. Kryeministri tha se kemi bashkëqeverisur shumë mirë, dhe se duam edhe katër vite të tjera të qeverisim me LSI, pasi jemi dy forca të së majtës dhe që kemi punuar për të bërë reforma të shkëlqyera për Shqipërinë. Ndonëse ka kritika, ndonëse ka sulme, ndonëse ka qejfmbetje, ndonëse ka mërira nga të dyja palët, PS dhe LSI, Edi Rama theksoi se duhet të ngrihemi mbi këdo vogëlsira dhe të ecim përpara me LSI për të drejtuar Shqipërinë.
Sipas Ramës, partneriteti me LSI-në nuk matet me gjërat që nuk shkojnë në bashkëqeverisje, por me progresin që tregojnë faktet dhe shifrat e çdo sektori.
“Partneritetin me LSI ka ndër ne që e përjetojnë si të ezauruar, ka të tjerë që e përjetojnë si mëkat. Arsyet e këtyre përjetimeve janë nga më të ndryshme. Herë janë të drejta dhe herë jo, herë janë të justifikuar dhe herë jo. Herë janë të ekzagjeruara dhe herë të sajuara. Jashtë nesh i bien më shkurt, e quajnë një marrëveshje për pushtet. Sa për mua cilësia e këtij partneriteti nuk matet me gjërat që nuk shkojnë në bashkëqeverisjen e sotme, as në helmin që hedhin hera herës aleatët tonë të vegjël, matet me sa shumë progres tregojnë faktet dhe shifrat e çdo sektori”, tha Rama.
Kryeministri Rama thumboi LSI-në, gjatë krahasimit të tij “matës” të partneritetit me këtë parti. Ndër të tjera Rama tha se partneriteti nuk matet me sa shumë mungojnë ministrat e LSI në Parlament, por me vlerat e reformës në arsim dhe jo vetëm. E hodhi paksa thumbin, por me kujdes dhe ndrojtje.
Sipas kreut të PS-së, “matet me faktin kuptimplotë që nga fillimi i kësaj historie bashkëqeverisje, janë 210 mijë njerëz më shumë në punë në sektorin jo bujqësor dhe nuk matet me sa shumë mungojnë ministrat e LSI në Parlament. Matet me të vërtetën se sot falë reformës së arsimit të lartë, që e miratuam së bashku, jemi 3 vjet dritë larg kohës kur arsimi i lartë ishte një shkretëtirë. Nuk ka asnjë diskutim vlera dhe strategjia e partneritetit me LSI-në”
Edi Rama tha se jemi në pritje të LSI për të deklaruar vazhdimin e koalicionit me LSI, si partnerja kryesore dhe si bashkëbërësja e reformave të mëdha për vendin.
Kryeministri me gjuhë të qartë tha: E duam dhe na duhet LSI në koalicion, paçka se ka prej nesh dhe prej atyre, njërëz, që nuk e duan koalicionin. Ne po presim LSI!- ishte thirrja publike e Edi Ramës.
Tani “topi” mbetet në fushën e Ilir Metës. Ai duhet të vendosë, ndonëse mosfutja e opozitës në zgjedhje e komplikon situatën e vendimit të madh të LSI.