Edi Rama në Asamblenë e PS: Pa LSI nuk do bënim asgjë. Me ata do vazhdojmë

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ndër të tjera, se PS-ja do të vazhdojë aleancën me LSI. Ai tha se ky koalicion është një aleancë strategjike për një Shqipëri stabël.

Kryetari i PS-së për herë të parë deklaroi hapur dhe prerë se “Pa LSI nuk mund të bënim asnjë Reformë”. Edi Rama ishte i vendosur për të vazhduar koalicionin me LSI. Pritet vetëm vendimi i LSI, i cili duket se do jepet në muajin shkurt 2017.

Ne do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara dhe patjetër që qëllimi ynë strategjik është të jemi bashkë në koalicion me LSI-në. Shumëkush thotë që të ikim vetëm sepse kanë ankesa për LSI-në, por kjo është strategjike dhe nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo të njerëzve tanë. Ne duhet ta shohim këtë në planin strategjik. Do të thoni ju, “po pse nuk e thonë ata këtë gjë”? I madhit i takon të flasë, ndërsa të voglit i takon të mendohet. Unë jam besimplotë që ne do të shkojmë së bashku dhe pavarësisht të gjithave, dua që ta kuptoni që është aleancë strategjike për të ardhmen dhe jo taktike për pushtetin tonë”, shpjegoi Rama.

Kjo deklaratë e koalicionit i jep fund debatit mbi mënyrën sesi do të hyjë në zgjedhjet e vitit 2017 mazhoranca e majtë.

Kryeministri Edi Rama foli në Asamblenë e PS edhe për Klemend Balilin. Ai tha se nuk pranon që të goditet një ministër për mosarrestimin e një të dënuari. Rama u shpreh i bindur se Klemend Balili do të arrestohet.

Unë refuzoj ngado që të vijë qoftë nga sharlatanët qoftë nga dashamarisërit të goditet ministria e Brendshme dhe policia e shtetit për Klement Balilin. Nuk dua të më japin leksione askush.  Klemend Balili është në kërkim, sic janë në kërkim bosat në amerikë e gjithë botën.
Deri dje nuk do ishte në kërkim, por do ishte duke ngrënë qingje. Sot është i fshehur vrimave dhe herët ose vonë do të shkojë prapa hekruave. Është e ulët të akuzosh ministrin e Brendshëm dhe policinë pse nuk arrestohet sot një kriminel. Mund të kritikosh, mund të kërkosh llogari, mund të bësh hetim, por nuk mund të dalësh.  Bosët e krimit nuk i sollëm ne në 2013, por i gjetëm këtu. Doni dhe mes nesh, problem i madh shumë ne e kemi bërë shumë të qartë kjo Shqipëri ishte kur një drejtor i lartë ishte i dënuar”,- tha Kryeministri Rama. 

Ndiqni në videon më poshtë çfarë ndodhi sot në Asamblenë e PS

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154309007736523/

Lexoni lajme të tjera për zhvillimet sot në Asamble:

Kokëdhima: Dua ta pyes Ramën, ku je duke e çuar Partinë Socialiste?

Këshilla e Arta Dades: Kryetarët e rinj të partisë mos bëhen servilë

Dako akuzon Blushin: Më ka kërkuar favore për miqtë e tij

Tahiri: Vitin tjetër, rezultate të paimagjinueshme kundër drogës

Fjala e Kryeministrit njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare:

Kjo është mbledhja e fundit e Asamblesë për këtë vit, e cila shënon edhe hyrjen në një fazë të re për partinë tonë, për një mandat të ri për të vazhduar më tej përpjekjen tonë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Është e pashmangshme që në këtë kontekst, ne të bëjmë një bilanc, duke u përpjekur të jemi sa më sintetikë, sepse për hir të së vërtetës, nëse do t’i referohemi listës së gjatë të angazhimeve të marra dhe të punëve të kryera, do të duhej një fjalim që do të zgjaste deri nesër. E këtë nuk e them në sensin alegorik, por në kuptimin e  plotë të fjalës.

Para pak ditësh kemi bërë një tjetër azhornim të programit tonë qeverisës me detyrat e kryera. E vërteta është se, edhe pse jo gjithçka që është shkruar në program, është sot një detyrë e kryer, volumi i detyrave të kryera në raport me angazhimet programatike është vërtet mbresëlënës. E këtë e them me krenari, por në të njëjtën kohë edhe me përulësi.

Jam fort i vetëdijshëm, madje çdo ditë e më i vetëdijshëm për sesa shumë ende kemi për të bërë. Jo vetëm kaq, por edhe për faktin se çka kemi arritur të bëjmë si rezultat i një procesi jashtëzakonisht kurajoz reformash, të vonuara dhe të penguara për vite të tëra, më shumë sesa një arsye për të thënë sesa shumë kemi bërë, është një arsye për të kuptuar se çfarë potenciali të madh kemi dhe sesa, fatkeqësisht, shumë kohë kemi humbur si vend, si klasë politike, për të bërë gjëra që nëse do të ishin bërë kohën e duhur vite e vite më parë, sot padiskutim do të kishim sfida të tjera, por dhe një realitet tjetër.

Mbyllëm vitin qeverisës me një paketë solidariteti.

Një paketë solidariteti, e cila jo vetëm na identifikon në sytë e gjithë atyre që janë më në nevojë si forcën e tyre më përfaqësuese, por edhe na ndihmon që të kuptojmë sesa rrugë kemi bërë në këtë periudhë kohe, pasi u nisëm nga një pikë halli.

Sot jemi në gjendje të rrisim rrogat dhe të spostojmë nga arka e shtetit në arkën e familjeve të punonjësve të shtetit dhe të pensionistëve, 100 milionë dollarë në vit. Ndërkohë që qeveria e mëparshme në 8 vjet spostoi për rritje rrogash dhe pensionesh vetëm 124 milionë dollarë.

Por nuk është vetëm kaq. Qysh ditën e parë hoqëm nga supet e shtresës së mesme dhe shtresës më të varfër që jeton me punë të ndershme, barrën e taksës së sheshtë 10%. Me këtë lëvizje u dhamë edhe 140 milionë dollarë të tjera, të spostuara nga arka e buxhetit në arkën e familjeve, të gjithë atyre që paguajnë një taksë mbi rrogën. Pra, bëjnë 240 milionë.

E nëse do të përfshijmë edhe ata, të cilët janë në privat, janë dhe 300 milionë të tjera, çka e çon në 540 milionë. Duke shtuar këtu edhe rritjen e rrogave të policëve qysh ditën e parë, bëhet një volum parash që mund t’i kishin në arkën e shtetit, por janë spostuar në arkën e familjeve, për të rritur fuqinë e tyre blerëse.

