Edi Rama, “katundi mediatik e politik” dhe miku i tij i ri, Lulzim Basha

Edi Rama nga një zyrë ku pas tij shkruhej “Komunikimet e javës” doli e sqaroi marrëveshjen e arritur me kreun e PD-së Lulzim Basha, lexoi në bisht të syrit ato që kishte shkruar në një ekran anash dhe u turr me një hov të ri ndaj “katundit mediatik e politik”. Ishte po ai, si përditë, por këtë herë me një ndryshim: Nuk sulmoi opozitën, as Lulzim Bashën, as Sali Berishën si shkatërruesit e demokracisë dhe këtij vendi, siç na recitonte në çdo “Komunikim Jave”, por e keqja e vendit e cila duhet dërmuar dhe rrahur me dajak na qenka “katundi mediatik e politik”!

Kushdo e njeh nga afër Edi Ramën, aq me shumë ndër vitet e Saliut të I-rë, e kupton se është një mosmirënjohës i paparë i vlerave, shoqërisë dhe miqësisë, një njeri që sapo kalon lumin të thotë të dhjefsha kalin. Natyrisht që është një pushtetar qoftë lokal, dikur, qoftë sot si kryeministër që ka bërë disa punë, porse mbetet njeriu me thumbues dhe sherrxhi në raport me këdo që nuk i shkon pas mides së tij. Ai sulmon çdokënd që nuk bie dakort me planet e tij. Për të përcaktuar sa korrekt është Edi Rama me raportet miqësore dhe korrektësinë si me miqtë, por edhe me kundërshtarët kur nuk ua ka interesin, mjafton të kujtojmë se çfarë u bëri dy ish-miqve të tij më të ngushtë në këto dekada, Koço Kokëdhimës dhe Ben Blushit. Apo kundërshtarit të tij politik sapo mori pushtetin, Lulzim Bashës, të cilit ia hodhi në erë me dinamit hotelit e vjehrrit të tij në Vlorë, aqsa edhe vetë socialistët thonin si nëpër dhëmbë se “kjo është e tmerrshme”.

Edi Rama nuk ka pse sulmon median apo pjesë të caktuara të politikës, pasi ai ishte, pikërisht ai Edi Rama, që solli deri në zgrip dhe rënien në një greminë të paimagjinueshme të Shqipërisë me konfliktin politik me liderin e opozitës Lulzim Basha. Kishte apo jo të drejtë Basha, kjo mbetet të shikohet pas “dashurisë” së re mes të dyve, pra Ramës dhe Bashës, por kryeministri nuk mund të anashkalojë përgjegjsinë e tij si shefi i qeverisë në gjithë këto muaj kur shoqëria ishte në gjendje shoku nga konflikti Basha-Rama. Ai në “komunikimin e javës” duhej të kërkonte falje publike, bile edhe në emër të “mikut” të tij të ri Lulzim Bashës për gjithçka i krijuan shqiptarëve prej të paktën 18 shkurtit. Edi Rama duhej tu kërkonte falje shqiptarëve për të vrarët e 21 janarit kur Lulzim Basha ishte ministër i brendshëm, Edi Rama duhej të kërkonte falje për të vrarët e Gerdecit kur ishte PD-ja në pushtet, Edi Rama duhej të kërkojë falje edhe për mos ndjesen publike ndaj shqiptarëve nga ana e PD-së, të cilën tani Rama e bëri mike partnere në qeveri. Edi Rama duhe të jetë i sinqertë me shqiptarët edhe për atë, që padashje e nxori në Shkodër ministri i jashtëm Ditmir Bushati kur tha se marrëveshja bashkëqeverisëse do jetë me PD edhe pas zgjedhjeve. Ndërkohë që PS-ja mashtron popullin duke thënë se marrëveshja mbetet në fuqi deri me 25 qershor 2017. Eshtë rënë dakort për bashkëqeverisje të gjatë. Eshtë e drejtë e tyre, por duhet që Edi Rama ta sqarojë dhe të jetë i sinqertë me popullin.

Ishte ai dhe Basha që nxorën shpatat dhe përdoren popullin për planet e tyre, ishin të dy që thonin “do të të tërheq zvarrë në bulevard”, duke tmerruar popullin dhe papritur, fap e fap, në një natë të datës së datës 17 maj u morën vesh. Dhe fatmirësisht bënë mirë që e shpëtuan popullin nga kacafytja me njeri tjetrin për karriket e Ramës dhe Bashës. Por së paku duhet te kishin mirësinë, të paktën, të kërkonin falje.

Falja është edhe si larje gjynahesh, dhe ndërkohë duhej të lutej që Zoti ri ruante mendjen kur ti vijnë ditë politike të këqija, pasi një ditë do ti mbërrijnë për çka bërë. I kanë trokitur “ditët e këqija” Sali Berishës dhe Fatos Nanos, që nuk besonin kurrë se do zbrisnin nga “olimpi”. Edhe për Ramën do vijë dita, që siç thotë Andi Bushati, nuk do të dijë të gjejë as Surrelin.

Edi Rama në “komunikimin e javës” nuk tha asnjë fjalë për “kriminelin” Berisha apo “sherbetorin” e ish-kryeministrit, zotin Basha, siç ligjëronte nëpër media apo mitingje. Por tani që e ka bërë pazarin, pasi pazar mbetet, turret mbi median e lirë dhe kritike.

(Marrë nga www.albanianews1.al)

http://albanianews1.al/edi-rama-katundi-mediatik-e-politik-dhe-miku-i-tij-i-ri-lulzim-basha/

SHKARKO APP