Edi Rama “gju me gju” me popullin

Nga Edi Rama.

RAPORTI JUAJ

Skuadra e Shënimeve punoi mbi komentet e postimit për idenë e 10 operacioneve për 100 ditët e para të qeverisjes së mandatit të ri. Të cilat ishin:

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit

2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku

3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare

4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor

5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore

6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë

7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit

8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë

9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku

10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri

Ja edhe përmbledhja e raportit të përgatitur mbi komentet tuaja:

Nga 2600 komente të regjistruara, vetëm 2015 ishin të lidhura me postimin dhe të vlefshme për matje lidhur me këtë raport. Nga këto 2015 komente:

1994 komente ishin në mbështetje të 10 masave të propozuara në 100 ditët e para, kundrejt vetëm 21 komenteve që shpreheshin kundër tyre duke mos besuar tek masat specifike apo edhe tek forma e bashkëqeverisjes me njerëzit në koncept.

1994 mbeshtetësit ndaheshin në 4 kategori kryesore:

233 PLOTËSISHT DAKORD – komentues që e mbështesnin plotësisht planin me 10 pika dhe që inkurajonin me opinionin tyre për ti realizuar ato.

328 DAKORD ME NËNVIJËZIM – komentues që janë dakord por vendosin theksin në disa çështje kyçe ku duhet të fokusohen më së tepërmi përpjekjet gjatë 100 ditëve të para. Ndër këto çështje prioritare dominon me diferencë të ndjeshme reformimi i administratës, pasuar nga siguria ushqimore dhe lufta kundër korrupsionit.

Lidhur me administratën, komentuesit vijojnë të tërheqin vëmendjen tek reformimi rrënjësor i saj si zgjidhja e vetme që do ti japë fund nepotizmit e politizimit dhe do ti hapë rrugë profesionalizmit, meritokracisë dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, duke mbyllur një here e mirë epokën e sorollatjeve sa në njërën derë, në tjetrën.

Sa i përket sigurisë ushqimore, vihet theksi tek një riformatim nga themelet i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucion që siç thonë komentuesit, nuk e ka vënë ujin në zjarr për ti shërbyer interesit dhe sigurisë së qytetarëve.

Korrupsioni është një problematikë e përcjellë me frekuencë të lartë nga miqtë e kësaj faqeje dhe shumica bien të gjithë dakord që çrrënjosja e tij shkon paralel me ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë.

217 DAKORD ME SHTESA – komentues që insistojnë se këtij plani në 100 ditët e para duhet ti shtohen masa lidhur me një sërë problemesh të tjera ku padiskutim dominojnë drejtësia dhe problematikat me pronat, pasuar me legalizimet, shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe shtetin ligjor e barazinë para ligjit.

1216 DAKORD ME POR – komentues që nuk shprehen kundër planit dhe përtej çdo sqarimi se këto 10 pika lidhen me operacione të menjëhershme e të përkohshme, insistojnë të dinë se çdo të bëhet 100 ditët e para lidhur me drejtësinë, pronat, shëndetësinë, punësimin, bujqësinë, mirëqenien dhe ekonomine:

“Drejtësia dhe pronat” vijon të mbajë edhe në këtë post frekuencën më të lartë të shqetësimeve. Me drejtësinë shihet e lidhur fort zgjidhja e problemit të pronave, por që sipas komentuesve nuk do të marrë kurrë zgjidhje nëse sistemi i drejtësisë, nuk i nënshtrohen vettingut. Drejtësia aktuale denoncohet si penguese për ekonomine; për vendime të padrejta mbi biznesin e sipërmarrjen vendase, si edhe frenuese e investitorëve të huaj.

Sa i përket shëndetësisë, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës spitalore është një kërkesë po aq e shpeshtë sa edhe nevoja për shërbime me cilësi dhe ‘njerzillëk’ nga mjekët e spitaleve shtetërore. Ofrimi me korrektesë i shërbimit mjekësor në zonat rurale, rekrutimi i mjekëve të rinj atje dhe kontrolli i cilësisë së barnave, gjejnë jo pak vend në kërkesat e komentuesve.

Punësimi dhe vendet e reja të punës vijojnë të theksohen si prioritete madhore dhe ka një thirrje të shpeshtë për kontroll të zbatimit të kodit të punës nga bizneset private, veçanërisht ato fasone, lidhur me kushtet e punës, pagën minimale, siguracionet.

Komentuesit e shohin të lidhur ngushtë zhvillimin rural dhe bujqësor me përmirësimin e infrastrukturës rurale, mbështetjen për fermerët, subvencionet dhe krijimit e lehtësirave për tregtimin e prodhimeve vendase.

Lufta ndaj informalitetit dhe rritja e investimeve të huaja vlerësohen masivisht si dy komponentë kyç për fuqizimin e ekonomisë. Nuk mungojnë edhe këtu kërkesat për rritjen e pagave, pensioneve, rritjen e përkrahjes ekonomike për shtresat në nevojë dhe krijimi i lehtësirave fiskale, ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë dhe karburanteve, etj

Infrastruktura konsiderohet nga komentuesit si faktori i suksesit ose dështimit të sektorit të turizmit në vend. Ruajtja e hapësirës publike në bregdet nga ndertimet pa leje dhe pastrimi i territorit, vijnë si një apel për moscënim të parajsës natyrore në vijën tonë bregdetare.

SHKARKO APP