Nuk është rastësi, por lidhet pikërisht edhe me këtë politikë të uljes së taksave për 97% të taksapaguesve shqiptarë, rritja e vazhdueshme e konsumit. Sot, shifrat  e konsumit flasin më qartë sesa çdo retorikë dhe çdo statistikë për rritjen e fuqisë blerëse.

Si mund të mos ndjehemi ne krenarë për këto reforma, nëse falë rezultatit të tyre, sot jemi në gjendje të mbyllim vitin me një shprehje kaq kuptimplotë solidariteti për pensionistët! Duke dhënë në fundviti, shprehjen më kuptimplotë të mirënjohjes sonë dhe të respektit tonë ndaj tyre dhe kjo jo vetëm nga pikëpamja simbolike, por edhe nga pikëpamja financiare. Ndërkohë që në vitin 2013, ne e nisëm qeverisjen me një mal borxhesh dhe në buzë të një humnere financiare.

Natyrisht që qeveritë gjykohen dhe vlerësohen për atë që bëjnë, por ekonomistët i vlerësojnë qeveritë edhe për atë që shmangin. Dhe ne kemi shmangur as më shumë dhe as më pak, por një kolaps financiar në fund të vitit 2013, kur, nëse nuk do kishim ndërhyrë fuqimisht dhe nëse nuk do të kishim nënshkruar një program agresiv reformash, qoftë me zgjedhësit, por më pas edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nën nëntorin e vitit 2013 nuk do të mund të paguanim rrogat e pensionet. Ky është fakt!

Sot, me paketën e solidaritetit i tregojmë të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve se ne nuk harrojmë e faktikisht shlyejmë të gjitha detyrimet e prapambetura të përmbytjeve të shkuara. Ndërkohë kemi vendosur një standard të ri të qasjes ndaj familjeve që goditen nga përmbytjet, duke filluar nga zona e Vlorës dhe e Fierit, ku jo vetëm kemi shlyer një më një, me para në dorë, të gjitha dëmet, jo vetëm kemi shlyer kokë më kokë të gjithë shpendët e bagëtitë e humbura, por kemi marrë edhe një program investimesh në infrastrukturë, për të përballuar në mënyrë afatgjatë  përmbytje të tjera. Është fakt se, nëse ky program nuk do të ishte në rrugën e realizimit, nga përmbytjet e fundit, Vlora e Fieri do të kishin pësuar përsëri të njëjtat dëme, si ato që pësuan në përmbytjen dramatike për të cilën po flas.

Fermerët u prekën nga një epidemi vdekjeprurëse e lopëve. Ne nuk bëmë sikur nuk pamë, as sikur nuk kuptuam as sikur u mjaftuam me një premtim, por nxituam dhe vumë në dispozicion fondin për të kompensuar kokë më kokë çdo lopë, nga veriu në jug, sepse bëhet fjalë për familje që e bazojnë ekonominë e tyre në fshat tek disa krerë lopë. Jo vetëm do t’i zëvendësojmë, por kemi marrë të gjitha masat që në procesin e zëvendësimit të ketë një përmirësim të ndjeshëm racor, bazuar edhe në karakteristikat e zonave, që do të sjellë edhe një impakt jo të pakonsiderueshëm në ekonominë e tyre familjare.

Kur ka ndodhur në 20 e kusur vite që në fund të vitit, qeveria të kujtohet edhe për familjet në ndihmë ekonomike, të cilave ndërkohë u kemi dy-trefishuar ndihmën e ekonomike gjatë kësaj periudhe qeverisëse? Asnjëherë nuk ka ndodhur!

Është hera e parë që qeveria vë në dispozicion krahas pensionistëve, edhe për familjet në ndihmë ekonomike, një shpërblim të fundvitit. Në terma financiarë, as dy dhe trefishimi i ndihmës ekonomike, as ky shpërblim nuk zgjidh problemin e tyre. Patjetër, nëse e shohim këtë që bëjmë në raport më vështirësitë e tyre, jemi kokulur, por, nëse shohim se ajo që bëjmë, është në raport të drejtë me mundësitë, në funksion të një politike solidariteti, atëherë jemi kryelartë me plot të drejtë.

Ne nuk kërkojmë nga askush që të çohet dhe të brohorasë qeverinë. Ne nuk i themi askujt që sot, Shqipëria është një vend që po konkurron me fuqitë e mëdha ekonomike për shkak të sukseseve tona. Absolutisht jo! Por ne nuk mund të mos jemi krenarë për faktin se reformat tona, sado të vështira, sado të dhimbshme, sado me kosto, në fund të ditës kthehen në të ardhura që shkojnë tek njerëzit në nevojë.

Nuk do të kishim pasur mundësi të rrisnim rrogat e pensionet, nuk do të kishim pasur mundësi të mbaronim vitin me këtë paketë të madhe solidariteti, nëse nuk do kishim bërë ato reforma të dhimbshme, të cilat, sigurisht, dhimbjet më të mëdha i kanë shkaktuar tek ata që janë më të dobët, por nuk ka një rrugë tjetër. Reformat janë operacione, të cilat sa më shumë t’i shmangësh, aq më shumë i rëndon në ditën kur je i detyruar t’i bësh, për të shmangur pastaj kolapsin e plotë të organizmit të shtetit, siç ishim faktikisht në fund të vitit 2013, kur organizmi i shtetit kërcënohej nga një kolaps i përgjithshëm.

Sot ka një hetim për CEZ-in, i organizuar nga ata të cilët e çuan në kolaps atë kompani dhe e vendosën shtetin shqiptar në pozitën e pamundur për të administruar jo thjeshtë sektorin, por financat. Ndërkohë që çka ne bëmë, solli sot, në ditën kur për herë të parë në historinë e vetë, kompania jo vetëm që nuk merr më para nga taksat për të mbajtur veten në këmbë, por investon në rimëkëmbjen e rrjetit. Të një rrjeti që në 85% të vetin është i kohës së elektrifikimit, me shtyllat dhe me telat e lëna aty, qëkur shkoi drita nëpër zonat e ndryshme të Shqipërisë.

Si mund të mos ketë ende probleme për furnizim me energji elektrike, nëse ka ende shumë nevojë për investime, por sot është kompania që po i bën këto investime. Sot është kompania që nuk u thotë atyre që paguajnë se “do të paguani dy herë, edhe për veten, edhe për ata që vjedhin, sepse ndryshe nuk ju vjen më drita”. Përkundrazi, kompania investon dhe është në gjendje të mbështetet financiarisht nga institucionet financiare, pasi ka një bilanc të shëndetshëm.

Ajo që ne ndaluam në vitin 2013 dhe me reformat tona ishte procesi i një hemorragjie të pandalshme që kishte rrënuar të gjithë sektorët. Nuk ka sot asnjë sektor, për të cilin  mund të themi që kjo është Shqipëria që duan, por ama nuk ka sot asnjë sektor ku nuk shikojmë një ndryshim transformues në funksion të së ardhmes dhe të vendosjes së themeleve të një shteti që funksionon.

