Edi Rama ka të drejtë: Asnjë lekë “banditëve” të Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucioni më serioz shkencor, në vend duhet të manifestojë profesionalizëm dhe vizion e jo të kthehet në qendër të mediokritetit dhe pazarëve. Prej ditësh ka një debat publik për rolin de facto të Akademisë së Shkencave,  por edhe për një debat për zgjedhjet në Akademi të cilin e hapi Artan Fuga, një nga intelektualët kryesorë të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama i është bashkuar debatit në lidhje me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Edi Rama reagon për herë të parë, pas letrës së dërguar në drejtim të tij nga akademiku Artan Fuga.

Kreu i ekzekutivit shkruan se nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave, nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prej ditësh ka plasur një debat mes akademikëve në lidhje me reformimin e Akademisë së Shkencave dhe për faktin sesi ka funksionuar ajo ndër vite.

Reagimi i kryeministrit erdhi në kohën e duhur dhe ka të drejtë, kur thotë se do t’iu marrim edhe godinën po vazhduan kështu pa një strategji pune dhe efikasitet.  Akademia e Shkencave duhet të jetë  institucioni model i mendjes dhe kulturës e jo vend ku përplasen persona për të mbajtur apo marrë karriken e kryetarit. Debati, këto ditë, arriti deri në atë pikë sa akademikun Artan Fuga e kërcënuan edhe me jetë.

Ndërhyrja e kryeministrit Rama me sa duket iu preu shpresat atyre që po sajojnë për ta kthyer Akademinë në vend kulisash dhe mediokriteti.

Njëri ndër mbështetësit më të rëndësishëm të opozitës ka qenë dhe Profesor Artan Fuga, i cili e shfaqi hapur përkrahjen ndaj idesë dhe nevojës imediate për një transformim rrënjësor të Republikës Shqiptare.

Edhe pse përkrahja e Fugës u shua me kalimin e ditëve, panorama është krejt ndryshe këtë të hënë të shtatorit, ku profesori i gazetarisë dhe komunikimit ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për PD-në dhe kryetarin e saj në lidhje me zhvillimet në Akademinë e Shkencave, e cila zhvillon sot zgjedhjet e saj.

Sipas Fugës, i cili ka qenë një kritik i ashpër i vijës aktuale të Akademisë së Shkencave, Partia Demokratike nuk është aspak e interesuar të dijë se çfarë ndodh me vlerat dhe kapitalin kulturor në vend.

Përveçse Akademisë së Shkencave, Fuga kritikon opozitën për një sërë çështjesh të tjera, të cilat mund t’i lexoni të plota më poshtë:

STATUSI I ARTAN FUGES:

Mirë ekzekutivi, po opozita, partia demokratike si nuk thotë një fjalë për atë që po ndodh në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjet pa platformë dhe pa kandidatë alternativë, lëre për të tjerat.

Mos pyet të flasi për kërkimin shkencor, gjendjen e arteve dhe të kulturës. Të pyesi sesa muze dhe qendra arkeologjike etj, u vizituan nga turistët e huaj këtë vit.Sa përqind e tyre veç detit dhe diellit që na i ka fal Zoti, paguan edhe për të konsumuar rrjetin tonë të kulturës kombëtare?

Ose nuk di dhe ka të drejtë që nuk flet!

Ose di, por nuk do të flasi. Përse nuk do?

Ose as nuk di dhe as nuk do!

Ose di, do, por nuk e quan si punë e saj të merret me gjëra të tjera sepse arësimi, shkenca, arti, mediat janë të tepërta për këtë popull!

Ose nuk flet sepse “fle”, është me pushime !

Ose ende vazhdon lexon raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit 1444 dhe nënvizon pikat më të rëndësishme të tij.

Ose është edhe heshtja pjesë e Paktit!

Mos pyet të flasi për debatin nëse u mbulua ose jo monumenti i Skënderbeut ose mozaiku i Muzeut Kombëtar gjatë Kurbanit të fundit dhe sesi e menaxhon Bashkia hapësirën urbane çka gati shkaktoi Natën e Shën Bartolemeut në mediat tona!!

Lëre të thotë një fjalë për Qendrën e Studimeve Albanologjike që krejt në shkelje të ligjit ndryshon statusin e vet gjatë verës me nismën e ministres teknike të arësimit dhe sipas qefit!

Habi e madhe, habi!

Asnjë fjalë për politikat ballkanike ose europiane me rastin e Mbledhjes të kryeministrave ballkanikë jashtë-europianë në Durrës!

Nëse nuk ka kritika, pa problem, por le të përkrahi politikat qeveritare sepse edhe kjo është opozitë! Opozitë konstruktive!

Qytetari nuk di më se çfarë mendon dhe çfarë pozicioni ka opozita për gjithçka ndodh në vend!

Unë përsëri e përsëris: A e di opozita që paguhet nga taksat tona si qytetarë, jemi apo nuk jemi simpatizantë të saj, për të qenë opozitë dhe opozitë nuk do të thotë thjesht të ngresh e ulësh kartonat në sallën e Kuvendit, që në atë minorancë ku ndodhet nuk ka pikë vlere pragmatike, dhe të vazhdosh jetën tënde të qetë pa ngarkesa stresuese?

 

SHKARKO APP