Kryeministri Edi Rama po merr të gjitha pushtetet

Nisja e procedurave nga Partia Socialiste për emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm, të përkohshëm, ka krijuar një situatë të paprecedentë në vend. Që nga dita e enjte Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është formalisht në zyrë. Kushtetuta nuk i njeh kufizim të ushtrimit të detyrës, derisa nuk është zgjedhur pasardhësi, por çdo vendimmarrje e tij këto ditë mund të paragjykohet dhe kundërshtohet nga shumica në Kuvend. Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maks Haxhia, dikur ish-prokuror i Përgjithshëm, thotë se nga dita që i ka mbaruar mandati, Shqipëria është pa Kryeprokuror. PS dhe qeveria, në jo pak rastet deklaruan se mandati i Kryeprokurorit ka mbaruar, pra nuk mund të firmos e vulos asnjë shkresë. Kjo do të thotë se nuk mund të hetojë, nuk mund të dërgojë ndonjë dosje të rëndësishme në gjykatë dhe aq më pak të urdhërojë ndonjë arrestim delikat. Praktikisht asgjë nuk ka të drejtë Kryeprokurori aktual, sipas PS. De facto prokuroria nuk ka drejtues, në çdo rast që mund ti duhet, gjatë këtyre ditëve. Situata e krijuar ka futur frikën te prokurorët e thjeshtë sepse kur shikojnë se si palosen shefin e tyre, ruajnë karriket e tyre dhe nuk guxojnë te hetojnë për peshqit “krap”. Mjafton të shikosh edhe grupin e prokurorëve të dosjes Habilaj-Tahiri. Pothuaj e kanë lenë punën entuziaste të fillimit të hetimeve.

Kjo është situata në prokurori. Mund të ketë gabime e ndëshkime ndaj një pjese prokurorësh abuzues me detyrën, por nuk duhen futur të gjithë në një thes, e aq me tepër t’ju futësh frikën masivisht, pasi kryeprokurori që vjen nga PS ka të drejtë transferimin e çdo prokurori ku të dojë. Fjala vjen iks prokuror heton në Tiranë apo Durrës një deputet të PS, kryeprokurori i përkohshëm të transferon për “nevoja pune” në Kukës apo Tropojë ose në Ersekë.

Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën për postin e kreut të ri të organit të akuzës. Zyrtarisht duhen të paktën pesë ditë për të mbledhur dokumentacionin e kandidatëve. Gjithë kandidatët për postin e kryeprokurorit do të zhvillojnë për dy ditë seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Gjithashtu duhet të kalojnë dhe disa kritere të Vettingut për figurën morale dhe pasurinë. Pas kësaj, Komisioni do të hartojë raportin për seancë parlamentare e cila po ashtu do kohën e vetë që të mblidhet dhe të votojë kryeprokurorin e përkohshëm. Emri i kryeprokurorit ka pak rëndësi këtë herë, pasi votimi do të jetë më shumicë të thjeshtë dhe çdo njeri që do të kandidojë, por që ka afërsi me kryeministrinë, do të ketë marrë që para hyrjes në seancë miratimin e Partisë Socialiste.

E gjithë kjo procedurë ligjore bëhet për një kryeprokuror që do të qëndrojë rreth disa javë në detyrë, sepse një kryeprokuror me mandat të plotë nuk mund të zgjidhet aktualisht. Kjo pasi shoqëria civile, në gjithë këto kohë nuk “gjeti” një kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që do hapte rrugën e zgjedhjes së një kryeprokurori me mandat të plotë kushtetues. Është alogjike të besosh se nuk gjëndet një kandidat nga shoqëria civile! Por është një skenar i kryeministrit për ta marrë për muaj këtë post, pasi duhet kontrolluar dosje, pastruar dokumenta, lëvizur prokurorë,etj. Pra një veprim krejtësisht politik në një organ kushtetues të pavarur.

Dhe kur mendon se ka mbështetjen e ambasadorit të SHBA, atëhere kupton se qarku është mbyllur dhe çelësin e të gjitha pushteteve ia kanë dhënë Edi Ramës.

Po cilat janë pasojat e kësaj loje me Kushtetutën, shoqërinë civile dhe Prokurorinë e Përgjithshme? Sot kemi një kryeprokuror që ndodhet i rrethuar politikisht dhe qëndron në detyrë formalisht. Për pasojë, dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit, si “Habilaj”, çështja e drogës, çështja “Tahiri” si dhe mjaft hetime dhe dosje për politikanë e zyrtarë këto ditë nuk mund të preken. Ose do devijohen me kujdes për të pastruar dosje.

Ndërkohë hetime të reja që mund të kërkojnë veprime të shpejta këto javë, janë të pezulluara. Arsyeja është e thjeshtë, Partia Socialiste do të emërojë një kryeprokuror të përkohshëm të zgjedhur me kujdes sipas “shijeve” të saj që të mos ngacmojë dosjet më problematike. Kritikave për këtë manipulim që po bëhet me organin e akuzës, socialistët u përgjigjen se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të ndërhyjë në hetimet e prokurorëve të tjerë. Një justifikim i tillë është sa naiv, aq dhe i rrezikshëm. Dosjet e mëdha në Shqipëri kanë dështuar në gjykatë për shkak të procedurave  dhe vonesave në mbledhjen e provave. Mjafton vetëm neglizhenca e procedurave nga Prokuroria e Përgjithshme për të mbyllur çdo hetim dhe proces me vendim gjykate. Por synimi nuk është për ta mbajtur prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm vetëm disa javë. Do sajohet me pas se shoqëria civile nuk po sjellë kandidatë dhe do ta vonojnë deri në një vit, sat ë mbarojnë punët e tyre në prokurori.

Reforma në drejtësi, e miratuar me konsensus maksimal, kishte si synim reformim dhe shkëputjen e organit të akuzës dhe gjykatave nga ndikimi politik. Një vit më pas situata përsëritet edhe më keq sesa më parë. Tani prokurori jo vetëm zgjidhet politikisht, por edhe vetëm nga një parti politike me 36 vota. Ajo që është më e rëndë ka të bëjë me faktin se për shkak të neglizhencave ligjore, këto javë vendi është de fakto pa kryeprokuror dhe pa hetime.

Tashmë Edi Rama ka kapur pushtetin ekzekutiv, pushtetin e medias, po fut pushtetin e drejtësisë në dorë, ka përlarë shërbimin sekret, pushtetin  ekonomik e ka nën kontroll.

Por kur ngarkohesh shumë, rrëzohesh nga mbipesha e pushteteve!

Q.Xh.

SHKARKO APP