Flasim për rritjen e ekonomike. Patjetër që 3.5% nuk është një rritje ekonomike e mjaftueshme, por sigurisht është një rritje ekonomike që sot e bën Shqipërinë një vend me rritjen ekonomike më të lartë në rajon.

Por nuk mjafton dhe ne jemi të vetëdijshëm për të këtë. 3.5% nuk mjafton për të energjizuar ashtu siç duhet ekonominë familjare dhe sidomos ekonominë e shtresës së mesme dhe shtresës më të  varfër. Kemi nevojë të shkojmë përtej 5%, që kjo gjë të ndihet dhe ne do shkojmë përtej 5%, sepse kemi një plan për të shkuar jo përtej 5%, por për të shkuar në mbi 7% në tre vitet e ardhshme, përmes një programi masiv investimesh në infrastrukturën rrugore, arsimore dhe  shëndetësore prej 1 miliardë dollarë, në bashkëpunim me sipërmarrjen private dhe me bankat.

Është një plan jo aventuroz, por një plan i diskutuar dhe i kolauduar me institucionet financiare ndërkombëtare, i cili është i mundur sot, sepse Shqipëria nuk ka më një borxh që e kërcënon; Shqipëria nuk ka më një deficit që e kërcënon; Shqipëria sot ul borxhin publik dhe rrit rrogat dhe pensionet.

Është hera e parë në historinë e këtyre 25 viteve që rriten rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin. Është hera e parë që u shtohet rroga prindërve pa u marrë borxh fëmijëve, që u shtohet pensioni gjyshërve pa u marrë borxh nipave dhe mbesave. Ndërkohë që kjo nuk mjafton dhe ne jemi domosdoshmërish kokulur karshi gjithë atyre njerëzve, të cilëve u shërbejmë dhe të cilët përfaqësojmë, por ne nuk mundemi dot të heshtim dhe nuk mundemi dot të mos adresojmë të vërtetat e thjeshta të kësaj qeverisje të mirë, kur përballemi qoftë me urrejtjen, mllefin, apo dhe mërzinë e njerëzve të zakonshëm. Urrejtja dhe mllefi janë të politikanëve dhe të atyre që janë të verbuar nga politika e vjetër e baltës së përditshme, kurse mërzia është tek njerëzit e zakonshëm, të cilët me të drejtë presin më shumë nga ne.

Unë e konsideroj vërtetë një arsye për t’u krenuar për Partinë Socialiste të Shqipërisë, që mbështetja jonë popullore është sot më e madhe seç ishte në vitin 2013, jo sepse ne e kemi bërë Shqipërinë fushë me lule, por sepse njerëzit kanë besimin se vetëm ne mund ta bëjmë Shqipërinë shtet dhe vetëm ne mund të fusim këtë vend në një fazë të re.

Morëm një ekonomi që rritej midis 0o dhe 1%. Morëm një vend ku në gushtin e vitit 2013, kronikat kryesore të lajmeve ishin njerëzit që vareshin nëpër kangjellat e spitaleve dhe mbanin nëpër duar, recetat që nuk mund t’i kthenin dot në ilaçe, se nuk kishte më ilaçe. Kjo sepse ishin 40 e kusur milionë dollarë borxhe të papaguara për ilaçet e porositura dhe kishte ndaluar furnizimi me ilaçe i spitaleve. S’kishte çarçafë, s’kishte batanije, s’kishte asgjë!

Sot, a janë spitalet tona, spitalet e gjeneratës tjetër? Jo, nuk janë! A është shërbimi ynë shëndetësor, shërbimi i Shqipërisë së gjeneratës tjetër? Jo, nuk është! Por a kemi ne arsye që t’i shikojmë njerëzit në sy  dhe t’u themi ja çfarë kemi bërë dhe ja pse duhet të besoni se në duart tona kjo reformë, ky proces, ky transformim është i sigurt. Në çdo dorë tjetër është kthim mbrapa në të shkuarën.

Tre vjet më parë, Shqipëria vinte nga vlerësime ndërkombëtare të turpshme për nxënësit 15-vjeçarë, në programin e vlerësimit ndërkombëtar më me reputacion dhe globalisht të pranuar si pikë referimi për politikëbërjen në rang botëror, programi PISA.

Programi PISA i edicionit të fundit dha shenjën më kuptimplotë të rezultateve të para të reformës tonë në arsim. A është ky arsimi i gjeneratës tjetër? Jo, nuk është! A janë shkollat tona sot dhe a janë nxënësit tanë në shkolla në kushtet e Shqipërisë së gjeneratës tjetër? Jo, nuk janë!

Nuk duhen mundime të mëdha, për të parë çfarë transformimi ka ndodhur në arsim. Mjafton të shikojmë rezultatet e një programi vlerësimi ndërkombëtar, jo vlerësimet tona, për të kuptuar se çfarë ne po bëjmë në themelet e arsimit. Mjafton të shikojmë afro tre mijë mësues dhe mësuese, që sot punojnë në shkolla falë meritës së tyre. Nuk janë aty të punësuar as nga paraja, as nga partia, as nga tarafi, as nga miqësia, por nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

E ndërkohë mjafton të shikojmë se nuk ka më mësues në Shqipëri, pavarësisht se për kë votojnë, që jetojnë me ankthin se javën tjetër do të merren dhe do të hidhen gjetkë, të transferuar pa arsye, ose vetëm nga arsyet e mosarsyes së parasë, së partisë, miqësisë, tarafit, ose të flaken fare nga puna, për t’u zëvendësuar nga dikush tjetër.

Sot nuk mbyllet më një shkollë për të dalë dhe për të pritur kryeministrin, apo për të çuar nxënësit në fushata elektorale. Nuk cenohet më një mësues për arsye të bindjeve të veta dhe sot vazhdon edukimi në vazhdim i mësuesve në të gjithë Shqipërinë, për të rritur kapacitetet e tyre.

Nuk ka më sot – përveçse në realitete shumë të largëta dhe realisht të vështira, ku bëhet mësim kolektiv për shkak të numrit minimal të nxënësve, – mësues jashtë profilit, ose mësues pa arsimin përkatës. Dhe nuk ishin pak, por 4 mijë. E përkthyer në dëmin që bënin, preknin të ardhmen e 140 mijë nxënësve. Sot nuk ka më!

Është fakt, siç është fakt që sot, të vegjlit e këtij vendi kanë filluar të mësojnë me tekste të Oxford, të Cambridge, të Pearson dhe kanë shpëtuar nga 600 tekste, që ishin as më shumë e as më pak, por prodhim i një makinerie korrupsioni, kopjesh, mizerabiliteti në emër të altertekstit të famshëm, që çoroditi të madh dhe të vogël, që ua nxori veten qejfit mësuesve, që hutoi prindërit dhe që demotivoi nxënësit.

