Edi Rama: Kush fut mik, e ha !
Nga Edi Rama.
ZYRA E RE E BASHKËQEVERISJES
zyraebashkeqeverisjes@kryeministria.al
është adresa ku mund të aplikojë për t’u testuar në konkursin e organizuar për këtë qëllim, çdo vajzë apo djalë, me shkollë të lartë natyrisht dhe përkushtim qytetar, që dëshiron të bëhet pjesë e skuadrës së Platformës online të Bashkëqeverisjes me Njerëzit e Zakonshëm #përShqipërinëqëDuam me #Shtet #Punë #Mirēqenie
Platforma e Bashkëqeverisjes, do të jetë online menjëherë pas betimit të qeverisë së re. Siç e kemi shpjeguar më parë, kjo platformë do të jetë hapësira publike e krijimit dhe organizimit të koalicionit tonë të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm.
Në këtë platformë të re komunikimi, ndërveprimi e bashkëpunimi mes anëtarëve të qeverisë dhe qytetarë të regjistruar si anëtarë të koalicionit qeverisës, çdokush prej këtyre të fundit, do të mund të thotë fjalën e vet për çështje të aktualitetit politik; të ndajë opinionin për politika, vendime, projekt-ligje të qeverisë; të shprehë interesin për të kontribuar në sektorë të ndryshëm të punës sonë të përbashkët; të afishojë nisma individuale apo komunitare; të organizojë një grup interesi apo një grup qytetarësh për të thirrur në interpelancë ministra ose kryeministrin; të kritikojë punën apo sjelljen e institucioneve, agjencive shtetërore, zyrave të shërbimit ndaj qytetarit ose drejtuesve e punonjësve të administratës në nivel qendror e lokal, si edhe të denoncojë sjelljet abuzive a korruptive të tyre; të ndajë me publikun historinë e vet personale.
Çdo fjalë, opinion, nisëm, kërkesë, kritikë, ankesë apo denoncim, do të trajtohet me të gjithë respektin e duhur nga kabineti qeveritar, falë pikërisht punës me dy turne dhe gjatë të shtatë ditëve të javës, që do të bëhet në Zyrën e re të Bashkëqeverisjes. Kjo zyrë, ku do të aktivizohen rreth 40 personat e përzgjedhur nga ky konkurs, do të jetë ura lidhëse mes qeverisë dhe anëtarëve të koalicionit të madh qeverisës.
Zyra e Bashkëqeverisjes do të përgatisë për kryeministrin e ministrat, raporte të opinioneve, kritikave, nismave a denoncimeve të njerëzve të zakonshëm; do të organizojë debatet e hapura qytetare si edhe interpelancat e anëtarëve të kabinetit në Platformën e Bashkëqeverisjes; do të monitorojë ecurinë e trajtimit të çdo kërkese, ankese apo denoncimi; do të sigurohet që asnjëra prej tyre të mos mbetet pa përgjigje nga ministria, institucioni apo zyra përkatëse; do të njoftojë qeverinë dhe kryeministrin, për çdo rast kur qytetarëve u është dhënë e drejta vetëm pasi janë ankuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes (çka do të pasojë me masa ndëshkimore për personat përgjegjës për problemin e krijuar për qytetarin), si edhe do të informojë kryeministrin kur një ministër nuk ka siguruar reagimin në afat të dikasterit a të një institucioni varësie, ndaj një kërkese apo ankese.
Kush e ndjen se ka dëshirën, aftësinë dhe përkushtimin qytetar, për t’u futur në skuadrën që do të përballojë këtë sfidë unikale për nga përgjegjësia dhe ngarkesa e punës, të mos ngurrojë të aplikojë në adresën zyraebashkeqeverisjes@kryeministria.al me një letër motivacioni + CV + dy letra rekomandimi për kandidaturën e tij/saj (nga ish-pedagogë a dekanë të fakultetit ku ka studiuar, drejtues në punë të kryera më parë apo figura të respektuara të komunitetit ku banon)
Pres me padurim të punoj me këtë skuadër kaq të rëndësishme për suksesin e bashkëqeverisjes sonë me njerëzit e zakonshëm
APLIKIMET PRANOHEN DERI NË 27 GUSHT
Dhe ah, se për pak harrova, parimi elementar i këtij konkursi: Kujdes! Kush fut mik e ha