Edi Rama luajti për t’u bërë lajm botëror dhe u bë!
Deklarata e kryeministrit Edi Rama në Prishtinë për një “president të përbashkët Shqipëri-Kosovë” e ka vendosur Shqipërinë në një pozitë jo komode përballë partnerëve ndërkombëtarë. Pas Bashkimit Europian që kritikoi i pari deklaratën e Ramës dhe bëri thirrje për kujdes, dje ka ardhur reagimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë. Një reagim i ashpër, që krahasuar me mbështetjen e madhe që diplomacia amerikane i ka dhënë qeverisë “Rama” këto vite, duket si një shuplakë e fortë. Ambasada thekson se është zhgënjyer nga retorika e Edi Ramës në Kosovë dhe se deklarata për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës është e padobishme dhe dëmtojnë marrëdhëniet në rajon.
“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”,– thuhet në reagimin e Ambasadës.
Reagimi i SHBA vjen pas deklaratës së Kryeministrit Rama në Prishtinë, të cilën e cilësuan “gafë të pafalshme”. Kryeministri shqiptar, në pritjen zyrtare të 10-vjetorit të Pavarësisë, në Kuvendin e Kosovës tha se “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Në të vertetë kryeministri Rama mjeshtërisht gjeti një mënyrë për tu bërë lajm botëror si dhe për të larguar vëmëndjen nga problemet ekonomike e politike në Shqipëri. Por nuk parashikoi reagimin amerikan. Atë që vjen nga BE as që ia ndjen Ramës, por kur Uashingtoni lëshoi reagimin nëpërmjet ambasadës në Tiranë, kjo e vë në pozitë të vështirë kryeministrin. Reagimi ndaj këtij qëndrimi të gabuar diplomatit ishte i menjëhershëm në Prishtinë dhe në Tiranë. Ideja e bashkimit kombëtar, në këtë fazë te zhvillimeve të rajonit dhe e thënë nga një kryetar qeverie dëmtoi Kosovën dhe politikën e saj për tu bërë pjesë e OKB dhe normalizimin e raporteve më Serbinë. Beogradi ishte i pari që reagoi ndaj fjalimit të Ramës duke e etiketuar si zyrtarizmin e idesë për “Shqipërinë e Madhe”. Më pas në Greqi, mediat dhe qarqet zyrtare e cilësuan këtë qëndrim si pjesë të “ekspansionit shqiptar në Ballkan dhe trazimin e rajonit”. Mediat ndërkombëtare aludonin se një qëndrim i tillë i Tiranës hap konflikte direkte mes të paktën 4 shteteve në rajon; Serbisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Malitë të Zi. Shkurt, një deklaratë e Edi Ramës rrezikon që të kthej Ballkanin në kaos, por dëmi real është mbi Kosovën dhe negociatat e saj me Serbinë. Në mënyrë direkte, Rama i dha mikut të tij, Aleksandër Vuçiç një argument më shumë për të luajtur “basketboll politik”. Teza e bashkimit Shqipëri-Kosovë hidhet për konsum publik nga Edi Rama në momentin që Serbia kërkon ndarjen e veriut të Kosovës, pikërisht me argumentin e “Shqipërisë së Madhe”. Por informacionet janë që kjo ide ka ardhur nga “Sulltani”, Presidenti Erdogan, i cili ka interesa të forta në Ballkan, aq me tepër që po luan poker me Rusinë, por nga një set e bën edhe me SHBA.
Gjithsesi të martën Edi Rama u tërhoq nga deklarata. Tërheqjen e bëri njëlloj si për deklaratat e ditës politike në Tiranë. Tha se deklarata ishte imagjinatë e tij, nuk e kishte seriozisht dhe se fjalia ishte nxjerrë nga konteksti, kryesisht nga mediat. Në fakt, deklarata është cituar siç e ka thënë Edi Rama dhe nëse mediat e kanë nxjerrë nga konteksti, të njëjtën gjë nuk mund ta bënte BE dhe SHBA. Problemi është se deklarata u bë nga Kryeministrit me vetëdije të plotë. Jo rastësisht fjalimi u mbajt në Kuvendin e Kosovës, në kohën kur mediat ndërkombëtarë dhe gjithë diplomatët e huaj po ndiqnin seancën e 10-vjetorit të pavarësisë. Gjithashtu, kryeministri e dine se çfarë pasojash do të sillte për Shqipërinë kjo deklaratë dhe çfarë reagimesh do vinin nga ndërkombëtarët. Ishte një “gafë” e bërë më dashje. Edhe pse në Tiranë mediat afër Ramës e paraqitën si diçka që nuk duhej marrë seriozisht, pasi kryeministri këtë stil oratorie mbart, dëmi u bë njëlloj. Në Serbi dhe Greqi qëndrimi i kryeministrit Rama po përdoret dëshmi e politikës konfliktuale të Shqipërisë. Ky argument nëse mund të përdoret edhe kundër hapjes së negociatave. Duke ditur gjithë këto pasoja që dëmtojnë Kosovën dhe Shqipërinë, pyetja që shtrohet është çfarë fitoi Edi Rama me këtë qëndrim? Shpjegimi për një shërbim direkt ndaj politikës serbe është pak i besueshëm. Edi Rama luan më mirë se Vuçiç.
E vetmja arsye që e detyroi Ramën të thotë këtë fjali që zgjoi Ballkanin e dremitur është shmangia e vëmendjes ndaj krizës reale në Shqipëri. Kryeministri ia doli të tërheq vëmendjen nga hallet problematike të qeverisë së tij, por me një kosto të madhe për Kosovën dhe Shqipërinë. Kryeministri luajti në ditën e Kosovës për t’u bërë lajm botëror. Dhe ia arriti, duke rënë të gjithë në kurthin e lojës së tij për të qenë lajm dite.
Q.Xhani