Të gjitha këto tekste, sot janë fshirë dhe ka vetëm tre tekste alternative. Janë tre tekste të standardeve më të larta europiane të Britanisë së Madhe, që në mbyllje të ciklit do ta shoqërojnë fëmijën e Shqipërisë nga klasa e parë deri në fund.

Sigurisht mund të flitet shumë e shumë akoma, por le të vijmë tek papunësia dhe varfëria, tek këto dy plagë të mëdha, për të cilat tregohemi me gisht për ditë, qoftë nga Saliu dhe qeveria e vjetër, qoftë nga tellallët që shesin librat e vjetër të Saliut. A thua se varfëria në Shqipëri erdhi në vitin 2013! A thua se papunësinë në Shqipëri e solli Aleanca për Shqipërinë Europiane! A thua se për shqiptarët që me të drejtën e tyre kërkojnë një jetë më të mirë jashtë atdheut, siç kanë bërë qysh nga viti ’90-të, siç kanë bërë në gjithë historinë e tyre kur kanë qenë të lirë, duhet kryqëzuar qeveria e Partisë Socialiste, sepse jetonim në një vend ku  s’kishte varfëri, jetonim në një vend ku s’kishte papunësi, jetonim në një vend ku s’kishte emigracion!

Dhe sot, të gjitha plagët që ne i trashëguam dhe në të cilat po ndërhyjmë me operacione shumë të forta, rezultati i të cilave nuk mund të vijë i gjithi në tre vjet, na i vënë përpara, me shpresën e dëshpëruar se mund ta budallallepsim popullin shqiptar. Ta budallallepsin deri në pikën që populli shqiptar të thotë ishim më mirë, kur ishim më keq dhe të kthehet përsëri mbas berihait e të shkoi përsëri aty prej ku nuk ka më kthim mbrapa.

Nuk ka më kthim mbrapa e nuk do të këtë kthim mbrapa! Kjo është pak, por e sigurt.

Ashtu sikundër është pak, por e sigurt që jo thjesht statistikat tona, por statistikat e institucioneve ndërkombëtare thonë që në Shqipëri është rritur punësimi, në Shqipëri ka rënë varfëria, por është relative. Është rritur punësimi nuk do të thotë që ne kemi zgjidhur plagën e papunësisë. Ka rënë varfëria nuk do të thotë që kemi zhdukur varfërinë. Në Shqipëri ka shumë varfëri, në Shqipëri ka shumë papunësi. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ne nuk bëjmë me këtë, “mish për top” për mejhanen e Parlamentit çdo të enjte, ku mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe kërkojnë t’i thonë popullit shqiptar se mjafton të shpëtojë nga kjo qeveri dhe këtu do të zgjidhen problemet.

A keni dëgjuar një ide të vetme, përveçse sharje, akuza, shpifje, fyerje, degradim, imoralitet gjuhësor i skajshëm, tragjedi edukative? Mjerë ata që ndjekin Parlamentin dhe mjerë ata që mbajnë fëmijët afër, kur ka Parlament ditën e enjte! Është “pornografia” më ekstreme për ata nën 18-vjeç. Duhet transmetuar me pullë të kuqe dhe shenjën +18, të paktën. Një turp i pashoq! Një kriminalizim i përditshëm, jo i yni. Nuk është problemi tek unë, nuk është problemi tek ministrat dhe deputetët e Partisë Socialistë. Problemi është tek kriminalizimi shoqëror, tek futja deri në skutën më të errët të mendjes së atyre që e ndjekin, e një helmi me pasoja katastrofike.

Kthimi i gënjeshtrës në argument, kthimi i akuzës dhe i shpifjes në program, kthimi i baltës në vizion, ky është kriminalizimi ekstrem. Të keqen e dekriminalizimit, në krahasim me këtë maskaradë që zhvillohet çdo ditë, që turpëron të madh e të vogël për Parlamentin që kemi.

Të mos fshihemi mbas të vërtetës, të mos shohim gishtin, kur gishti tregon hënën. Kjo e keqe ka një emër, nuk janë të gjithë njësoj. Kjo është përpjekje e përbindshme për t’i bërë të gjithë njësoj, por kjo e keqe ka një emër dhe emrin e ka Sali Berisha, bashkë me çetën e tij. Një fuqi që kontaminon në mënyrë të përditshme mjedisin dhe që nuk lë më të dallohet e vërteta nga gënjeshtra, fakti nga shpifja, programi nga balta.

E megjithatë, ne nuk i zgjedhim kundërshtarët. Kundërshtarët janë të zgjedhur. Ajo që ne duhet të bëjmë me sforco të madhe, – sepse e ka thënë populli, po fjete me qenin, do të gdhihesh me pleshta, – është t’i rezistojmë tundimit për t’ju përgjigjur të keqes me të keqe. Çka, fatkeqësisht, momente të caktuara e bëjmë dhe ne. Dhe të besojmë shumë më tepër që shqiptarët jo vetëm nuk janë budallenj, por dinë ta dallojnë qartë se ne nuk jemi të përsosur, ne nuk jemi të pagabueshëm. Kemi bërë dhe ne gabimet tona, patjetër, të cilat i analizojmë dhe do të vazhdojmë t’i analizojmë, por një gjë është e sigurt se që nga dita e parë që qeverisim, nuk kemi bërë asnjë tradhti dhe nuk kemi bërë asnjë mëkat të qëllimshëm, për të nxjerrë përfitime duke dëmtuar vendin, duke dëmtuar komunitete, duke dëmtuar njerëz.

Sot jetojmë në një Shqipëri që është e gatshme të jetë ndryshe, edhe falë një reforme themelore, reforma administrative territoriale. 25 vjet e folën, pse nuk e bënë? Ia ngushtuam ne, rrugët kaosit, anarkisë, abuzimit, paligjshmërisë në territor, duke sintetizuar qeverisjen vendore dhe koncentruar forcën e komuniteteve në 61 bashki të reja. Dhe rezultatet duken, mjafton t’i dëgjoni ata që shqetësohen nga sheshet e reja publike, aty ku deri dje nuk kishte më qytet; Aty ku deri dje kishte parkingje në mes të qytetit dhe ankth për të ikur një orë e më parë nga qyteti; Aty ku deri dje, qyteti i dikurshëm, fantazmë, u thoshte njerëzve “ikni se këtu s’ka jetë, s’ka mundësi të takoheni si njerëz, s’ka mundësi të jeni gjyshër dhe gjyshe që të shëtisni me nipërit dhe mbesat tuaja, s’ka vende të bukura, këtu është atdheu i të shëmtuarës, i baltës, i pluhurit, i shkatërrimit.”

Sot, njerëzit po rifitojnë qytetin. Kjo kërkon patjetër vite të tëra, sepse ka 25 vjet që shkatërrimi shkoi deri në qelizë, pa llogaritur që trashëguam nga e shkuara komuniste pjacat e mëdha, pa sens, të diktaturës së proletariatit.  

