Kryeministri- kryetar, Edi Rama fton dhe kërcënon

Në bilancin e 100 ditëve të para qeverisëse të mandatit të dytë, Edi Rama ka pasur pak reforma për t’u mburrur, por shumë ankesa dhe ftesa për opozitën. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kreu i qeverisë e përmendi vetëm një herë çështjen e timonit qeverisës që mori në zgjedhje vitin e kaluar. Fjalimin e gjatë të kreut të qeverisë e dominoi reforma në drejtësi, kërcënimi për opozitën që ka frikë nga reforma dhe ftesat po për opozitën që të bashkëpunojë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ndonëse e kërcënonte duke e ftuar.

Fillimisht kryeministri dha një shpjegim të ri për divorcin me LSI. Ndryshe nga sa ka thënë më parë për çështjen e tepsisë këtë herë ndarja me aleatin, sipas Ramës, erdhi për shkak të reformës në drejtësi. “Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë, për të mos e kompromentuar Reformën në Drejtësi, ndau përfundimisht edhe rrugët tona me aleatin e deridjeshëm të mandatit të parë qeverisës”,- tha Edi Rama. Në këtë mënyrë, kryeministri e përvetësoi reformën si një produkt “Made in PS” duke harruar se të gjitha ligjet kryesore u votuan me LSI dhe ndryshimet kushtetuese nuk do ishin votuar pa votat e LSI dhe PD. Duke e personalizuar në këtë mënyrë reformën më të rëndësishme, Rama indirekt i pret rrugën dhe bashkëpunimit të mëtejshëm. Kryeministri Rama harron se janë arkivuar thëniet e tij për kontributin e LSI në mbështetje të reformës në drejtësi dhe reformave të tjera. Tani nuk ka interes të pranojë ato që ka pohuar, dikur.

Nëse Shqipëria nuk i ka hapur negociatat, për Edi Ramën është sërish faji i opozitës. Kryeministri tha se aleanca e re mes PD dhe LSI këto 6 muaj kërcënon direkt procesin e negociatave.  Kreu i qeverisë shkoi dhe me tej me akuzat e tij, kur tha se qëndrimet e opozitës po sabotojnë edhe qëndrimet e Bashkimit Europian për të integruar Shqipërinë. “Çelja e negociatave me Bashkimin Europian po kërcënohet nga brenda Shqipërisë, po kërcënohet pikërisht nga frika prej Reformës në Drejtësi, e kthyer në një politikë të dëshpëruar destruktive, që ne si qeveri nuk ka çfarë na bën, por që Shqipërisë mund t’i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm”, shtoi kryeministri. Duke dënuar qëndrimin e opozitës, kryeministri premtoi se qeveria po komunikon me të gjitha vendet e Bashkimit Europian për t’u sqaruar situatën në Shqipëri dhe problemet me opozitën.

Sipas optikës së kreut të qeverisë, Shqipëria nuk ka probleme me drogën, krimin, zbatimin e ligjeve dhe korrupsionit. Në 100 ditët e para të mandatit të dytë qeverisës çdo gjë në vend ka “shkuar vaj”. Qeverisë dhe PS i prish punë vetëm Partia Demokratike që nuk bashkëpunon dhe çizmet e kryetares së LSI-së që qëllojnë Edi Ramën. Gjithë të tjerat kanë shkuar vaj sipas kryeministrit.

Por e çuditshme se si pasi ka sulmuar dhe kërcënuar me reformën në drejtësi opozitën dhe e ka bërë fajtore për moszhvillimin e vendit, kryeministri bëri dhe ftesën për bashkëpunim. I vetëdijshëm se një kthesë e tillë do paragjykohet e tha vetë se “thirrja për bashkëpunim nuk është thjesht e vetëm për të larë gojën”. Por edhe ftesa kishte shenja diversioni. Edi Rama foli disa herë për PD dhe kreun e saj, Lulzim Basha duke i ftuar për bashkëpunim, ndërsa nuk e pa të udhës të përmendte asnjëherë me emër LSI dhe kryetaren, Monika Kyremadhi, qoftë edhe si aleat i dikurshëm.

Nëse një kryeministër do të ishte i interesuar vërtetë për integrimin, që varet gjatë këtyre gjashtë muajve, nuk do të bënte kapërcime të tilla. Tre javë më parë deputetët e opozitës u dhunuan në Kuvend nga policia dhe Garda. Shumica e ligjeve dhe emërimet në institucionet e drejtësisë, po kalojnë me votat e PS dhe në shkelje të hapur të Kushtetutës. Një kryeministër që kërkon konsensus nuk deklaron se ka votat dhe mund të votojë si të dojë. Ndërsa ka folur këto kohë për konsensus në publik, në Parlament aty ku bëhen paktet politike, Rama dhe PS asnjëherë nuk janë sjellë në mënyrë konsensuale. Ndaj ftesat e djeshme ishin pjesë e retorikës politike dhe gjetja e justifikimit të radhës për dështimet e qeverisë.

Spartak Ngjela, një ish-mik i kryeministrit Rama, tha dje se Rama duhet të jap dorëheqjen si kryeministër për t’i hapur udhë reformës në drejtësi dhe se PS-ja kishte Fatmir Xhafaj si kryeministër. Ministri Xhafaj, tha Ngjela, është më afër Uashingtonit zyrtar dhe ka mbështetje me shumë se Rama.

Q.Xhani

 

 

SHKARKO APP