Edi Rama pas votimit për Dritan Abazoviç: Tani jemi 3 kryeministra shqiptarë në 6 shtete të Ballkanit

Kryeministri Rama ka reaguar menjëherë sapo në parlamentin e Malit të Zi u votua pro kryeministrit me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç. Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Kryeministri Edi Rama shkruan sonte:“I lumtur që Dritan Abazovic është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë. Urime dhe sukses Dritanit, për Malin e Zi e për krejt rajonin tonë”.

Dritan Abazoviç ka marrë sot drejtimin e qeverisë së re të Malit të Zi, dy ministra të së cilës janë shqiptarë.

Kush e përbën Qeverinë e pakicës?

Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.

Abazoviqi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrjen e saj.

Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.

URA e Abazoviqit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.

Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviq, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.

Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviq, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviqin.

Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq  kanë marrë dy poste ministrore.

Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.

Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviq.

Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviq në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.

Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.

SHKARKO APP