Sot, njerëzit po bëhen pronarë të qytetit të tyre, po bëhen pronarë të tokës së tyre, po bëhen pronarë të shtëpisë së tyre. A janë apo s’janë thuajse 100 mijë legalizime në vetëm 3 vjet! Ndërkohë që në 8 vjet bënë vetëm 21 mijë legalizime, nga të cilat 90% ishin mejhane, motele, shatërvanë, pista vallëzimi në monumente kulturë, pa leje, pista vallëzimi në det, pa leje. Legalizonin çfarë ishte ndërtuar në zonat më të ndjeshme, në zonat më delikate, nëpër parqe, nëpër fusha sporti, nëpër monumente kulture, sepse merrnin para. Sot, a po i marrin apo jo, njerëzit mbrapsht si tituj pronësie, shtëpitë që ndërtuan?

Sigurisht që ka ende shumë. Është një Shqipëri e dytë që është ndërtuar pa leje 25 vjet. Por a po e bëjmë apo jo realitet që këta njerëz, jo thjesht po i garantojmë që do të kenë shtëpinë e tyre, por se po bëhen pronarë dhe kanë një titull pronësie, kanë një vlerë në dorë, me të cilën mund t‘i drejtohen bankës dhe mund të marrin një kredi për fermën e tyre, për biznesin e tyre të vogël, apo çfarëdo qoftë. Kush e bëri këtë, a s’e bëmë ne! Po kjo, a ka lidhje me të varfrit, a ka lidhje me njerëzit në nevojë, a ka lidhje më Shqipërinë e gjeneratës tjetër? Patjetër që ka lidhje.

Si mund të mos e themi ne, që për shkak se për 25 vjet, këtu u shkatërruan themelet e kuptimit të arsimit dhe e vetmja alternativë që iu dha fëmijëve të Shqipërisë ishte të bëheshin juristë apo sociologë, duke e braktisur tërësisht arsimin profesional. Doni pasojën dhe të vërtetën?

Merrni rrugën nga Zogu i Zi deri në Durrës. Jua them me përgjegjësinë më të madhe, jua kam thënë edhe në Parlament këtyre tallagjarëve, trokisni në çdo ndërmarrje dhe gjeni një të vetme që nuk ka vend të lirë pune. Të gjitha çfarë shikoni në dy anët e autostradës kanë nga 1, 2, 3 deri 50 e 60, por kërkojnë njerëz të zanateve, kërkojnë elektricistë, axhustatorë, frezatorë, teknikë të mesëm, po ku t’i gjejnë!

Jam shumë krenar që jo vetëm kemi kthyer sytë nga arsimi profesional, por kemi këtë vit dyfishim të numrit të nxënësve. E filluam me 3 mijë të rinj që shkonin në arsimin profesional dhe ishin më të humburit dhe të braktisurit, që shkonin në një shkollë thjesht për të thënë po shkoj deri tek dera e shkollës dhe shkollat nuk kishin asgjë brenda. Studionin elektrik dhe poçat i shikonin në shtëpi ose në rrugë. Në shkollë nuk kishte një poç, një tel. Sot janë 27 mijë nxënës në arsimin profesional. Këta janë zanatçinjtë e së nesërmes.

Por e nesërmja nuk vjen se duam ne të vijë sot. E nesërmja vjen me reforma, me punë, me durim të madh dhe me sakrifica.

Këtu ka shumë dëshmitarë që në fushatën e 2013-s nuk bëje dot një takim jashtë Tirane, pa dëgjuar kryefjalën e shqetësimit të njerëzve, krimi, krimi dhe krimi. A është apo nuk është e vërtetë që në 2013-n nuk kishim Polici Shteti në shërbim të shtetit dhe qytetarit, por kishim një forcë të tradhtuar, të braktisur, të rrënuar, që shtynte makinat rrugës se nuk kishte karburant?

A është apo jo e vërtetë, që shkonim rregullisht te Shtëpia e Oficerëve, për të përshëndetur me mirënjohje e me dhimbje largimin nga jeta të komisar pas komisari, që vriteshin nga plumbat e krimit në operacione të shitura nga Ministria e Brendshme? Dhe nuk ka 30 vjet, ka vetëm 3 vjet. Kujt ia tregojnë këta, çunat e krimit!

Një Polici Shteti që sot nuk është policia e gjeneratës tjetër, por është në ndërtim e sipër për të qenë policia e gjeneratës tjetër. Dhe unë jam zotuar në 2013-ën dhe ju them që në 8 vjet, pra, edhe në 4 vite të tjera, do të kemi një Polici Shteti që do të jetë nderi dhe ekselenca e këtij vendi dhe një polici shembullore për rajonin dhe në mesataren e Bashkimit Europian. Nuk e diskutoj fare! Jemi në atë rrugë.

Nuk është e rastit që shqiptarët, pavarësisht se janë të përmbytur çdo ditë nga kjo katrahurë shpifjesh, balte, akuzash, gënjeshtrash, vlerësojnë Policinë e Shtetit si institucionin më të besueshëm në Shqipëri. E nuk e vlerësojnë në sondazhet tona, por në anketimin e bërë nga Bashkimi Europian: Institucioni më i besueshëm i Republikës së Shqipërisë! Ndërkohë që 3 vjet më parë ishte krah për krah, në fund fare, me gjykatat dhe prokurorinë si institucioni më i pabesueshëm në Republikën e Shqipërisë.

Patjetër që ne kemi beteja për të bërë. Por nuk mundet dot dhe unë e refuzoj ngado që të vijë, qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit, që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj! Nuk pranoj leksione nga askush. Ata që duan të më japin leksion, le të më tregojnë, a ishte e përfshirë qeveria amerikane, a ishte i përfshirë Sekretari i Mbrojtjes apo Sekretari i Punëve të Brendshme me Eskobarin, kur shteti më i fuqishëm i botës investoi burime të panumërta materiale dhe njerëzore dhe për vite të tëra u tërhoq për hunde nga Eskobari. Pse, se ishin të përfshirë?!

Jo, në asnjë mënyrë! Por sepse kjo nuk është një luftë e lehtë. Kjo nuk është një luftë që përkthehet gabim, siç përkthehen opinionet e Komisionit të Venecias, apo raportet e Bashkimit Europian. Kjo nuk është një luftë që bëhet as duke mbajtur fjalime balte në Parlament dhe as duke recituar librat e Saliut.

Klement Balili është në kërkim, siç janë në kërkim sot bosët e narkotrafikut edhe në Amerikë, edhe në Itali dhe në të gjithë botën. Dallimi është shumë i madh, sepse deri dje nuk do ishte në kërkim, por do ishte i ulur këmbëkryq, duke ngrënë mish qengji e duke dëgjuar çiftelinë, bashkë me drejtorët e policisë e duke dalë në Facebook.

