Edi Rama nxjerr zv/ministrin e Drejtësisë, Arben Isaraj kundër Metës
Në një status të gjatë në Facebook, Zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj shkruan se mos arrestimin e një trafikanti droge mund ta shqyrtojnë vetëm komisionet kuvendore dhe jo këshilltarët e Komandantit të Forcave të Armatosura.
Ilir Meta kërkoi dje zyrtarisht që Presidenti i Republikës Bujar Nishani të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare se pse nuk arrestohet “Eskobari i Ballkanit”, Halili nga ministria e brendshme. Dhe pa vonuar Kryeministri Rama ka nxjerrë një zv/ministër të drejtësisë të godasë Ilir Metën.
Statusi i zv/ministrit Arben Isarajt:
Këshilltarët e Komandantit të Ushtrisë apo këshilltarët e Kreut të Shtetit ?
Këshilli i Sigurimit Kombëtar, si organ këshillimor i Presidentit të Republikës, po kërkohet të mblidhet dhe të këshillojë përsëri, me një objekt këshillimi në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin.
Në Kushtetutën e Republikës sonë parlamentare dhe konkretisht në “Pjesën e Katërt” të saj flitet për Presidentin e Republikës si Kryetar i Shtetit.
Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës, duke filluar nga neni 86 e deri tek neni 94, cilësohet si “Kryetar i Shtetit” e si i tillë ushtron disa kompetenca kushtetuese për të cilat nxjerr edhe dekrete.
Por, në asnjë nga këto nene kushtetuese, të Republikës sonë parlamentare ne nuk gjejmë që – “Kryetari i Shtetit” në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese si dhe nxjerrjen e dekreteve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rendin dhe sigurinë publike e juridike (falja e dënimit penal apo dhënia e shtetësisë shqiptare), me mbrojtjen dhe ruajtjen e territorit (lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare), me ruajtjen e unitetetit të popullit (dhënia e dekoratave e titujve të nderit) etj, të këshillohet me “Këshillin e Sigurimit Kombëtar”.
Më pas, në Kushtetutën e Republikës sonë parlamentare dhe konkretisht në “Pjesën e Pesëmbëdhjetë” (nenet 166-169) me titull “Forcat e Armatosura” flitet për Presidentin e Republikës si “Komandant i Pergjithshem i Forcave te Armatosura”.
Në këtë pjesë të Kushtetutës është e shkruar qartë (neni 168, pika 1,2,3) se Forcat e Armatosura te Republikes se Shqiperise perbehen nga forcat tokesore, detare dhe ajrore ku Presidenti i Republikes eshte “Komandant i Pergjithshem” i tyre dhe Keshilli i Sigurimit Kombetar eshte organ keshillimor i tij.
Pak më poshtë në pikën 4, neni 169 i Kushtëtutës thuhet se “Kompetencat e Presidentit te Republikes si Komandant i Pergjithshem i Forcave te Armatosura dhe ato te Komandantit te Forcave te Armatosura dhe varesia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.”
Në zbatim të këtij detyrimi kushtetues është sot në fuqi Ligji nr. 64/2014 “PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”.
Ku në Kreun II-të të tij flitet për “HIERARKINË E PUSHTETEVE DHE AUTORITETEVE TË DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT STRATEGJIK NË FORCAT E ARMATOSURA” dhe lexohet qartë (nenet 9 e vijues) se Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në ushtrimin e pushtetit të dhënë nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi “këshillohet” dhe “mbështetet” nga organi- Këshilli i Sigurimit Kombëtar, i cili ka dhe një përbërje të përcaktuar ligjore të këshilltarëve të përhershëm dhe të rastit sipas vlerësimit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Atëherë sa më sipër, nisur edhe nga parimet kushtetuese (neni 12 ) se “forcat e armatosura sigurojne pavaresine e vendit”, si dhe “mbrojne teresine territoriale dhe rendin e tij kushtetues”, duke “ruajtur asnjanesine ne ceshtjet politike” dhe “i ne?nshtrohen vetëm kontrollit civil”, me të drejtë lindin pyetjet :
Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe e Komandantit të Përgjithshëm të tyre në luftën kundër trafikut dhe trafikantëve të drogës?
Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e Kryetarit të Kuvendit; Kryeministrit; Ministrit të Mbrojtjes; Ministrit të Punëve të Jashtme; Ministrit të Financave; Ministrit të Transportit, apo atij të Energjisë për mos arrestimin apo ndalimin e trafikantëve të drogës ?
Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për mos arrestimin apo ndalimin e trafikantit të drogës Kelment Balili ?
A ka qënë trafikanti i drogës Kelment Balili, pjesëtar i Forcave të Armatosura dhe pse Policia ushtarake në zbatim të ligjit nuk e ka arrestuar në flagrancë, apo ndaluar pas aktit të prokurorit e vendimit të gjykatësit ?
Është e kotë këtu të presim përgjigje dhe përgjegjësi kushtetuese e ligjore, personale e institucionale nga Forcat e Armatosura, Komandanti i tyre i Përgjithshëm dhe Organi Këshillues i këtij të fundit.
Në Republikën tonë parlamentare, duhet ti lemë Forcat e Armatosura dhe ta këshillojmë Presidentin, si “Komandantin e Përgjithshëm” të tyre vetëm për zbatimin e misionit të ngarkuar nga Kushtetuta, Ligji dhe Marrëveshjet Ndërkombetare të Anëtarësimit.
Gjithashtu ta lexojmë shpesh dhe më zë të lartë detyrimin institucional kushtetues (germa h, neni 92) se në Republikën tonë parlamentare, Presidentit të Republikës si “Kreu i Shtetit”, dhe jo si “Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura” nuk i raportohet nga drejtuesit e institucioneve shtetërore por i jepet mendim (këshillë) si dhe të dhëna me shkrim për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre sipas ligjit, kur kjo kërkohet nga Kreu i Shtetit.
Në Shqipërinë republikë parlamentare, sipas Kushtetutës dhe ligjit, institucionet ligjzbatuese kontrollohen, raportojnë e japin llogari vetëm përpara atyre që e përfaqsojnë direkt popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues, deputetëve të Kuvendit.
Shqetësimin se përse institucionet ligjzbatuese nuk arrestojnë apo ndalojnë trafikantët e drogës mund ta zgjidhnin sipas Kushteutës dhe Ligjit, vetëm komisionet kuvendore të përhershme apo të posaçme dhe jo këshillat e këshilltarëve të Komandantit të Forcave të Armatosura.
Lexoni dhe:
Meta, letër Nishanit: Mblidh Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Nishani thërret Këshillin e Sigurisë pas kërkesës se Metës
Manjani: Ja pse Meta kërkoi Këshillin e Sigurisë