Sot është i fshehur vrimave dhe herët ose vonë do të shkojë mbrapa hekurave. Është shumë e lehtë, por më shumë sesa e lehtë është shumë e ulët që të akuzosh ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit, pse nuk arrestohet sot, një kriminel i shumëkërkuar. Mund të kritikosh, mund të kërkosh llogari, mund të kërkosh informacion, mund të bësh hetim të mbyllur për të marrë gjithë informacionin, por nuk mund të dalësh në Parlament e nëpër konferenca e të thuash “arrestojeni këtë sot, se përndryshe ju jeni me këtë!” Pse qenkemi me këtë, ne?

Ashtu sikundër varfëria, sikundër papunësia, sikundër shumë plagë të tjera, edhe krimi, edhe rrjetet kriminale, edhe bosët e krimit nuk i sollëm ne në vitin 2013, i gjetëm këtu, mes këtyre. Doni edhe mes nesh? Problem i madh shumë. Ne e kemi bërë dallimin shumë të qartë. Këtu ishim, kjo Shqipëri ishte, kur një zyrtar i lartë ishte i dënuar, me pranga në dorë, me arrest shtëpie dhe Saliu thoshte “pres vendimin final të gjykatës” dhe ai vazhdonte të ishte drejtor.

Mbajmë përgjegjësi kolektive të gjithë sëbashku se dikush këtu, nesër del i përfshirë me botën e krimit? Ku është parë kjo!

Partitë dhe qeveritë nuk dallohen nga fakti sesa engjëllorë janë, por dallohen nga fakti sesi reagojnë ndaj djajve, kur djajtë shfaqen. Ky është një dallim shumë i madh mes nesh dhe atyre. Kushëriri i këtij apo atij, i njohuri i këtij apo shoku i atij, çfarë rëndësie kanë sot këto! Këto janë një arsye më shumë për të kuptuar dallimin. Për ne nuk ka shok, miq e kushërinj, kur vjen puna që midis nesh dhe shokëve, miqve e kushërinjve, kushdo qoftë, vendoset vija e kuqe e ligjit. Këtu bëhet dallimi.

Nuk ishim në hënë, por ishim këtu dhe nuk mund të pranojmë që sot, këta, bashkë me tellallët që iu bashkëngjiten, të na tregojnë arat, sikur vijnë nga hëna.

Na tregojnë kanabisin. E vërteta është që kemi një luftë të hapur, të pa fituar me kanabisin, nuk diskutohet. Por pse, kjo bimë u shfaq bashkë me Rilindjen në Shqipëri! Farën e saj e solli Saimir Tahiri nga shtëpia, kur u bë ministër i Brendshëm! Lazarati, a ishte apo jo, banka a parasë së zezë të politikës dhe të krimit? A ishte apo s’ishte Sali Berisha që doli dhe tha se është vendim politik, Lazarati ka mbrojtjen time? Ishte jo vetëm një “republikë autonome” që ne e zhbëmë, por i kishte tentakulat në të gjithë Shqipërinë. Këtë nuk e themi ne. Këtë e tregojnë komunikatat sekrete të Policisë së Shtetit. Shtrihej në gjithë Shqipërinë dhe për aq sa mund të besohen komunikatat e asaj Policie Shteti dhe asaj Ministrie të Brendshme, si shprehja e plotë dhe pasqyra e plotë e të vërtetës.

Teoria se shkatërruam Lazaratin dhe e përhapëm kanabisin në të gjithë Shqipërinë, – një maskaradë njerëzish të pafytyrë dhe të përzier të gjithë bashkë në një kazan të madh, politike dhe mediash.

E thoshte bukur Denzel Washington përpara ca ditësh: “Sot të mos lexosh gazetat je i painformuar. T’i lexosh je i keqinformuar”. Tani zgjidh e merr! Po s’lexove, s’merr vesh çfarë bëhet. Po lexove, ka shumë mundësi t’i marrësh mbrapsht gjërat.

Por lavdi Zotit, njerëzit kanë sy dhe veshë! Shqiptarët janë shumë më të mençur se çfarë i kanë kujtuar ata që i kanë udhëhequr në vite. Shumë më të mençur se çfarë i kujtojnë këta që duan të rikthehen me qeverinë e vjetër, duke i bindur se ishim më mirë, kur ishim më keq.

Kanabisi është një plagë që buron nga varfëria. Është një plagë që buron nga mungesa e gjatë e adresimit të problemeve reale të njerëzve dhe nga mungesa e gjatë e reformave për njerëz, të cilët “çuditërisht” e kultivojnë kanabisin aty ku dikur kishte blegtori. Nuk e kultivojnë në Divjakë. Nuk e kultivojnë në fushat e Korçës. Nuk e kultivojnë në fushat e Fierit. Nuk e kultivojnë aty ku prodhohen eksportet tona, që rriten në mënyrë të vazhdueshme çdo vit, sepse aty mund të fitohet duke prodhuar. E kultivojnë aty ku dikur kishte blegtori dhe ku tani s’ka asgjë. Ne e shfarosëm Shqipërinë, në ato zona, në këto 3 vjet, apo e gjetëm copë e çikë? Ne e ndamë Shqipërinë në 400 e kusur komuna e bashki, që s’kishin as të ardhura, as lidhje me qendrën dhe që ishin kthyer në feude?

Flasin për dekriminalizimin. Po shikoni sesa është pastruar lista dhe aksesi i njerëzve me rekorde kriminale në politikë vetëm me fshirjen e gjithë komunave.

Megjithatë, ky nuk është justifikim. Kjo është e vërteta dhe si e vërtetë duhet parë në të gjithë kompleksitetin e saj.

Ne jemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë. Sado që këta të përpiqen, me gjithfarëlloj mënyrash, me të gjitha llojet e kontakteve, ta bëjnë Shqipërinë shkrumb e hi në sytë e gjithë të huajve, nuk do fitojnë dot. Do fitojë Shqipëria! Do fitojnë njerëzit e këtij vendi, qofshin këtu apo jashtë, të cilët besojnë te ky vend dhe që janë shumica dërrmuese. Patjetër do fitojë ligji, do fitojë shteti, edhe në këtë betejë, hap pas hapi. Më shpejt se vonë, ne do ta fshijmë komplet nga harta, edhe këtë pasojë kaq të rëndë të të shkuarës.

Ndërkohë që jemi gati sot të shpallim programin më të madh të investimeve në infrastrukturë dhe të adresojmë problemet e konektivitetit në rrugët nacionale, problemet e konektivitetit në zonat turistike dhe të adresojmë problemet e shkollave që kanë nevojë për ndërhyrje.

Do të vëmë në dispozicion 1 miliardë dollarë për 3 vitet e ardhshme, me financim alternativ, për t’i dhënë ekonomisë një shtytje të re, për t’i dhënë një shtytje të madhe punësimit, për t’i dhënë një goditje transformative infrastrukturës. Por, ndërkohë, mos besojmë një sekondë në atë këngën “s’keni bërë 1 kilometër rrugë”. Është e vërtetë, kemi tenderuar shumë pak në krahasim me ç’ka tenderuar Saliu, por vazhdojmë sot të ndërtojmë rrugët e tenderuara nga Saliu, një pjesë të të cilave e paguam dhe një pjesë tjetër vazhdojmë ta paguajmë. Po t’i bëjmë llogaritë me kilometra, nuk i del llogaria Saliut dhe tellallëve që recitojnë librat e tij të vjetër.

Megjithatë jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë ende më shumë. Jemi gati për ta bërë këtë. Ashtu sikundër jemi gati edhe për të filluar një kontakt intensiv me shqiptarët në të gjithë territorin, sepse kemi shumë gjëra për të thënë, kokulur dhe këtë e them sinqerisht. 

Thonë ca, – nuk po ua vë emrin, më erdhën shumë emra menjëherë, – si mund të them unë “jam i pakënaqur”. 

Po, jam shumë i pakënaqur. Jam çdo ditë e më i pakënaqur, sepse shoh çdo ditë sesa shumë ende mund të bëjmë, jo sepse nuk jam krenar për ato që kemi bërë, por kuptoj se çfarë potenciali i madh i është ndrydhur këtij vendi në këto 20 e kusur vite. Ashtu sikundër jam i bindur se kjo pakënaqësi është e shëndetshme dhe këtë pakënaqësi në raport me veten, jo me njëri-tjetrin, aq më pak me njerëzit, duhet të ketë secili që ka një detyrë, qoftë në qeveri, qoftë në Parlament, qoftë në Partinë Socialiste.

Pakënaqësi nga vetja, sepse potenciali është shumë i madh. Është shumë i madh dhe potenciali për vetë Partinë Socialiste, është shumë i madh potenciali i njerëzve që duan të bëhen pjesë e kësaj partie. E panë vetë në fushatën fantastike të anëtarësimit. E shohin vetë, çdo ditë, njerëzit që afrohen, por ne ende nuk jemi mjaftueshmërisht të përgatitur për ta thithur këtë energji dhe për ta transformuar atë në posivitet dhe për t’u vetëpërmirësuar me më shumë shpejtësi.

Jemi gati të marrim mandatin tjetër, sepse i kemi qëndruar besnik shqiptarëve. Aty ku nuk kemi mundur të bëjmë aq sa duhet, apo ku nuk kemi bërë atë që duhet, duhet të jemi të drejtpërdrejtë me veten dhe me ta. Duhet të shpjegohemi dhe le t’ua lëmë atyre, nëse e kuptojnë apo jo.

Më çoi dikush një mesazh sot dhe më thoshte: “Po mirë, PS përshëndet Gjykatën Kushtetuese, LSI përshëndet Gjykatën Kushtetuese, PD përshëndet Gjykatën Kushtetuese, por kush e bllokoi Vetting-un, unë me Ver Llapën?”

Dua ta falënderoj Fatmir Xhafën dhe kërkoj një duartrokitje, me urdhër nga lart, për Fatmir Xhafën, për Vasilika Hysin, për shokun Pandi, për Ulsi Manjën, për Vexhi Muçmatën dhe për Petrit Vasilin, sepse ishin 6 luftëtarët e përpjekjes për të ardhur këtu ku jemi sot. Sot, në pallatin e drejtësisë ka filluar të ndjehet tërmeti, por realisht nuk kanë parë gjë akoma.

Sot, ne kemi çelur një fazë tjetër. Pse nuk i bënë në 25 vjet, gjithë këto reforma, pse nuk u thanë njerëzve, 20 e ca vjet përpara, mos e vidhni energjinë elektrike se është mall dhe si i tillë nuk vjen nga Zoti, nuk vjen nga partia. Sikur vetëm këtë të kishin bërë, me paratë e humbura nga vjedhja e energjisë elektrike do kishim sot shkollat, kopshtet, çerdhet, spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë territorin. Vetëm me kaq!

Unë vete e di shumë mirë sa kam hezituar nga ngurrimi dhe nga presioni juaj këtu,  “mos se do na ikin njerëzit”. Humbëm një vit. Ndërkohë që është reforma më e mbështetur nga shqiptarët. 80% e shqiptarëve e mbështesin, madje del se dhe ata që e vidhnin energjinë e mbështesin. Sepse e kuptonin se, nëse është për t’i dhënë fund, t’i japet fund për të gjithë dhe jo t’i jepet fund për dikë që nuk njeh njeri dhe tjetri afër tij të vazhdojë të vjedhë se njeh partinë. E parafytyroni dhe vetë se çdo ishte bërë në këtë vend, sikur këto reforma të ishin bërë 20 e kusur vite përpara.

Po ashtu më në fund kemi një reformë të pronës, kemi një ligj të pronës. Më në fund kemi një datë, kemi një afat. Në 10 vjet mbyllet gjithçka. Mund të vazhdonte dhe njëmijë vjet, ashtu siç po lihej. Sa shumë do i ishte kursyer këtij vendi, sa shumë do ishte ndryshe sot ky vend, po të ishte bërë në kohë!

Tani, ne prapë jemi fajtorët. Me kë tallen këta! Kujtojnë se tallen me shqiptarët. Por nuk “e hanë” shqiptarët. Ne do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme, më shumë seç fituam në zgjedhjet e shkuara.

E patjetër që qëllimi ynë strategjik – jo dëshira, kjo nuk është çështje dëshirash, – është të jemi bashkë në koalicion me LSI.

Më lejoni t’jua them juve dhe të gjithë atyre që na dëgjojnë. Shumëkush është i tunduar të thotë të ikim vetëm. Shumëkush thotë se ata të LSI-së bëjnë kështu dhe ashtu, ata na morën më qafë, ata na nxorën bojën, ata na nxorën kallajin, ata na nxorën suvanë.

Dëgjoni miqtë e mi!

Kjo është strategjike. Kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo të njerëzve tanë. Ne duhet ta shohim këtë në planin strategjik. Çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion?

E lëmë pjesën sesi mund të ishin bërë ndryshe shumë gjëra, sepse nga e thëna në të bërë është një det i tërë. Për mua, sot është edhe më e qartë se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Nëse ne duam ta spostojmë Shqipërinë në një epokë tjetër, ne duhet të modernizojmë sistemet. Ne duhet ta bëjmë kontaktin e njeriut me djallin e korrupsionit të pamundur. Se është një djall që tundon. Ama, gjithë këto reforma nuk do ishin bërë, nëse ne nuk do kishim këtë koalicion.

Sot, Shqipëria nuk do ishte një vend më me shpresë, me më shumë më tepër shpresë se do bëhet shtet, nëse ne nuk do kishim këtë koalicion dhe kjo nuk është një çështje Dinamo me Partizanin. Sigurisht midis nesh, ne jemi partnerë, jemi dhe konkurrentë. Ne duam ta fitojmë kampionatin, nuk duam ta fitojë LSI-ja, sigurisht, por është një konkurrencë e shëndetshme në kuadrin e një partneriteti strategjik.

Do pyesni, pse nuk e thonë ata? Normalisht, i madhi i bie të thotë çfarëdo, të voglit i takon të mendohet, por unë jam besimplotë se ne do të shkojmë sëbashku. Pavarësisht të gjithave dua që të gjithë ta kuptojnë se kjo është një aleancë strategjike për të ardhmen, nuk është një aleancë taktike për pushtetin tonë. Nuk është një aleancë taktike për kush është në këtë post, apo kush është në atë post. Është një aleancë strategjike për të majtën e gjeneratës tjetër.

Edhe e majta është njësoj si policia, njësoj si arsimi, njësoj si shëndetësia, njësoj si gjithë të tjerat. Nuk është ende sot e majta e gjeneratës tjetër, por nuk diskutohet se nëse nuk jemi më të mirët, më të mirë nuk shohim gjëkundi dhe nuk jemi e keqja më e vogël, jemi një forcë për mirë, pavarësisht të gjitha të këqijave dhe të metave që kemi.

Nuk i kemi borxh asnjeriu. Nuk i kemi borxh as të  përndjekurve politikë që u rropatën.  Fat më të keq, unë nuk di si mund të ketë, nga Enveri të përfundosh te Saliu. Më keq nuk di ç’mund të të gjejë! Të shkosh t’i beson Saliut 25 vjet, tmerr! Zvarritur i gjetëm, të gjallë, pa marrë asnjë këst dëmshpërblim, ndërkohë që ata kishin filluar t’ua jepnin trashëgimtarëve dhe trashëgimtarë të shpikur si fëmijë të persekutuarish. Vetëm Saliu mbeti pa dalë i persekutuar dhe ky është edhe ankthi që ka.

Koalicionin duam ta zgjerojmë, sepse duam të vazhdojmë këtë rrugë reformash. Nëse do të donim një qeverisje për 4 vjet, në kuptimin  jo vetëm fizik të katër viteve, por në kuptimin edhe të horizontit të ambicieve tona, do të ishim të vetëmjaftueshëm. Mund të dalim vetëm, mund të fitojmë vetëm, por është një qeverisje pa frymëmarrje afatgjatë, sepse reformat duan forcë përfaqësuese. E nëse për të majtën e bashkuar, kjo është strategjike, për qendrën e majtë që ne jemi, zgjerimi me aleatë të tjerë është patjetër një element i domosdoshëm, për aq kohë sa garanton reformat. Jo zgjerim për të zgjeruar pjesëmarrjen në gosti, por zgjerim për të fuqizuar energjinë përfaqësuese në funksion të reformave.

Unë nuk e di sesi do të vlerësohemi sot, ose më saktë kam një ide, por kjo ka pak rëndësi. Ajo që unë di me shumë siguri, të dashur miq, është që kjo parti dhe kjo periudhë qeverisjeje do të kujtohet gjatë, si një moment kthese. Ne nuk do arrijmë t’i përmbushim të gjitha, por do arrijmë të vendosim ato themele që nuk u vunë për 20 e kusur vite dhe do arrijmë të mundësojmë që hap pas hapi, e gjithë shtëpia jonë e përbashkët të ndërtohet, ashtu siç duhet.

Në mbyllje të fjalimit më të gjatë të këtij viti, unë dua jo formalisht, por sinqerisht t’i falënderoj ministrat, deputetët dhe përfaqësuesit tanë në qeverisjen vendore. E patjetër të falënderoj të gjithë kryetare e kryetarët e rinj të Partisë Socialiste, që sot janë shumë të rëndësishëm, sepse drejtojnë në çdo territor, një proces themelor për të rritur ndërveprimin mes partisë dhe komuniteteve.

Dua t’i falënderoj të gjithë, sepse, pavarësisht çfarë secili mund të ndjejë se nuk ka bërë sa duhet, apo çfarë unë mund të ndjej se dikush s’ka bërë sa duhet, apo sa unë besoj se s’kam bërë sa duhet, apo sa njerëzit mendojnë se s’kemi bërë sa duhet, nëse e shikojmë pamjen e përgjithshme, kemi bërë vërtetë mjaftueshëm, për të kuptuar sa shumë më tepër ne mund të bëjmë. Jemi ne që kemi në dorë, jo thjesht fatin tonë politik për zgjedhjet e ardhshme, por kemi në dorë fatin e këtij vendi, në kuptimin më të mirë  të fjalës, jo sepse jemi në qeveri, jo sepse në mazhorancë, por sepse kemi potencialin e jashtëzakonshëm për ta bërë një gjë të tillë.

Do kemi një periudhë shumë të vështirë. Nuk ke çfarë pret nga një opozitë, e cila që ditën e parë në Parlament, kur paraqitëm programin, në fjalën e parë u kthyen nga unë dhe thanë  ”Ku e ke shëndetësinë falas?” Dhe nuk ishte miratuar programi akoma.

Çfarë do presim në këto 6 muaj?

Do presim mbiprodhim të baltës. Do presim përpjekje të jashtëzakonshme për të delegjitimuar çdo gjë dhe do presim përshkallëzim dhe përpjekje për të delegjitimuar dhe zgjedhjet. Ka një muaj që i presim të vijnë të finalizojnë reformën zgjedhore. Ne jemi gati. U themi, ejani të ulemi e të miratojmë gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR it dhe ata nuk vijnë. Duan votim elektronik. Kërkojnë votim elektronik edhe zoti Nardi me zotin Vangjeli. Ndërkohë që votimin elektronik e provuam ne dhe hoqëm dorë ne, kur ishim në opozitë, për arsyen e thjeshtë sepse nuk është aq i besueshëm sa votimi tradicional.

Sot, Amerika po diskuton kthimin tek votimi tradicional. Sot, në Francë, që është një nga vendet me teknologjinë më të përparuar, diskutohet pa asnjë oponencë votim tradicional, sepse janë shtuar edhe djajtë nëpër rrugët e teknologjisë. Ndërkohë që për të gjitha të tjerat, ne jemi gati dhe nuk kemi asnjë problem.

Ajo që na duhet, është të fokusohemi tek njerëzit, të fokusohemi tek reformat, të fokusohemi tek zgjedhjet, duke qenë krenarë për faktin që jemi e para qeveri që nuk kemi bërë buxhet elektoral. Kemi bërë një buxhet absolutisht pa asnjë cenim, nga pikëpamja e të gjithë parametrave, në funksion të zgjedhjeve. Nuk kemi bërë buxhet elektoral, e para, sepse ne mendojmë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër dhe e dyta, sepse ne zgjedhjet i kemi të fituara, nuk kemi nevojë të bëjmë buxhet elektoral.

Faleminderit!

SHKARKO APP